Zef Lush Marku
Zef Lush Marku (Prizreni, 1885 — Gjakovë, 2 dhjetor 1920) ishte aktivist komunist shqiptar, anëtar i Partisë Komuniste Jugosllave.[1] Një shkollë e mesme në Shkup mban emrin e tij.
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]U lind në prill të vitit 1885 në një familje zejtare të Prizrenit. Shkollën fillore dhe dy vitet e para të shkollës së mesme teologjike i kreu në Prizren në gjuhën serbe. Përkundër vullnetit të tij, për arsye të kushteve ekonomike Zefi u detyrua të ndërpresë shkollimin dhe të angazhohet në punëtorinë zejtare të babait të tij.
Për shkaqe ekonomike, babai i Zefit, Gjergj Marku, emigroi me familjen e tij nga Prizreni në Shkup. Por, pas një kohë, Zefit i vdiq babai dhe atij, si djali më i madh, në moshë relativisht të re, i takoi barra që të kujdeset për mirëqenien materiale të familjes. Në fillim Zefi punonte si krah pune ndër punëdhënësit e ndryshëm privatë, pastaj do të inkuadrohet në mardhënie të rregullt pune në Monopolin e Duhanit në Shkup. Nga viti 1912 Zefi do të kalojë në marrëdhënie të përhershme pune në Bankën Serbo-Franceze në Shkup, fillimisht si korrier dhe pastaj si nëpunës, ku do të punojë edhe pas Luftës së Parë Botërore. Zefi, si punëtor në Monopolin e Duhanit në Shkup, që herët (1909) do të inkuadrohet në lëvizjet politike. Ai do t'i bashkohet grupit sociaI-demokrat (socialist) të Shkupit, duke u përcaktuar kështu për opcionin ideologjik e politik të qendrës së majtë.
Në natën e 2-3 dhjetorit 1920 do të likuidohet në Gjakovë nga ana e organeve policore serbo-kroato-sllovene, i konsideruar si viktima e parë e Terrorit të Bardhë në Mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene.
Shih edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Hronologija radničkog pokreta i SKJ 1919—1979 (në serbo-kroatisht). Vëll. 1. Narodna knjiga; Institut za savremenu istoriju. 1980.