Wikipedia:Faqja kryesore/Artikulli i javës/2018/17
Stefë Curani (Shkodër, 5 gusht 1865 - 14 prill 1941) ishte veprimtar i çështjes kombëtare, botues, studjues, sipërmarrës, ministër dhe diplomat shqiptar. Nga Aurel Plasari mbahet bashkë me Ndoc Nikajn si hedhës të themeleve të historiografisë shqiptare me vëllimin T’nnollunat e Sccypniis më 1898[1].Lindi në mesin e një familje qytetare, i biri i Hilë Curanit dhe Sile Kovaçit. I ati kishte filanda mëndafshi në Prizren dhe marrëdhënie tregtare me Venecien dhe rajonin. Vdiq më 1872 duke e lënë djalin e tij të vetëm 7 vjeç. Deri në përfundimin e shkollës fillore dhe të mesme pranë Kolegjit Ksaverian u rrit në mesin e familjes së përbërë nga e ëma Silja, teze Drandja dhe daja Ndoc. Në vijim të një kërkese austriake drejtuar klerit katolik, Arqipeshkvi i Shkodrës mons. Guerini rekomandoi Stefë Curanin për studime të larta në Austri. Në Vienë përfundoi studimet në shkencat ekonomike e n'ato politike-juridike me profil diplomacinë. Fillimisht u punësua në Ministrinë e Jashtme të Perandorisë, në Sektorin e Ballkanit, ku u prit me simpati dhe përkrahje nga shefi i sektorit, baroni hungarez Thalloczy.