Zumarja

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search

Instrument aerofon, shih fj. “fifizë”. Etm. arabisht “sumara” dhe “zuamara”, asirisht “zamaru” = të këndosh, rrënja në hebraisht “zmr” = të këndosh, t’i biesh një vegle

Ndërtimi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Zumarja është vegël frymore me gjuhëz të njëfishtë. Përbëhet nga tri pjesë: pipëza, trupi dhe briri. Zumarja, si një instrument popullor tradicional, në vendin tonë është dy llojesh: me një tytë ose me dy tyta. Dy tytat (trupi) janë ta barabarta dhe përbëhen nga masuri i kënetës, ose nga kocka e krahut të shapkës ose shqiponjës, nga kallami, si dhe prej alumini ose ndonjë metal tjetër. Përmasat e saj lëvizin nga 13 deri në 20 centimetra gjatësi. Dy tytat janë të ngjitura bashkë me dyll dhe kanë nga një pipëz me nga një gjuhëz, pipëza bëhet me kallama. Në trupin e zumares një-tytëshe hapen 4-6 vrima paralele të cilat prodhojnë një tingull homofonik, ndërsa në rastin e zumares diafonike, në njërin gyp hapen 4-6 vrima dhe në tjetrin hapet vetëm një vrimë. Gypi i dytë shërben për të mbështetur melodinë me iso. Gjithashtu ka edhe zumare trupi i të cilave përbëhet nga dy tyta me nga pesë vrima. Zakonisht ndërtuesit e zumares veprojnë me hamendje në përcaktimin e gjatësisë së trupit dhe largësisë së vrimave nga njëra-tjetra. Ndërsa briri që është pjesa e fundit e zumares, bëhet nga briri i lopës.

Prejardhja[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Disa muzikologë kanë shprehur mendimin se ky instrument e ka djepin në zonën mesdhetare. Sipas të dhënave arkeologjike që shtyhen deri në mijëvjeçarin e tretë para erës sonë pipëza të tilla përdoreshin nga egjiptianët, asirët, kaldenjtë, fenikasit, etj. [1] Studimet organologjike kanë provuar se pinjëza dyshe apo teke është një ndër mjetet kumbore më të hershme e më të përhapura nëpër vendet e ndryshme të Europës, Azisë dhe Afrikës. Po të kthehemi në periudhat e lashta duke shpalosur shtrestëzimet e veglave të kësaj gjinie, arrijmë deri tek picangat dhe mjete të tjera bimore. përsa i përket vendit tonë mund të përmendim një nga dëshmitë një figurinë të lashtë në rrethin e Durrësit [2] e cila paraqet një femër duke i rënë pipëzës dyshe. Në periudhën e mesjetës përdorimi i këtij instrumenti herë duket e herë zhduket. Në vitet 30 të këtij shekulli është zbuluar në një vendbanim ilirësh pranë krahinës së Panonisë një pipëz më dy tyta paralele prej kocke i cili i përket shek. VII – VIII të e.r.) Dëshmitë historike nga mesjeta e vonë, rreth disa nëntipave të këtij instrumenti, [3] si dhe shtretëzimet e traditës sonë të gjallë na bindin për vazhdimësinë e përdorimit të tij nga zonat e fshatrave.

Përdorimi dhe vendodhja[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Zumarja përdoret kryesisht në krahinat veriore si në Lezhë, Pukë, Shkodër, Mirditë, etj., por e gjejme edhe në Jug (si psh. zumaren dyshe). Kjo vegël popullore është më tepër pjesë e traditës së folklorit tonë rural.

Tingëllimi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Tingujt e zumares janë mjaft të fuqishëm dhe depërtues, pak si të ashpër. Timbri therës dhe disi hundor i kësaj vegle ngjan me tingujt e oboes në regjistrin e lartë. Zumarja luhet duke i fryrë vazhdimisht, prandaj kërkohet shumë frymë dhe një teknike e veçantë. Interes të veçantë për etnomuzikologjinë paraqesin teknikat e frymës së mjeshtërve të kësaj vegle: ashtu si fyelltarët e Shqipërisë Veriore edhe instrumentistët e zumares e thithin frymën thellë nëpërmjet hundës, mbushin mirë gjoksin dhe mushkëritë dhe pak nga pak lëshojnë rrymën e ajrit të nevojshëm nëpër tytat e instrumentit duke nxjerrë një tingëllim të pandërprerë.

Ndërtimi i këtij instrumenti nuk i lejon tingujt që të kapërcejnë oktavën e sipërme. Diapazoni i tingujve të zumares në përputhje me parimin themelor që përmendëm, varet nga përmasat e tytës dhe të ghuhëzës: sa më të holla e sa më të shkurtra të jenë këto, aq më i hollë është tingulli. Gjatë lojës në këtë vegël del një shkallë prej gjashtë tingujsh të dyzuar e të patemperuar. Disa nga intervalet e shkallëve të zumares mund të mos jenë tone as gjysëmtone të plota. Por mund të themi që mund të përftohet një shkallë përkatësisht penta, hekza dhe heptakordale, si dhe shkallë të tjera që i përkasin gjinisë tonale. Shpërndarja irracionale e rrymës së frymës në të dyja tytat e zumares nuk lejon të nxirren obertone nga ky instrument.

Meloditë që luhen me zumare janë zakonisht të kufizuara për shkak të diapazonit të vogël që ka kjo vegël. Tradicionalisht ky instrument përdorej veçmas, si instrument individual, ndërsa në kohën tonë përdoret edhe mashkë me isntrumente të tjera. Kryesisht ato janë melodi që shoqërojnë këngët dhe vallet, por mund të jenë edhe thjesht improvizime të lira. Kumbimi i kësaj vegle ka gjithmonë të njëjtën dendësi, pa shtime e pakësime, pa dritëhije midis forës dhe butësisë. Kuptohet që mundësitë shprehëse janë të kufizuara. Repertori i zumares përbëhet nga qelizat e motiveve të tubëzuara në një rrjedhë gjymtyrësh që ndjekin njëra – tjetrën duke u shtjelluar me shkallëzime të vogla pa kapërcime të hovshme. Jonet e saj janë të kufizuara si për shtrirjen e tyre të ngushtë ashtu edhe për gjatësinë e tyre që lëvizin midis dy-tri frazave. Duke i shqyrtuar me kriterin e “mikrosistemeve” këto jone të thjeshta, por të freskëta, shohim që shpesh janë të nyjëzuara në tri fjali me përmasa të barabarta (4+4+4) dhe shtjellohen brenda një pentakordi me gjysëmton midis gradëve II-III. [4]

Kur temat e ndonjë kënge ose valleje të njohur e tejkalon mundësinë shprehëse të zumares, atëherë vija melodike i përshtatet strukturës së instrumentit duke ruajtur skeletin e saj. Krahas temave të këngëve e valleve të njohura, në repertorin e zumares ka edhe kajde me elemente të improvizuara, qe ndryshojnë vazhdimisht gjatë përsëritjeve. Shpesh është vështirë të kuptohet profili i disa kajdeve, të cilat shtjellohen me zbukurime duke kaluar me tinguj të qartë dhe të lidhur nga një ton në tjetrin. Ka edhe pjesë që zhvillohen brenda tetrakordit të shkallës eoliane, me tri gjymtyrë simetrike që përsëriten duke pësuar ndryshime. Gjithashtu ka edhe pjesë të shtjelluara brenda një hekzakordi me gjysëm toni brenda gradëve I-II të modit dorian. [5]


Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ C. Sachs, a) History of musical instruments. fq. 21 b) Feist und Werden des Musikinstrumente, Berlin1929, fq. 113 - 142
  2. ^ Sokoli R. dhe Misso P., “Veglat Muzikore të Popullit Shqiptar”, foto nr. 11
  3. ^ Sibyl Markuse, “Musical Instruments”, New York 1978, fq. 241
  4. ^ Sokoli R., “Veglat Muzikore Popullore Shqiptare”, Tiranë 2008
  5. ^ Sokoli R. dhe Misso P., “Veglat muzikore të popullit shqiptar”, Tiranë 1991

Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Alexandru T., Instrumentele musiale ale popurulie romin, Bukures 1956
Baines A., Musical instruments through the Ages, London 1963
Bücher A., Musikinstrumente im Wandel der Zeiten, Pragë 1979
Diagram-Group, Gli strumenti musicali di ogni epoca e di ogni paese, Milano 1979
Dubois, Cl.M., Les instruments de musique (La musique des origines a nos jours). Paris 1946
Farmer, H.G., Turkish instruments of music in the 17th century, Ylazgor 1937
Gabry G., Ancients instruments de musique, Budapest 1976
Marcuse Sibyle, Musical instruments, Neë York, 1957
Miso P., Funksioni dhe repertori tradicional e bashkëkohor i llahutës “Kultura Popullore” Nr. 2, 1981
Miso P., Ruajtja, përdorimi dhe riaktivizimi i instrumenteve popullore tradicionale. (kumtesë) botuar në: Probleme të zhvillimit të folklorit bashkëkohor. Tiranë 1980
Sachs C., The Rise of Music in the Ancient Nord, New York 1940
Sokoli R., Folklori muzikor shqiptar (organografia), Tiranë 1975
Sokoli R., Gjurmime Folklorike, Tiranë 1981
Sokoli R., Les danses populaires et les instruments musicaux du peuple Albanais, Tiranë 1956