Jump to content

Varri i Pagëzimit (Roman)

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Varri i Pagëzimit roman me Autor Artan Mullaj. Shtëpia Botuese "Toena", Faqe: 298. ISBN 978-99943-1-644-1

Një pasdite janari, 14 kishat e Vithkuqit gjëmuan njëherësh për orë të tëra, me një jehonë shurdhuese, të padëgjuar kurrë më parë. Kishte ndodhur një gjëmë. Katër pjesëtarë të një familje, u gjetën të pajetë nga banorët në banesën e tyre. Një nënë, një foshnjë, dhe dy pleqtë e shtëpisë vdiqën brenda një dite. Ndodhur vërtet 264 vjet më parë thellë malësisë në perëndim të qytetit të Korçës, kjo ngjarje e frikshme është trashëguar në heshtje deri në ditët tona, vit pas viti nga banorët e zonës. Në kohën kur ka ndodhur kjo tragjedi, Vithkuqi ishte një qytet i madh e i zhvilluar, me 14 kisha ortodokse në 14 lagjet e tij. Në mes të acarit, në janar të vitit 1746, një nënë e re e krishterë u kthye në shtëpi e pikëlluar me foshnjën në krahë, pa mundur ta pagëzojë fëmijën e saj në kishën greke të Engjëllit Mihail, që ndodhej në lagjen Grekas. Pagëzimi ishte refuzuar në momentin e fundit, dhe fëmija lakuriq nuk u lejua të futej në kazanin e shenjtë nga urata për shkak se kisha greke kish ndryshuar ligjet e pagëzimit: Papritur, banorët e zonës, nuk mund të pagëzoheshin më në gjuhën shqipe, sepse rregullat e reja kërkonin që rriti i shenjtë të bëhej vetëm në gjuhën greke. Ngaqë nëna e re nuk dinte greqisht, fëmija nuk mundi të bëhej një krijesë e krishterë, çka supozohej një ngjarje e rëndë në kushtet kur vendi gjendej nën presionin e ideologjisë islame për ndryshimin e besimit të krishterë në Shqipëri. Por vetëm kur arriti në shtëpi ajo kuptoi se një ngjarje më e tmerrshme se mohimi i pagëzimit kish ndodhur me foshnjën e saj. Fëmija kishte vdekur nga të ftohtit. Për një sekondë hidhërimi pa fund, zemra e nënës pushoi në çast, dhe dy pleqtë e shtëpisë, kur panë nënë e bir të pajetë, plasën njëherësh edhe ata nga pikëllimi. Të katër trupat u varrosën bashkë në të njëjtin varr, i cili u quajt “Varri i Pagëzimit”. Por historia nuk mbaroi këtu. Disa kohë mbas kësaj tragjedie, në themelet e gurta të një kishe, u gjend e masakruar njëra nga murgeshat greke që Patriarkana kish dërguar në Vithkuq për t’u edukuar grarisë së qytetit zakonet e ortodoksisë. Misteri u err edhe më kur, në të njëjtën kohë, dhe në të njëjtin vend, u gjend i vrarë edhe prifti që kish ndaluar pagëzimin e foshnjës. Një kohë të gjatë në qytet mbretëroi pasiguria, ndërsa vetëdija e njerëzve sundohej nga tmerri që sillnin ngjarje anësore të cilat edhe kur s’kishin lidhje me besimin e tyre, me “Varrin e Pagëzimit” apo me vrasjen e klerikëve, perceptoheshin si të tilla: dukej se gjithçka ndodhte ose në shërbim të një qëllimi qiellor, që perëndia e kish hedhur për të paralajmëruar kushedi çfarë, ose më keq akoma, gjithçka po ndodhte rrotull atje s’ishin veç shkreptima të fatalitetit. Midis njerëzve të asaj kohe që guxuan të kuptojnë vullnetin e Zotit, ishte edhe At Vasili, një klerik fisnik shqiptar me një titull të lartë: “Ambasador shëtitës i ortodoksisë”. Por as At Vasili, i cili shërbente gjithashtu në Mitropolinë e qytetit të Vithkuqit, as pasardhësit e tij nipër klerikë, që e kishin hetuar gjithashtu thellësisht misterin e kësaj ngjarjeje, nuk kishin mundur të zbardhnin të vërtetën e frikshme. Kush ishte arsyeja e vërtetë që nuk u lejua të pagëzohej fëmija? Kush ishte roli i priftit tinëzar që kish vulosur me dorën e tij tragjedinë, e cila konkurronte edhe fabulat më të dhimbshme të Shekspirit? Kush i vrau klerikët, dhe ç’fuqi, ç’mister, ç’frymë drejtonte zhvillimet në një drejtim të caktuar, të cilës i mungonte atë kohë logjika civile? A kishte organizata mistike, që nën pelerinën e zezë të fatkeqësisë, krijonin strategji më të tmerrshme akoma, duke e përdorur pagëzimin e pabërë si alibi të qëllimeve të tyre të errëta të një sundimi jashtënjerëzor, që nuk duheshin mësuar përjetësisht nga askush?! 264 vjet më vonë, një njeri do të fillojë hetimet për të zbuluar misterin e vjetër, që rritej e rëndohej me kalimin e kohës. Ky është Mitro Filipi, shkrimtar i njohur, stër-stër nipi i fundit i At Vasilit legjendar që kish shpenzuar më kot jetën dhe fantazinë e tij për të zbërthyer enigmat. Duke hyrë thellë në histori, duke sfiduar rrënimin e kohës dhe brishtësinë e kujtesës kolektive, Mitro Filipi papritur, zbuloi diçka po aq të frikshme sa tragjedia. Shkrimtari u ndje i rrezikuar sapo kuptoi që si askush tjetër në planet, ishte afruar pranë të vërtetës rrëqethëse të Varrit të Pagëzimit: vështirë kjo e vërtetë të mund të durohej nga shpirti i tij.