Tre shokët
Tre shokët (gjermanisht: Drei Kameraden) është një roman i shkruar nga autori Erih Maria Remark. I ndërtuar si një rrëfim në veten e parë nga njëri prej tre shokëve, nga Robert Lokamp, romani zhvillohej në dy linja njekohësisht me njëra-tjetrën, në linjën e shpalosjes përmes episodeve të ndryshme të një miqësie jashtëzakonisht të pastër e të sinqertë midis rrëfyesit, Oto Kaslerit dhe Gotfrid Lencit dhe në linjën e një dashurie nga më të bukurat dhe më prekëset që ka prodhuar letërsia moderne, që është ajo e Robertit me Patris Holmanin, apo e Robit me Patin.
Përmbajtja
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Tre shokët janë tre tridhjetëvjeçarë gjermanë që kanë shpëtuar gjallë nga Lufta e Parë Botërore. Ishin njohur kur nuk ishin më shumë se tetëmbëdhjetëvjeçarë, kishin parë moshatarët dhe miqtë e tyre të vriteshin, vetë ishin plagosur disa herë, por fati i kishte lënë të jetonin paqen që erdhi më pas e cila do të vinte me hidhërimin e zhgënjimeve për të cilën ishin sakrifikuar kaq shumë jetë. Qenë kthyer nga lufta porsi minatorët që dalin nga një galeri e shembur. Kishin dashur të marshonin kundër gënjeshtrës, por gjithçka ishte shkatërruar e falsifikuar. Koha e njerëzve të mëdhenj dhe ëndrrave të mëdha kishte vdekur. Po triumfonte korrupsioni e mizerja. Tre shokëve dhe brezit të cilit i përkisnin u kishte mbetur ndjenja e dëshpërimit dhe pija. Dhe një lidhje e shenjtë në miqësi. Banaku i barit Internacional ku mblidheshin pas punës dhe në fundjava. Rrëfimi i Robit shpaloste në çdo episod dhe detaj atmosferën e jetës në Gjermaninë midis dy luftërave. Ndërkaq një katalog i pijeve të njohura e të panjohura për ne kalonte nga njëra faqe e librit në tjetrën. Tre shokët kishin një servis makinash dhe një pikë karburantesh. Manovrat dhe marifetet e tyre për të shitur e fituar porosi pune i jepnin romanit dritën e një humori të çiltër e të gëzueshëm. Kudo rreth e rrotull tyre gjallon Gjermania e lodhur, në krizë dhe në depresion, si parathënie e nazizmit. Faqet më të bukura dhe më prekëse të romanit janë ato të dashurisë së Robit me Patin. Më ka mbetur si mbresë e pashlyeshme kujtimi i lartësimit të kësaj dashurie me fjalë dhe gjeste të thjeshta, por shumë prekëse, që të ngrinin shpirtin përpjetë. Pati është një vajzë jashtëzakonisht e bukur, e mencur por fatkeqe. Ajo përfshihet natyrshëm në atmosferën e miqësisë mes tre shokëve, është e dashura e Robit, e ndërkaq është si motra e Otos dhe Godfrid Lencit. Por si çdo gjë e rrallë, ajo i ka ditët e numëruara. Mushkëritë e saj janë copë. Robi do të informohet e ndërgjegjësohet vonë për sëmundjen e saj. Do të bëjë çmos ta shpëtojë, do t’i qëndrojë pranë deri në fund si një luftëtar dhe hero i madh i dashurisë. Janë disa episode që nuk harrohen kurrë, episode të një solidariteti dhe vetëmohimi të rrallë për shokun dhe mikun, si për shembull nisja e Oto Keslerit nëpër natë me makinën e tij legjendare, Karlin, për të transportuar, duke e gënjyer, mjekun e Patit gjashtëqind kilometra larg, atje ku vajzën e kanë zënë krizat e sëmundjes, ndërsa ka qenë me pushime me Robin. “Tre shokët” do të përfundojë me nje tragjedi, kur në grupin e miqve të ngushtë, të cilëve u është shtuar Pati dhe në të cilin bën pjesë edhe makina legjendare me emrin Karli fillon rrallimi, shkatërrimi. Vritet Godfridi flokëverdhë, falimenton servisi, shtrohet në sanatorium Pati, Otoja shet Karlin për t’i mundësuar Robit qëndrimin pranë së dashurës dhe së fundi vjen vdekja e Patit. Ajo vdiq në orët e fundit të natës para se të agonte. Hoqi shumë dhe vdiq me mundime të mëdha dhe askush s’mundi ta ndihmonte… Ia lava pastaj gjakun. Isha si një copë dru. Ia kreha flokët. Ajo filloi të ftohej…Pastaj erdhi mëngjesi dhe ajo nuk ishte më.