Wikipedia:Faqja kryesore/Artikulli i javës/2022/5
Fjala pedagogji rrjedh nga fjala e vjetër e gjuhës greke, παιδαγωγία (paidagōgia) dhe παιδαγωγός (paidagōgos), e cila është një sintezë e fjalëve παῖς (país, dhe παιδός, paidos) "fëmijë" dhe ἄγω (ágō), "udhëheq" apo "drejtoj". Në fjalorin elektronik të gjuhës shqipe fjala "pedagogji" përkufizohet si "shkenca që merret me edukimin dhe arsimimin e fëmijëve e të të rinjve, me metodat që duhen përdorur për këtë qëllim."
Nga fjala pedagogji rrjedh emri pedagog/e, njeriu që merret me punë pedagogjike apo me edukimin e arsimimin e fëmijëve dhe të rinjve, dhe mbiemri pedagogjik/e, që lidhet me pedagogjinë apo me pedagogun.
Në fjalorin elektronik të gjuhës shqipe fjala "pedagog" përkufizohet si "ai që mëson dhe edukon fëmijët e të rinjtë, duke zbatuar parimet dhe metodat e pedagogjisë; specialist për pedagogji; mësues në një shkollë të lartë; titulli i këtij mësuesi. Pedagog i zoti (i aftë). Pedagog i jashtëm pedagog që jep mësim në një shkollë të lartë pa qenë punonjës i përhershëm i kësaj shkolle. Pedagogu i gjuhës shqipe (i filozofisë, i matematikës). Puna e pedagogut."
Giesecke (1981), hulumtimin në arsim dhe edukim ashtu si edhe pedagogjinë, i quan "shkencë aporetike", d.m.th. një ndërdisiplinë ose interdisiplinë (Shih edhe Ndërdisiplinariteti). Ndërkaq në periudha të ndryshme termi "pedagog" ka pasur edhe konotacione negative të lidhura me pedantërin e tepruar e të cilat e kanë zanafillën nga koha e Samuel Pepys (1650).