Jump to content

Wikipedia:Faqja kryesore/Artikulli i javës/2015/3

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Harmonia Fetare në Shqipëri

Bashkjetesa dhe Harmonia fetare në Shqipëri tregon aktualisht janë të zyrtarizuara disa besime fetare, myslimanët sunitë, bektashinjtë, halvetitë, katolikët, ortodoksët dhe protestanët. Në 2 dekadat e fundit kanë depërtuar dhe korente të reja të besimit në zona të ndryshme të vendit. Nëse sot pranohet që mes komuniteteve fetare ka tolerancë dhe bashkëjetesë, kjo nuk duhet të interpretohet në rrafsh sipërfaqësor thotë për Deutsche Wellen në shqip, prof. dr Zyhdi Dervishi, përgjegjës i Departamentit të Sociologjia në Universitetin e Tiranës. Sipas tij, evidentohet shpesh fakti që në raste festash fetare ka shkëmbime urimi nga besime të ndryshme. Bashkjetesa harmonike fetare e pranishme në Shqipëri sipas historianit Ferit Duka(Profesor Doktor-Përgjegjës i Departamentit të Studimeve Mesjetare dhe Osmane në Qendrën e Studimeve Albanologjike)gjatë shekujve të Mesjetës, u ruajt edhe gjatë përhapjes së islamizmit në hapësirën shqiptare, sepse vazhduan të veprojnë pothuajse të njëjtët faktorë konvergjentë: territori i përbashkët, gjuha, traditat etnokulturore si dhe marrëdhëniet shpirtërore. “Populli shqiptar, ka theksuar Papa Gjon Pali II gjatë vizitës së bërë në Shqipëri, është për t’u marrë si shembull në këtë pikëpamje. Që të tre komunitetet fetare mbajnë njëj raport respekti reciprok dhe të një bashkëpunimi të njerëzishëm. Duhet mësuar arti i dialogut dhe i të dëgjuarit, qoftë edhe kur kjo duket e pamundur. Uroj që Shqipëria të bëhet përherë e më tepër atdheu i ekumenizmit dhe i dialogut ndërfetar. A ka lëvdatë më të denjë për ju, sesa të tregoheni me gisht nga Europa dhe mbarë bota, si shembull dialogu, mospërdorimi të dhunës dhe mirëkuptimi fetar të ndërsjelltë.Sigurisht që me përhapjen e fesë islame në viset shqiptare gjatë sundimit osman u thellua më tej diversiteti fetar, gjë që potencialisht krijonte kushte për përçarjen dhe shpërbërjen e kombit shqiptar. Mirëpo kjo gjë nuk ndodhi sepse realiteti i ri fetar ishte një mozaik i vendosur mbi një shtrat të fuqishëm, të përforcuar në rrjedhën e historisë nga veprimi i faktorëve të konvergjencës të përmendur më lart.Nga ana tjetër, ashtu si kundër krishterimi (ortodoks apo katolik) edhe islami tek shqiptarët përgjithësisht mbeti nje fe popullore, larg intolerancës dhe fanatizmit doktrinor. Për më tepër, përhapja në viset shqiptare e sekteve të ndryshme islamike krahas islamizmit sunit, e zbuti së tepërmi klimën e marrëdhënieve ndërfetare në trevat shqiptare. Një rol të vecantë në këtë drejtim luajti urdhëri baktashian, i cili, duke qenë i afërt me të dy besimet kryesore,krishterimin dhe islamin, duke predikuar tolarancën dhe mirëkuptimin ndërshqiptar, kontribuoi në frenimin e prirjeve ndarëse në gjirin e popullsisë dhe në fuqizimin e lidhjeve të unitetit mbi baza etnike dhe kombëtare.Të dhënat e dokumentacionit historik janë vërtetimi më i sigurt për ekzistencën e tolerancës dhe të bashkëjetesës pa probleme të shqiptarëve të besimeve të ndryshme. Burimet historike të shek. XVII-XVIII jo rrallë afrojnë të dhëna sipas të cilave vajza të krishtera martoheshin me djem të islamizuar dhe se në kundërshtim me rregullat fetare, ata kërkonin që edhe fëmijët e lindur nga këto martesa të përziera të pagëzoheshin në kishë. Çështja është dhe më e thellë në përmbajtjen e këtij fenomeni, thotë prof. dr Dervishi. “Është një traditë e konsoliduar ndër shekuj që besimtarët myslimanë shkojnë tek vendet e shenjta të krishtera, ose e kundërta, me shpresën për të gjetur shërim për veten e tyre, mbarësi për fëmijet a të afërmit. Kjo do të thotë se ke respekt, ke adhurim të veçantë për një vend të shenjtë të një feje tjetër. Gjithashtu është një traditë ndoshta unike tipike shqiptare fakti që vite më parë, por dhe aktualisht, kur një çifti nuk i jetojnë fëmijët, atëherë fëmijët që ju lindin më pas ju vënë një emër të besimit tjetër nga janë vetë. Përshembull të krishterët i venë emër mysliman, apo myslimanët i venë fëmijës një emër të besimit të krishterë”