Wikipedia:Faqja kryesore/Artikulli i javës/2014/38
Shega (emri shkencor: Punica Granatum) është një pemë e vogël gjetherënëse, frytet e së cilës kanë një lëng të ëmbël dhe me aromë të veçantë. Lloji më i mirë i shegës është ajo më e lëngshme dhe me ngjyrë të kuqe të fortë dhe me lëkurë të hollë. Rritet deri në 5 m lartësi dhe gjerësi deri në 3 m. Mesdheu paraqet karakteristika klimatike dhe tokësore mjaft të favorshme për kultivimin e shumë bimëve, një pjesë prej të cilave e kanë origjinën pikërisht këtu. Kjo dhuratë, që natyra i ka ofruar banorëve te Mesdheut, është shoqëruar me një kujdes të vazhdueshëm dhe punë të veçantë që këta banorë kanë treguar në kultivimin e bimëve, në mënyrë të veçantë tek pemët frutore. Studimet e ndryshme të arkeologëve dhe zbulimet e bëra prej tyre dëshmojnë për lashtësinë e kultivimit të pemëve frutore. Nëpërmjet një materiali të bollshëm arkeologjik është e mundur të vërtetohet se fillesat e bujqësisë së kultivuar i përkasin periudhës së neolitit dhe ndoshta edhe më parë. Herë pas here, pranë banesave të ilirëve janë zbuluar kopshtet ku të parët tanë kanë kultivuar peme të ndryshme, kanë realizuar punimin e tokës, kanë bërë shartimet, krasitjet dhe përzgjedhjet e para të bimëve. Iliret kanë qënë shumë të përmendur si mjeshtër në kultivimin e bimëve të ndryshme (gjë që del qartë tek “Gjeorgjikat” e Virgjilit, “Iliret dhe Iliria”, etj) ,zeje të cilën ata e përhapën në vendet e Mesdheut si në Romë, Francë, Afrikën Veriore, etj. Nga libri më i lashtë që flet për historinë e njerëzimit – Bibla, na vjen një mësim shumë domethënës : Kur Moisiu u ankua tek Perëndia se vendi ku ai jetonte ishte i vështirë. Perëndia i tha : “Unë të kam vendosur në atë pjesë të botës ku rritet ulliri dhe fiku !”. Pra, me gjithë kapricot që paraqet, ky rajon ofron kushte shumë të mira për rritjen dhe zhvillimin e bimëve të ndryshme, ndër të cilat edhe shega. I ndodhur në pellgun e Mesdheut, me shtrirje që nga bregu i detit deri në lartësinë 2751 m mbi nivelin e detit, ku pjesën më të madhe të territorit e përbëjnë kodrat dhe malet, mikroklima paraqet një larmi mjaft të madhe. Kjo fillon nga bregdeti, me një klime subtropikale, e vazhdon deri në alpet me klimë malore të freskët. Në këtë interval ka një pafundësi mikroklimash që, në kushtet e tipeve te tokës, paraqesin avantazhe dhe mangësi nga më të shumtat për rritjen dhe zhvillim normal të bimëve. Pemët janë një nga ato gjëra që njeriu i ka vlerësuar që në fillimet e veprimtarisë së tij si qenie e shkëputur nga bota e kafshëve. Vlerat e frutave kanë bërë që njerëzit të kujdesen për pemën gjatë gjithë sezonit, dhe kjo të mos ndodhë vetëm në kohën e vjeljes së frutit, për të prodhuar sa më shumë.