Tavë Elbasani
Tava e Elbasanit apo tavë kosi është gjellë e kuzhinës shqiptare që përgatitet me mish qengji ose dashi. Po të jetë me mish qengji ai piqet drejtpërdrejtë ndërsa me mish dashi zihet më parë. Mishi pritet në thela, vendoset në tepsi, i hidhet përsipër gjalpë dhe futet në furrë ose në tavë me koren. Herë pas herë i hidhet nga pak ujë që të mos thahet. Pasi të piqet hiqet nga furra.
Në tenxhere me gjalpë kaurdiset pak miell derisa të zverdhet, por jo të skuqet ; shtohet lëngu i mishit të pjekur i holluar me ujë, përzihen dhe vlojnë derisa të krijohet një salcë e trashë. Hiqet nga zjarri, ftohet dhe pastaj i shtohen kos, vezë, kripë dhe përzihen mirë. Në tavë hidhet pak oriz i zier, radhiten thelat e mishit, sipër hidhet masa e përgatitur, pak gjalpë dhe piqet në furrë.
Në qoftë se është mish dashi, ai më parë duhet të ziejë. 10-15 minuta para përfundimit të zierjes së mishit, hidhet pak oriz. Në tenxhere rrihen vezët, shtohet miell, kos, lëng mishi, gjalpë dhe kripë.
Copat e mishit vendosen në tavë së bashku me orizin ; mbi to hidhet masa e përgatitur dhe gjalpë i freskët. Piqet në furrë derisa në sipërfaqe të krijohet një cipë e kuqe.
Për 4-5 persona duhen :
- mish 500 g,
- gjalpë 2 lugë gjelle,
- vezë 2 kokrra,
- kos 3 gota uji,
- miell 2 lugë gjelle,
- oriz 1 lugë gjelle,
- kripë.
Tava e Elbasanit
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Tava e Elbasanit bën pjesë në kuzhinën e pasur shqiptare. Tava e Elbasanit bëhet me kofshët e qengjit të marinuara në kos. Pas marinimit, kofshët futen në furrë e piqen, ndërsa kosi hidhet poshtë. Tava e Elbasanit, u bë e famshme në Perandorinë Osmane për shkak se atë e pëlqeu Mehmeti II –Fatiu, i cili e hëngri atë gjellë gjatë fushatës për marrjen e Krujës më 1452, aty ku dha urdhër të ndërtohet një qytet mbi rrënojat e një qyteti të vjetër me qëllim mbajtjen në presion të Krujës. Por, nga Tava e Elbasanit me kofshë qengji të marinuara në kos, sot përgjithësisht ka mbetur e famshme gjella e shërbëtorëve të kuzhinës, të cilët nuk e hedhin kosin poshtë, por aty fusnin copat e tjera të qengjit dhe e piqnin atë në furrë për vete. Tava e Elbasanit me kofshë qengji të marinuara në kos, bëhet ende në familje të rrjedhura nga të pasurit e Kaninës. Në këto familje mbahet mend se Ismail Qemali, kur erdhi në Vlorë më 1912, kërkoi t’i bënin Tavën e vërtetë të kosit të Elbasanit. Në këto familje, tava e vërtete e Elbasanit bëhet për ditën e pavarësisë.