Xhelil Aliu
Xhelil Aliu, regjisor dhe folës në Radio-Tirana. Ka lindur në vitin 1946 në Kalivaç të Tepelenës, ku mori arsimin fillor dhe shtatëvjeçar. Pasi kreu arsimin e mesëm në Teknikumin e Minierave dhe Gjelologjisë në Përrenjas, punoi disa vjet në Minierat e kromit në Batër e Thekën të Martaneshit.
Më 1968 konkurroi dhe fitoi të drejtën për të vazhduar studimet e larta në degën e dramës të Institutit të Lartë të Arteve (sot Universiteti i Arteve), ku u diplomua si regjisor e aktor dhe, në vijim, mbas studimeve të larta filloi punën si regjisor në Radio-Tirana. Aty e nisi dhe aty do të kontribuonte për 40 vjet rresht, duke përgatitur të gjitha llojet e dramatizimeve. Krahas këtyre, Xhelil Aliu ka përgatitur edhe emisione speciale për jetën dhe veprimtarinë e figurave të shquara të teatrit, kinematografisë, letërsisë, mjekësisë etj., si dhe një numër radioreportazhesh, radiokronikash e programesh të veçanta në Tiranë e në rrethe të ndryshme të Shqipërisë dhe jashtë saj. Xhelil Aliu është një ndër folësit më të njohur të Shqipërisë, zëri i të cilit është fiksuar në mbi 6000 dokumentarë që transmetohen në kanale të ndryshme televizive.
Botime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Këtu flasin të mëdhenjtë (Libri 1) - 2014
- Këtu flasin të mëdhenjtë : intervista e biseda me aktorë e regjisorë të shquar shqiptarë (Libri 2) - 2014
- Radioja që më përfshiu të tërin : mbresa nga puna 40 vjeçare në Radio-Tirana - 2015
- Të mos harrojmë : intervista, biseda, refleksione... - 2015