Xhamia e Mazhiqit (Mitrovicë)

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search
Xhamia e Mazhiqit
Xhamia e Mazhiqit, Mazhiq - 3.jpg
Xhamia e Mazhiqit
Lloji Xhami
Vendndodhja Mazhiq, Kosovë
Ndërtuar c. 1549
Arkitekti Maslihuddin Abdul-Gani
Emri zyrtar: Monument
Lloji Nën mbrojtje
Përcaktuar 2012
Nr. i referencës 4

Xhamia e Mazhiqit është një objekt i trashëgimisë kulturore që gjendet në fshatin Mazhiq të komunës së Mitrovicës.[1]

Historiku[redakto | përpunoni burim]

Në rrugën Mitrovicë – Podujevë, në kilomertrin e trembëdhjetë, larg Mitrovicës, në fshatin Mazhiq gjendet Xhamia me Varre e njohur me emrin Xhamia e Trepçës. Xhamia e Trepçës me varrezat, paraqet mbeturinat e qytetit të braktisur dhe të vdekur që nga periudha e pushtimit osman. Sigurisht që nga kjo kohë daton kjo Xhami. Në fillim mund të ketë qenë si mesxhid e më vonë të jetë e shndërruar në xhami. Të dhënat për ngritjen e saj lëvizin në kohë. Sipas shënimeve turke, xhamia është ndërtuar nga Muslihuddin Abdu’l-Gani kah mesi i shek. XVI, sipas hixhrit fundi i vitit 956, (mesi i vitit 1549). Po i njëjti ka financuar ndërtimin e “Dykanxhik Xhamisë”, “Kurshumli Hanin”, “Shengyl Hamamin” dhe sistemin e ujësjellësit në Shkup. Sipas dokumenteve (“Vakfije” – Nr.v. EV. K.K 632 Defter. Fq 494 … 209) në të njejtin vend po i njejti person së bashku me “Mesxhitin” ka ndërtuar edhe hanin i cili mendohet se i ka themelet në afërsi të xhamisë. Sipas Vakfies, fshatarët rreth qytezës së Trepçës merreshin me bujqësi dhe punonin gjatë ditës tokën e tyre. Xhamia ka shërbyer për faljen e namazit të sabahit, akshamit dhe të jacisë. Sot objekti ka humbur funksionin. Në oborrin e xhamisë gjendet një nishan varri me mbishkrimin osman i cili i ka takuar RAMAZAN BIN OSMANIT është shkruar viti 1000 H. (1591–1592) ndërkaq në një nishan tjetër qëndron viti 967 H. (1559).

Përshkrimi[redakto | përpunoni burim]

Struktura është ndërtuar prej murit të përzier (gurë-tulla) nga materiali guror molloz dhe tullave të plota të argjilës së pjekur. Kalimi nga muret në kupolë-kube, bëhet përmes pandatifeve të përpunuara në formë stallagmitesh – mukarnas. Kupola qendrore, ato të hajatit, si dhe elemetet konstruktive këndore – pandatifet janë të realizuara prej tullave të plota të pjekura. Muret e muratuara me gurë mollozë në zonën e brendshme të hapësirës së faljes përfundojnë në formë harkore të realizuara dhe të përfunduara me harqet prej dy rendeve me tulla të plota të pjekura. Objekti është përdhesë drejtëkëndëshe i përëbërë prej hapësirës për lutje – harimit dhe hapësirës hyrëse – hajatit (son – xhematit). Hapësira qendrore e lartë për lutje ishte e mbuluar me një kupolë, ndërsa hajati me dy kupola. Minarja e ndërtuar nga gurët është e vendosur në pjesën perëndimore të xhamisë. Ajo çka e bën interesant këtë objekt të ndërtimit të xhamive të kësaj periudhe është hyrja ekscentrike – jo qendrore. Dritaret në nivelin e parë janë në formë katërkëndëshe me hark prej guri, kurse dritaret e nivelit të dytë dhe ato në nivel të pandantifeve po ashtu janë me hark prej gurit të përpunuar. Sot ky monument i kulturës është në gjendje rrënoje. Muret janë dëmtuar në masë të madhe kurse kupola qendrore është e rrënuar tërësisht. Po ashtu edhe hapësira e hyrjes – hajatit, shtyllat, harqet dhe dy kupolat janë të rrënuara tërësisht, përveç murit perëndimor. Të gjitha elementet dekorative në brendësi të hapësirës mungojnë, përveç mihrabit i cili është në masë të madhe i shkatërruar. Themeli i minares e cila tangjenton ballin perëndimor të hapësirës hyrëse – hajatit, ka arritur deri në ditët tona. Gjatë kohëve, sipas njohurive të gjerëtanishme, xhamia nuk ka pësuar transformime.[2]

Shih edhe[redakto | përpunoni burim]

Galeria[redakto | përpunoni burim]

Referenca[redakto | përpunoni burim]

  1. ^ PËRFSHIRJA E TRASHËGIMISË KULTURORE NË PLANIFIKIM HAPËSINOR, Draft Plani Hapësinor i Kosovës 2010–2020, Trashëgimia Kulturore pa Kufi & Instituti për Planifikim Hapësinor – MMPH, Prishtinë, Shkurt 2011, fq. 22, pdf 5. korrik 2016
  2. ^ Xhamia e Mazhiqit me Varre (Mitrovicë) – Databaza e Trashegimise Kulturore te Kosoves 6. korrik 2016