Vjosa Dobruna
Vjosa Dobruna | |
|---|---|
| Lindi | Gjakovë |
| Arsimi | Universiteti i Prishtines, Universiteti i Harvardit,Shkolla e Qeverise Kennedy, Qendra Carr per te Drejtat e Njeriut ne Kembrixh,Ma,SHBA |
| Profesionet | Pediatre; Diplomate; Aktiviste |
Vjosa Dobruna ishte Ambasadore e Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Holandës (2013-2018). Ajo është pediatre, aktiviste dhe avokuese e të Drejtave të Njeriut. Dr. Dobruna është themeluese e Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë, Qendrës së Grave në Tetovë, Maqedoni e Veriut dhe Shtëpisë së Sigurt për Gratë në Gjakovë.[1] Ajo përfaqëson një figurë të dalluar përmes kontributit të saj të frytshëm në mbrojtjen e grave dhe fëmijëve gjatë dhe pas konfliktit në Kosovë.
Jeta e hershme dhe edukimi fillestar
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Vjosa Dobruna u lind në Gjakovë. Është fëmija i parë pas disa brezash me pak vajza në familjen Dobruna, çka i dha një status të veçantë dhe të privilegjuar. Familja e saj nga të dy anët, si nga ajo e nënës, si nga ajo e babait ishin të arsimuar dhe kishin formuar një bagazh të pasur intelektual. Ajo u rrit në një ambient familjar të gjerë dhe të dashur, ku përveç prindërve, kujdesin për të e ndanin edhe gjyshi, katër xhaxhallarët dhe halla. Prindërit e saj ishin të dy të punësuar, dhe për këtë arsye, gjyshi i saj luajti një rol të rëndësishëm në edukimin fillestar të saj, duke i ofruar liri dhe mbështetje emocionale. Një aspekt i veçantë i fëmijërisë së Vjosës ishte përfshirja e saj në vizitat e të burgosurve politikë, përfshirë xhaxhallarët e saj. Për shkak të moshës së saj të re, ajo ishte e vetmja që mund të vizitonte të afërmit në burgje pa rrezikuar pasojat që mund të kishin të tjerët. Këto përvoja ndikuan thellësisht në ndërgjegjësimin e saj për çështjet politike dhe të drejtësisë. Këto përvoja i shërbyen asaj në krijimin e opinionit politik e social që do të shërbenin si busullë gjatë gjithë veprimtarisë së saj të mëvonshme. Veprimtaria e saj fillon qysh nga rinia e hershme, ku ajo ishte ne krye të organizimeve të promovimit të shqiptarëve, shembuj të tillë; shpërndarja e flamujve me llogo të Shqipërisë, shpërndarja e librave që kishin fokus nacionalizmin, etj.[2]
Arsimimi dhe zhvillimi profesional
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Ajo ishte një nxënëse e shkëlqyer, karakterizohej nga një disiplinë e rreptë e të lexuarit në mënyrë aktive, të cilën ia kishte mësuar babai, përmes së cilës ajo vazhdonte të zhvillohej në një personalitet të zgjuar, si dhe po ashtu, ajo kishte të përvetësuar edhe aftësinë për të argumentuar me fakte dhe me qetësi. Shkollën e mesme, e vazhdoi në Prishtinë, si shkak i largimit nga puna të babait të saj. Në apartamentin që banonte me babanë e saj në Prishtinë, mblidheshin dhe diskutonin figura të shquara, që mund të konsideroheshin edhe disidente, siç ishte Jusuf Gërvalla.[3] Që nga aty, bindjet e saj për fusha të ndryshme vetëm se u përforcuan, pasi aty po kultivohej një frymë nacionaliste në rritje, dhe Vjosa Dobruna ishte pjesë indirekte e saj.
Në vitin e katërt të shkollës së mesme, në bazë të rezultateve të shkëlqyeshme të saj, ajo u përzgjodh për të ndjekur një vit shkollimi në ShBA, ku u nderua me çmimin "National Honor Society" një vlerësim që jepet për arritje akademike dhe lidership të lartë. Pas kthimit në Kosovë, megjithëse kishte dëshirë të studionte arkitekturë në UCLA, nëna e saj insistoi që ajo të ndjekë studimet në mjekësi, duke theksuar rëndësinë e saj si model për motrat më të vogla. Vjosa Dobruna, jo vetëm që vazhdoi studimet në mjekësi, por edhe në gjuhën angleze. Gjatë studimeve, punoi njëherazi si përkthyese për Radio Televizionin e Prishtinës dhe Exim-Kos, duke përkthyer filma dhe dokumente teknike. Në vitin 1985, pasi kishte mbaruar studimet për mjekësi në Universitetin e Prishtinës, ajo u angazhua në punën me fëmijë, fillimisht në një spital të Prishtinës, ku ishte njëra ndër antarët e grupit të parë shqiptar të pranuar, dhe më vonë në zonat rurale të Kosovës, ku shërbeu për të ofruar kujdes shëndetësor për fëmijët në kushte të vështira. Megjithatë, në vitin 1991, Vjosa Dobruna u pushua nga puna si pediatre nga regjimi i atëhershëm serb në Kosovë. Ky ishte një pasojë e politikave diskriminuese që kishin për qëllim përjashtimin e shqiptarëve nga pozitat publike dhe shërbimet shtetërore.
Më 26 tetor 1986, ajo ndoqi studime pasuniversitare, specializimin në Universitetin e Zagrebit, ku krijoi një rrjet me grupe grash nga vende të ndryshme si; Sllovenia, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia dhe Kosova, të cilat punuan jo vetëm gjatë viteve të 1980-ta, por edhe pas luftës, këto kishin në fokus të drejtat humanitare.[4]
Formimi i Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe të Fëmijëve – Prishtinë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Vjosa Dobruna e themeloi Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe të Fëmijëve në Prishtinë në vitin 1993, me aktiviste të tjera lokale të cilat ndanin zhgënjimin e saj për mungesën e vullnetit të udhëheqjes shqiptare për të pranuar se gratë po viktimizoheshin.[5] Kjo ishte një nga organizatat e para joqeveritare në Kosovë që adresonte në mënyrë të drejtpërdrejtë çështjet e dhunës ndaj grave dhe të drejtave të fëmijëve, në një periudhë shumë të vështirë për shoqërinë kosovare, kur Kosova ishte nën regjimin shtypës të Serbisë dhe të drejtat themelore të shqiptarëve ishin të mohuara. Qendra u krijua si reagim ndaj mungesës së theksuar të mekanizmave për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve, veçanërisht në kontekstin e dhunës në familje dhe mungesës së përfaqësimit institucional për viktimat. Kjo qendër nuk ofroi vetëm shërbime mjekësore, por edhe edukim mjekësor, si të bëhet mbrojtja e vetes në rast të helmimit, në rast të sulmeve etj. Kjo qendër ishte organizata e parë joqeveritare në Kosovë.
Gjatë viteve 1994-1995, qendra organizoi 20 punëtori në Kosovë, për të të ngritë vetëdijen për të drejtat e grave. Kjo qendër ishte regjistruar në Bolonja të Italisë, si mënyrë për t’u mbrojtur nga qeveria serbe. Kjo organizatë u aktivizua në shumë fusha; diskutime mbi të drejtat e grave, bënin raportime, prezantime, të gjitha këto për të ngritur një ndërgjegjësim individual dhe kolektiv.[2] Vjosa Dobruna konsiderohet si doktoreshë pioniere në fushën e shëndetit dhe mirëqenies së grave dhe fëmijëve në Kosovë.[6]
Bursë prestigjioze dhe involvime ndërkombëtare
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Vjosa Dobruna fitoi bursën prestigjioze Carr Center for Human Rights Policy në Shkollën e Qeverisjes Kennedy të Universitetit të Harvardit në vitin 2002.[7] Ajo u përzgjodh si një nga pesë personat për të ndjekur një vit intensiv kërkimor dhe për të zhvilluar projekte lidhur me të drejtat e njeriut, veçanërisht për mbrojtjen e grupeve të margjinalizuara, si gratë dhe fëmijët, në kontekstin e pasojave të luftës dhe krizës humanitare në Kosovë. Ky program ofroi mundësinë që Vjosa të bashkëpunonte me ekspertë të fushës dhe të angazhohej në hartimin e politikave ndërkombëtare që preknin drejtpërdrejt të drejtat e njeriut në nivel global. Kjo përvojë e pasuroi formimin e saj intelektual dhe i hapi rrugë më të gjerë në diplomacinë ndërkombëtare dhe përfaqësimin institucional të Kosovës. Ajo mori pjesë në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Gratë, në Pekin. Mori pjesë në një rrjet të organizuar “Our Body Ourselves”, në grupin e të drejtave riprodhuese. Bëri prezentime për popullatën civile, për rrethanat në të cilat ndodheshin, në Itali, Belgjikë, Angli, në Senatin Italian, dhe ne Senatin Amerikan. Si dhe, dha intervista në gazeta amerikane, angleze, izraelite, japoneze, kineze dhe ruse.[2]
Ambasadorja Dobruna flet rrjedhshëm gjuhën shqipe, angleze, kroate dhe serbe, si dhe ka njohuri praktike të gjuhës italiane.[8]
Karriera institucionale dhe diplomatike
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Pas luftës, Dobruna mori role të rëndësishme në ndërtimin institucional të Kosovës. Ajo ishte njëra nga vetëm tre gratë e emëruara në Strukturën e Përbashkët të Përkohshme Administrative të Kosovës (pjesë e misionit të OKB-së në Kosovë). Ajo shërbeu në organizatë si drejtuese kombëtare e Departamentit për Qeverisje Demokratike dhe Shoqëri Civile, e mandatuar për të monitoruar dhe rekomanduar ligje mbi të drejtat e njeriut dhe të pakicave, mundësitë e barabarta, qeverisjen e mirë dhe median. Ajo drejtoi Bordin e RTK-së, stacion publik radioteleviziv në Kosovë.[9]
Në vitin 2012, u emërua Ambasadore e Republikës së Kosovës në Holandë, duke e përfaqësuar vendin në një nga shtetet kryesore evropiane. Gjatë mandatit të saj si ambasadore, Dr. Dobruna ka punuar për forcimin e marrëdhënieve bilaterale midis Kosovës dhe Holandës, duke u fokusuar në bashkëpunimin ekonomik, kulturor dhe në fushën e drejtësisë. Ajo ka përfaqësuar Kosovën në ngjarje të ndryshme diplomatike dhe ka qenë një zë i rëndësishëm në promovimin e interesave të Kosovës në arenën ndërkombëtare.[10]
Çmime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Çmimin Jonathan Mann për Shëndetin Global dhe të Drejtat e Njeriut në Uashington.
- Çmimin Alexander Langer për të Drejtat e Minoriteteve në Bolzano/Bozen, Itali
- Çmimin Edward Barsky për Mjek të Guximshëm në Çikago, ILL, ShBA,
- Gruaja Ndërkombëtare e Vitit, finaliste për vitin 1999 në Valle d'Aosta, Itali, dhe Medalio dell'oro në Bolonja, Itali.[8]
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ↑ "Board and staff". KFOS (në anglisht). Marrë më 2025-05-27.
- 1 2 3 Vjosa Dobruna. Prishtinë, 03.07.2013 dhe 11.07.2013.
- ↑ Jusuf Gërvalla
- ↑ Vjosa Dobruna. Prishtinë, 03.07.2013 dhe 11.07.2013.
- ↑ Interview with Vjosa Dobruna, 19.06.2018.[lidhje e vdekur]
- ↑ International Crisis Group, Who’s Who in Kosovo, 31.08.1999.
- ↑ "Carr Center Welcomes Human Rights Fellows | News | The Harvard Crimson". www.thecrimson.com. Marrë më 2025-05-27.
- 1 2 Ministria e Punëve të Jashtme - Ambasada e Republikës së Kosovës në Hagë. "Biografia - Ministria e Punëve të Jashtme - Ambasada e Republikës së Kosovës në Hagë". Ministria e Punëve të Jashtme - Ambasada e Republikës së Kosovës në Hagë. Arkivuar nga origjinali më 12 shkurt 2018. Marrë më 2025-05-27.
- ↑ gazetteimport (2002-09-26). "Carr Center names its 2002-03 fellows". Harvard Gazette (në anglishte amerikane). Marrë më 2025-05-27.
- ↑ "Ambassador Dr. Vjosa Dobruna celebrates 10th Anniversary Kosovo at Diplomat Club Wassenaar | Diplomat Affairs" (në holandisht). 2023. Marrë më 2025-05-27.