Vangjel Kici
Vangjel Kici u lind në Bubullimë të Lushnjës në vitin 1935. Shkollën 7 vjeçare e kreu në vendlindje, kurse të mesmen (Tekniku i naftës) në Kuçovë. Studimet e larta i kreu në Universitetin e Pragës, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës (1956 – 1961). U diplomua gjeolog – paleontolog në Universitetin e Tiranës (1963).
Deri në vitin 1975 ka punuar në Institutin e Kërkimeve të Naftës dhe të Gazit në Fier, ku u mor me studimin e stratigrafisë së depozitimeve të Paleogjenit të Shqipërisë Perëndimore, ka punuar 5 vjet si punëtor në Ndërmarrjen e Nxjerrjes së Naftës në Kuçovë. Nga viti 1980 deri sa doli në pension (1998) ka punuar në Institutin e Kërkimeve Gjeologjike në Tiranë dhe është marrë me studimin e stratigrafisë së depozitimeve të Mesozoik – Paleogjenit të Shqipërisë Lindore.
Është autor dhe bashkautor në shumë studime dhe artikuj shkencorë mbi stratigrafinë dhe gjeologjinë e Shqipërisë. Edhe pas daljes në pension vazhdon të shkruajë mbi gjeologjinë dhe perspektivën naftëgazmbajtëse të Shqipërisë.