Wikipedia:WikiProjekti Studenti&Wikipedia/Gjeopolitika

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search
Merge-arrows.svg
Ndihmoni që kjo pjesë dhe pjesa Gjeopolitika të bashkohen në një artikull të vetëm. {{{2}}}


Vendos përmbajtjen e materialt në vazhdim... Historia e gjeopolitikës dhe historia e Ballkanit janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme me njëra-tjetrën, pasi jo vetëm që historia e Ballkanit ka influencuar mbi zhvillimin e studimeve për gjeopolitikën, por hera-herës vet gjeopolitika ka gjetur në Ballkan terrenin më të mirë për të parë se si teoria kthehet në praktikë. Fuqitë e mëdha evropiane dhe angazhimi i tyre në këtë rajon në shekullin e XIX-XX, përkojnë me ndryshimet e mëdha që i dhanë formë historisë së shteteve ballkanike, nga ku lindën mbretëritë e para nacionaliste ballkanike dhe ku zë fill historia e shumë debateve e luftërave që lidhen me kufijtë, tokën, popullsinë dhe burimet e këtij rajoni. Për sa i përket prejardhjes etimologjike, fjala gjeopolitikë vjen nga greqishtja e vjetër dhe është bashkim i fjalëve “geia” (tokë) dhe “polis” (qytet). Në gjuhën anglosaksone nuk bëhet i qartë dallimi midis termave “gjeopolitikë” dhe “gjeografi politike”. Ndërsa sipas Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe, “…gjeopolitika është një doktrinë që shpjegon zhvillimin politik dhe shoqëror të një vendi me kushtet gjeografike.” Mbi përkufizimin e gjeopolitikës ka mendime të ndryshme. Në kuptimin e përgjithshëm të dijeve dhe njohurive të përftuara bashkëkohore ajo mund të vështrohet si një nëndegë e gjeografisë politike, si një prej disiplinave të politologjisë ose si një dije që bashkon disa fusha si historinë, gjeografinë, shkencat politike, marrëdhëniet ndërkombëtare, diplomacinë etj. Nga pikëpamja etimologjike (gjuhësore) ajo është e njëjtë me gjeografinë politike, por tradicionalisht është parë dhe studiuar si një fushë që lidhet me historinë dhe shkencat politike. Sipas “Fjalorit të Sociologjisë” të Ali Pajazitit, “Gjeopolitika është pikëpamja sipas së cilës ekziston një lidhje e ngushtë mes kushteve gjeografike, mjedisit natyror dhe politikës”. Mendimi gjeopolitik lindi në përfundim të shekullit XIX, kur shumë studiues, mendimtarë, gjeografë dhe politologë, provuan të analizonin, kuptonin e shpjegonin ndryshimet dhe hapësirat shtetërore në botën e “fin de siecle”. Që nga ajo kohë gjeopolitika u vështrua si një disiplinë që merret me aspektet hapësinore dhe gjeografike të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe me problemet e ekspansionit politik të jashtëm. “Shteti jetik – Lebensraum” apo “hapësira jetike” ishin një përcaktim i Haushoferit, që kishte për qëllim vendosjen e vijave margjinale mbi atë se çfarë i duhej për të ekzistuar një shteti apo se kush ishte kufiri minimal për të mbijetuar. Në vitet ’70-80 të shekullit të kaluar, interesi për gjeopolitikën filloi të rritej kudo. Figura të tilla si Yves Lacoste, Paul Claval, Eduard Luttvak apo Henry Kissinger (që gjeopolitikën e quante ndryshe dhe Realpolitik) iu rikthyen studimeve mbi gjeopolitikën, por duke iu qasur asaj sipas këndvështrimeve të reja dhe duke u mbështetur mbi ndryshimet që kishin prekur tashmë botën, si globalizmi, çrregullimet demografike, dalja në pah e fuqive të reja, revolucioni teknologjik e informatikë etj. Kështu mund të thuhet se “gjeopolitika klasike” e lindur në fillimet e shekullit XX mbështetej mbi teza të tilla si determinizmi gjeografik dhe ndikimet kulturore. Ajo u ndikua prej ideve të Maltusit, Darvinit (darvinizmi social), teorive raciste etj. Ajo u përqendrua rreth katër çështjeve kryesore: hapësirës, identitetit, vizionit dhe shtetbërjes. Gjatë kësaj periudhe gjeopolitika pati dhe prirjen që të shndërrohej në një “doktrinë biologjike të shtetit”, sikurse më vonë në një teori “të ndarjes gjeografike të botës”. Për rrjedhojë ajo u kritikua dhe pas Luftës së Dytë Botërore pësoi ndryshime rrënjësore. Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX gjeopolitika erdhi duke u riaftësuar si një dije moderne, që merrej me hulumtimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, ndikimet gjeografike në këto marrëdhënie (p.sh: influencoi fuqishëm mbi evropianizimin e Bashkimit Evropian), politikën e jashtme të shteteve, duke ndërthurur diplomacinë me interesat gjeostrategjike. Në ditët e sotme termi gjeopolitikë përdoret gjerësisht për t’iu referuar fenomeneve të tilla që kanë të bëjnë me diskutimet mbi vijat kufitare ndërkombëtare si dhe ato mes shteteve, strukturën financiare globale si dhe modelet gjeografike të rezultateve zgjedhore, përcaktimin e suksesit të një shteti në arenën ndërkombëtare dhe atë rajonale, marrëdhëniet e një shteti me fqinjët apo më larg, kërcënimet e ndryshme që kanë të bëjnë me ndryshimet globale, ato ambientale si dhe fatkeqësitë natyrore etj. Gjithashtu konceptet e vjetra në lidhje me gjeopolitikën vazhdojnë të jenë ende në përdorim pasi në hapësira apo rajone të ndryshme të botës ka diskutime në lidhje me problemet territoriale apo kufitare, çështjet që kanë të bëjnë me minoritetet, si dhe nacionalizmin e përdorur në rastin e një konflikti. Për shumë vite rajoni i Ballkanit ka qenë i ndarë mes faktit të të ekzistuarit vetëm si pjesë fizike dhe periferike e hartës së Evropës, (pra ‘në Evropë po jo pjesë e saj’) dhe vokacionit të saj për të qenë pjesë integrale e entitetit historik, kulturor, gjeografik të cilit i ka përkitur gjithmonë, por që si pasojë e së shkuarës historike të shënuar nga luftëra, sakrifica, e përpjekje për të mbijetuar, pse jo edhe rrethanave gjeografike, ka përjetuar një realitet të ndryshëm. Ajo që në masën më të madhe i ka dhënë formë Gadishullit të Ballkanit si në rrafshin politik ashtu dhe në atë historik ka qenë tendenca e diplomacisë së vonë evropiane për ta parë këtë rajon si një shtojcë të Kontinentit Evropian. E duke qenë se etimologjikisht fjala “Ballkan” ka ngjallur tek evropianët idenë e një të kaluare të hidhur, e cila në pjesën më të madhe pohohet (prej tyre) se nuk ka qenë atribut evropian, ky term është lënë në harresë dhe sot më së shumti ka filluar të zëri vend emërtimi “Evropë Juglindore”. Kalimi nga një përcaktim tek tjetri nuk tregon vetëm dialektikën terminologjike ose etimologjike, por dhe fundin e një periudhe dhe kalimin tek tjetra. Është e qartë se Evropa kërkon të shikojë sot përtej së shkuarës. Ajo kërkon të ndërtojë një Ballkan të ri, pjesë të kontinentit të vjetër dhe jo si dikur kur ai ishte pjesë e orientit, shkëputur që në kohërat kur Perandoria romake u bë pre e fiseve barbare. Ballkani i sotshëm duhet të jetë në egalite me Evropën. Të lër pas vuajtjet që sollën luftërat etnike dhe fetare si dhe dërrmën e hidhur të politikave me shije bizantine. Të gjitha këto përcaktime që për momentin mbeten vetëm të tilla, pasi janë futur në fjalorin evropian, duhet që të gozhdohen dhe në atë ballkanik, paçka se kjo do të jetë shumë e vështirë. Homo balcanicus në antitezë, nuk është “pjellë” e historive dhe kulturës evropiane, por e ngjizjes së interesave të Fuqive të Mëdha, që njëherë e një kohë e panë këtë gadishull si mall të shkëmbyeshëm mes vetes dhe në fund e quajtën alter ego e Evropës. Në Ballkan, të gjithë janë dakord se zanafilla nuk duhet të jetë e njëjtë me apokalipsin, se kohërat e perandorive dhe luftërave kanë përfunduar dhe se në “rendin evropian” kërkohen standarde. Paradigma se “Fryma e qytetit të bën të lirë”, përkthyer në “Fryma e Evropës të bën qytetar” duhet të kthehet në një ndjenjë uniteti për qytetarët ballkanas, ashtu siç është bërë dhe për ata evropianë, që pavarësisht kombësisë apo shtetësisë, jetojnë të lirë në çdo cep të Bashkimit Evropian. Shtetet ballkanike si dhe homo balcanicus duhet të tregojnë se janë të gatshëm të pranojnë standardet e kërkuara, t’i kodifikojnë ato dhe më pas t’i zbatojnë. Evropa e ka mirëpritur faktin se shtetet ballkanike që dikur ishin në luftë me njeri-tjetrin sot garojnë se kush plotëson më shpejt kriteret dhe kushtet për të qenë anëtar në Bashkimin Evropian. Filozofikisht, mbështetur në epikurianizëm dhe stoicizëm, homo balcanicus duhet të bëhet pjesë e kalimit nga shteti-komb ballkanik drejt unitetit evropian, ashtu siç njëherë e një kohë bën grekët kur kaluan nga jeta brenda polisit në atë të kozmopolit. Ballkanasit e kanë pasur më të lehtë që të jenë pjesë e perandorive të mëdha (edhe pse janë shkëputur me shumë vështirësi prej tyre) sesa e idesë panballkanike. Kjo e fundit jo vetëm që nuk është realizuar asnjëherë por edhe kur është hedhur si alternativë më shumë ka ngjallur pakënaqësi e zemërim se pritshmëri dhe vizion për të ardhmen e Ballkanit. Rilindja e një qytetarie ballkanike nuk duhet bërë brenda kornizave Danub-Egje e as Adriatik-Deti i Zi, por duhet të jetë pjesë e një qytetarie më të zhvilluar e përparuar, siç është ajo evropiane. Përkrahja e kësaj qytetarie jo doemos do të thotë, siç mund të mendojnë skeptikët, se duhen lënë pas dore traditat dhe kultura që mbartin vlera të mëdha ballkanase. Ato njëzëshëm duhet të përshtaten dhe të zënë vend natyrshëm përkrah kulturës evropiane. Gjeopolitika imagjinative në të kaluarën ka nënkuptuar politikën botërore, ku shtetet perms fuqisë së tyre kanë pushtuar shtetet e tjera dhe rajone 'më të prapambetura' dhe kanë vendosur kontrollin e tyre. Gjeopolitika moderne imagjinative është sistem që vizuelizon botën, duke u bazuar në perceptimin për rrënjët e thella historike evropiane si qendër e botës. Është një konstruksion mbi botën, jo një vizion spontan që krijohet thjeshtë duke shikuar botën perms logjikës dhe arsyes. Harta me e vjetër evropiane e gjetur p.sh. përmend vetëm Evropën, Azinë dhe Afrikën e shek. 7-të ( J. Agnew, Geopolitics, 2007)

   Tri epokat e njohura të gjeopolitikës botërore Në kuadër të tri epokave gjeopolitike botërore nga vitet 1800-1980 njihen: gjeopolitika e civilizimeve, gjeopolitika natyrale dhe gjeopolitika

ideologjike. Gjeopolitika e civilizimeve 1815-75 Elementet kryesore të kësaj epoke ishin zotimi ndaj Evropës si civilizim unik, besimi se shquarja evropiane vinte nga historia, sensi se kulturat e tjera mund të kenë qenë fisnike, por kultura evropiane i kishte tejkaluar tanimë, identifikimi me shtetin komb që paraqiste versionin perfekt të diferencave evropiane. Ekonomia politike ndërkombëtare nga 1815-1875 karakterizohej nga Koncerti Evropian, sipas të cilit asnjë shtet 'nuk vendos ligje për shtetet e tjera' në Evropë dhe nga dominimi ekonomik Britanik në pjesën më të madhe të botës. Rendi politik i gjeopolitikës së civilizimeve definohej nga elitat aristokratike dhe borgjeze të Evropës së asaj kohe. Jashtë kësaj hapësire të gjeopolitikës së civilizimeve ekzistonin format politike dekadente apo primitive që duhej më parë pushtuar se sa njohur sipas elitës evropiane të asaj kohe. Si shembull konkret përmendej Perandoria Osmane e asaj kohe. Gjeopolitika natyrale 1875-1945 Një nga elementet më të rëndësishme të gjeopolitikës natyrale ishte dallimi mes njerëzve nga perandoritë dhe atyre të kolonizuar. Ligjet mbi shtetësinë, klasifikimet e kolonive (veçanërisht mes kolonive evropiane dhe të tjerëve), aktivitetet religjioze evropiane dhe ndarjen e lëndëve të ligjërimit në universitete (sociologjia në krahasim me antropologjinë) janë shembuj konkretë. Në SHBA, në vitet 1880, pohimet 'shkencore racore' theksonin racat dhe civilizimet si baza të fatit dhe së ardhmes amerikane. Anglo-saksonët identifikoheshin si ekzemplarë të superioritetit dhe përshtatjes evolutive në krahasim me të tjerët. Në Evropë, hebrenjtë ishin veçanërisht të sulmuar nga racizmi 'shkencor'. Antisemitizmi religjioz ka rrënjë të thella qysh nga Mesjeta në Evropë (referenca e njëjtë si më lartë, f. 96). Specialistët nazistë të gjeopolitikës në vitet 1930 krijuan skema formale, duke kombinuar njerëzit nga perandoritë me ata të kolonizuar në ato që ata quanin 'pan-rajone'. Një tjetër ide e gjeopolitikës natyrale ishte se shtetet kishin kufij natyralë që kishte domethënie që kufijtë administrativ apo historik nuk ishin ata të drejtit, por duhej rirregulluar. Gjeopolitika ideologjike Gjeopolitika moderne imagjinative është ideologjike nëse ideologjia definohet si përmbledhje e ideve, simboleve dhe strategjive për promovim apo ndryshim të rendit social dhe kulturor ose si antropologu Paul Friedrich thoshte 'idetë politike në aksion' (Agnew, Geopolitics, 2007, f. 102). Ideologjia politike dallohet me këto elemente kryesore: një konflikt qendror sistemor-ideologjik mbi organizimet politike-ekonomike, tri bota të zhvillimit, në të cilat SHBA dhe ish- Bashkimi Sovjetik luftonin për dominim në 'botën e tretë' të ish- kolonive dhe të vendeve të painkuadruara, homogjenizimi I hapësirës globale në blloqe 'miqësore' dhe 'armiqësore' dhe në të cilat modelet e kapitalizmit-demokracisë liberale dhe komunizmit në anën tjetër mbizotëronin hapësira të caktuara të globit. Aktualisht gjeopolitika botërore determinohet në masë të madhe nga SHBA-ja si superfuqia e vetme botërore që udhëheq Rendin e Ri Botëror dhe që njihet si lidere dhe promotore e lirive njerëzore, atyre ekonomike dhe procesit të globalizimit, përveç tjerash.