Jump to content

Wikipedia:Faqja kryesore/Fotografia e ditës/2014/09/8

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Dhimitër Berati


Dhimitër Berati lindur më 15 tetor 1888 në Korçë - Romë 1970 njihet si nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë atdhetar, politikan e publicist shqiptar. Studimet e larta i kreu në Fakultetin e Shkencave Politike Administrative të Universitetit të Bukureshtit dhe pas përfundimit kreu edhe Fakultetin e Drejtësisë. Ndërkohë, ai përfshihet në lëvizjen patriotike për mëvetësinë e atdheut të shqiptarëve të emigruar në Bukuresht dhe në vitin 1904, zgjidhet këshilltar i kryesisë së tyre. Më 1907 kthehet në vendlindje dhe punon si mësues i Shkollës Shqipe të Korçës, së bashku me patriotët Thanas Floqi, Thoma Avrami. Anëtar i klubit patriotik “Dituria” të Korçës që në themelimin e tij më 1908. Më 13 dhjetor 1909 merr pjesë në shfaqjen e dramës “Besa” si sufler. Po këtë vit merr pjesë në Kongresi i Elbasanit, kurse më 1910 në Kongresi i dytë i Manastirit. Nga të parët pjesëmarrës në mbledhjen e hotel “Kontinental”-it në Bukuresht. Zgjidhet delegat i kolonisë shqiptare të Bukureshtit. Ka firmuar aktin historik të shpalljes së pavarësisë, me siglën “D. Beratti”, në emër të kolonisë së Bukureshtit. U emërua “drejtor i përgjithshëm” në gazetën e qeverisë së Vlorës “Përlindja e Shqipëniës” dhe u zgjodh anëtar i pleqësisë. Më 1913 sekretar i delegacionit shqiptar që udhëton në Londër, Paris, Romë. Më 1913 administratori i spitaleve të vendit. Në korrik 1914 emigron në Rumani, ku punoi për krijimin e kishës ortodokse shqiptare të Rumanisë. Berati ishte delegat i shqiptarëve të Bukureshtit në Konferencën e Paqes më 1919. Më 1924 ndodhej në Sofje me detyrën e kryekonsullit. Në periudhën 1926 deri më 1934 punoi si sekretar në Ministrinë e Jashtme. Më 1935 ministër i ekonomisë kombëtare. Një vit më vonë ministër në Romë. U emërua më 3 dhjetor 1941 ministër sekretar shteti i kulturës popullore në qeverinë e Mustafa Merlikës. Anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare në Tiranë. Pas rënies së qeverisë së Rexhep Mitrovicës, u largua nga Shqipëria përgjithmonë, u vendos në Itali, ku u mor me veprimtari të shumta patriotike. Mbretëria rumune më 1932 e dekoroi me medaljen “Grand Officer De La Courron Roumania”. Ka botuar dy vëllime me titull “Shqipëria më 1937”, të cilët shërbejnë në ditët tona si model për shkrimin e historisë së shtetit shqiptar. Dekoruar me urdhrin “Për veprimtari patriotike” të klasit të parë.