Wikipedia:Faqja kryesore/Artikulli i javës/2021/33
Esad Mekuli (Plavë, 17 dhjetor 1916 - Prishtinë, 6 gusht 1993) ka qenë poet dhe përkthyes shqiptar. Ka qenë kryetari i parë i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Elsie e çmonte si atin e poezisë moderne shqiptare në Jugosllavi, dhe ndikimi i tij në Kosovë mbeti i pamatë.
Familja e tij ishte nga Plava dhe ishte i biri i Haxhi Hoxhë Smajl Ademit i fisit Mekuli me prejardhje nga Nokshiqi (sk. Novšiće). Mësimet fillore i mori në Plavë në gjuhën serbe. Shkollimin e mesëm e filloi në Pejë, ku i përfundoi studimet në 1936. Më pas, u regjistrua në Fakultetin e Veterinarisë në Universitetin e Beogradit. Atje ra në kontakt me idetë marksiste dhe më pas mori pjesë në lëvizjen partizane të Luftës së Dytë Botërore. Për veprimtarinë e tij politike u arrestua në 1940, u lirua më pas në prill të 1941 me amnistinë që u dha pas pushtimit të Mbretërisë Jugosllave. Në 1949, themeloi revistën letrare "Jeta e re", kryeredaktor i së cilës ishte deri më 1971. Kreu doktoraturën në Beograd më 1959. Si student përparimtar, ai u burgos në vitin 1940 dhe qëndroi në burgun famëkeq "Gllavinjaqa", prej nga u amnistua më 2 prill të vitit 1941. Pas daljes nga burgu u paraqit vullnetar dhe punoi si veterinar ushtarak në Pejë. Këtu, në vitin 1942 e burgosën për shkak të punës ilegale dhe bashkëpunimit me lëvizjet çlirimtare. Ka qëndruar i burgosur në Kullën e Sheremetit. Pas lirimit, ai u gjend herë në Zagreb, herë në Tiranë, madje edhe në Itali. Esad Mekuli ishte kryetari i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, nismëtar, themelues dhe kryetar i parë i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Ndërroi jetë në Prishtinë më 6 gusht 1993.