Kryengritja e vitit 1847
Kryengritja shqiptare e 1847 | |||||||
---|---|---|---|---|---|---|---|
| |||||||
Palët pjesëmarrëse | |||||||
Perandoria Osmane | Kryengritësit Shqiptarë | ||||||
Komandantët dhe udhëheqësit | |||||||
Isuf Bej Vrioni † Shahin Bej Kosturi Bej Vrioni † Ismail Pasha (Plagosur) Mehmet Reshid Pasha Hasan Bej † |
Çelo Picari Zenel Gjoleka Hodo Nivica Rrapo Hekali (Rob lufte) |
Kryengritja shqiptare e 1847-ës ishte një kryengritje e shekullit të 19-të në jug të Shqipërisë kundër Tanzimatit osman, reforma të cilat nisën më 1839 dhe po aplikoheshin gradualisht ndër viset shqiptare.
Përgatitësit dhe shtytësit e vërtetë të kryengritjes qenë Mustafa Pasha, Selim Pasha, Mahmut dhe Mehmet Beu nga Vlorajt, Dervish dhe Hasan beu nga Elbasani, Abdyl bej Koka dhe Sulejman agë Kalapodhi nga Delvina, Tahir dhe Halim agë Capari nga Margëllëçi, Çelo Picari dhe Veis Vasjari, Rrapo dhe Hamid agë Hekali, Shaban agë Peshtani, Shaban agë Kujdheli, Harisi dhe Osmani të Tahir agë Abazit, Sulejman Aga, Tafil agë Buzi, Ahmet agë Dino nga Preveza, Alizot aga nga Filati.[1]
Sfondi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Qëllimi kryesor i reformave të Tanzimatit qe për të krijuar një aparat modern e të fortë pushteti lokal. Privilegjet e vjetra u shfuqizuan dhe taksat do të mblidheshin nga zyrtarët osmanë, në vend të bejlerëve vendas shqiptarë.[2]
Pas Kryengritjes së Dervish Carës më 1844, Porta deklaroi aplikimin e reformave të Tanzimatit në Shqipërinë e jugut, shpallje që e bëri më 1846 në një ceremoni të organizuar në Janinë. Sanxhaqet shqiptare u riorganizuan. Por për vite me rradhë vendi ishte ndjenjë e pasoja shkatërruese të ekspeditave ushtarake të Osmanëve. Në sanxhakun e porsaformuar të Beratit, që përfshinte edhe kazatë e Vlorës, Mallakastrë, Skraparit dhe Përmetit, Hysen pashë Vrioni u caktua me detyrën e sanxhakbeut. Forca të mëdha ushtarake, disa prej të cilave ishin të komanduara nga Vrioni, nisën çarmatosjen e popullsisë dhe zhvatjen e taksave. Demir agë Vlonjati, një poet fetar i kohës, tregon se si "më t'u qasur ekspedita turke, të gjithë njerëzit linin shtëpitë e tyre si të ishte murtajë." Zbatimi i dhunshëm i reformave, megjithëse në fillim vetëm në ca krahina, rriti pakënaqësinë e shqiptarëve ndaj sunduesve osmanë dhe u bënë gati për një tjetër kryengritje. Duke ndjerë rrezikun, qeveria osmane, ftoi krerët e Toskërisë në Manastir për t'i bindur që të pranonin Tanzimatin. Njëlloj ndodhi edhe në Janinë ku u mblodhën afro 800 agallarë, kaçakë vendas dhe përfaqësues të qyteteve e institucioneve fetare.[3]
Revolta
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Fshatarët shqiptarë në jug të Shqipërisë reaguan ndaj veprimeve të administratës Osmane dhe në qershor 1847, përfaqësues të tyre u takuan në Mesaplik.[4] Në një memorandum dërguar sulltanit, deklaruan se nuk do t'i përgjigjeshin thirrjes për të shkuar ushtarë, nuk do të paguanin taksat e reja dhe nuk do të pranonin administratën e re.
Kryengritësit formuan një komision dhe Zenel Gjoleka ishte kreu i tij. Kur administrata e re osmane u përpoq që të mblidhte taksat e reja në Kuç, fshatarëtiu kthyen me një kryengritje të hapur në korrikun e vitit 1847. 500 burra të udhëhequra nga Zenel Gjoleka, marshuan drejt Delvinës dhe futën në dorë qytetin. Në një periudhë të shkurtër kohe kryengritjes, të shpërndarë në krejt rrethinat e Vlorës, Çamërisë, Përmetit dhe sidomos në Mallakastër, ku rebelët vendas udhëhiqeshin nga një tjetër prijës i shquar, Rrapo Hekali.[5]
Isuf bej Vrioni me njerëzit e tij i sulmuan kryengritësit në krahinën e Mallakastrës. Forcat osmane u mposhtën, dhe Isuf beu me të vëllanë u zunë rob dhe u ekzekutuan nga kryengritësit. Pas kësaj, Hekali me kryengritësit mallakastriotë sulmuan Beratin, por duke mos pasur artileri, nuk mund të kapnin kalanë. Në të njëjtën kohë, kryengritësit e prirë nga Gjoleka dhe Çelo Picari mposhtën forcat osmane që vinin nga Janina. Njerëzit e Gjolekës sulmuan po ashtu Gjirokastrën dhe mbajtën kalanë nën rrethim. Porta u alarmua prej lajmit dhe një fuqi lehtësuese prej 3000 burrash nën Shahin bej Kosturin u dërgua nga Thesalia kundër kryengritësve në Gjirokastër, por Kosturi dhe forcat osmane u mposhtën nga të Gjolekës. Gjoleka u përpoq po ashtu që të bashkëpunonte me grekët, dhe negocioi me qeverinë greke të Ioannis Kolettis, por me pak sukses.[6] Një ushtri e re osmane prej 5000 burrash u dërgua nga Janina kundër Gjolekës. Me një fuqi prej 1500 burrash Gjoleka t'i mposhte përsëri osmanët në Betejën e Dholanit, më 28 gusht 1847.[7]
Në të njëjtën kohë 15,000 forca osmane nën serasqerin Imrahor Mehmet Emin Pashën, që kish zëvendësuar Darbkhor Reshit Pashën të vdekur më 25 janar 1847,[8] u dërguan nga Manastirit për lehtësimin e rrethimit të Beratit. Në Ohër një fuqi osmane prej 6000 burrash u thirr. Fuqitë osmane goditën forcat e Hekalit në qytetin e Beratit si dhe në të njëjtën kohë garnizoni turk në kështjellën i sulmoi nga prapa forcat shqiptare. Nga Berati ushtria Osmane u përpoq të hynte në zemrën e rebelimit në rrethinën e Kurveleshit, nga shtegu i Kuçit ku forcat e Gjolekës ishin përqendruar. Ata i përballuan edhe njëherë forcat osmane. Në të njëjtën kohë të tjera forca osmane sulmuan Kurveleshin nga Mesapliku dhe një tjetër kolonë osmane zbarkoi në Himarë, duke i rrethuar kështu burrat e Gjolekës, të cilët vazhduan rezistencën. Duke parë rezistencën e vështirë, Mehmed Reshid Pasha shpalli një amnisti dhe i ftoi të gjithë udhëheqësit për ta takuar atë në Zhulat. 85 burra që i besuan fjalës shkuan në vendtakim (mes të cilëve Hodo Nivica dhe krerë të tjerë) dhe u kapën. Pasi rezistenca e organizuar nuk mund të duronte më, forcat shqiptare u organizuan në çeta më të vogla. Forcat osmane hynë në rajonet e kryengritjes dhe mijëra njerëz janë arrestuar dhe deportuar, ndërsa Rrapo Hekali u dërgua në një burg në Manastir, ku ai ishte helmuar në dhjetor 30, 1847. Gjoleka me një grup të vogël luftëtarësh u tërhoqën në Greqi, e cila i dha fund kryengritjes.
Dënimet ndaj krerëve
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Serasqeri urdhëroi të bëheshin shumë arrestime në parinë e jugut, u zunë Rrapo e Hamid Hekali nga Berati, dy djem e dy nipër të Ismail bej Vlorës (gjyshit të Ismail Qemalit), Yvejs Vasjari e tre djem të Tahir Abazit nga Tepelena, Tahir beu nga familja e Kapllan Pashës në Gjirokastër, Abdyl bej Koka, Çelo Picari e Sulo Kallapodhi nga Delvina, Alizot e Ahmet Dino nga Filai, Tahir Çapati nga Margëlliçi. Plot 16 krerë të kryengritjes u internuan në Konjë të Anadollit, të tjerët u falën me një ferman mbretëror më pas[8] me ndërmjetësinë e Ismail Rahmi pashë Tepelenës, që u emërua vali në Janinë në vitin 1264 Hixhri (1858).[1]
Përveç këtyre u zunë rreth 400 shqiptarë[1] edhe nga shtresat e tjera,[8] të cilët u nisën me anë të Manastirit për në Stamboll dhe aty i burgosën në Ipliqhane.[1]
Betejat
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Beteja e Gjirokastrës
- Beteja e Delvinës
- Përplasja ne Kuç
- Beteja e Mallakastrës
- Beteja e Greshicës
- Betejat e Kurveleshit
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ a b c d Vlora, Syrja bej (2013) [1921-1925]. Kujtime, nga fundi i sundimit osman në Luftën e Vlorës. Tiranë: Iceberg. fq. 209. ISBN 978-9928-4140-4-5.
- ^ Vickers, Miranda (1999). The Albanians: a modern history (bot. 3). I.B.Tauris. fq. 25. ISBN 1-86064-541-0.
- ^ Pollo, Stefanaq (1983-01-01). Historia e Shqipërisë: Vitet 30 të shek. XIX-1912. Albania: Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Historisë. fq. 129.
- ^ La Ligue albanaise de Prizren, 1878-1881: discours et exposés tenus à l'occasion de son centenaire Author Zëri i popullit Publisher Académie des sciences de la RPS d'Albanie, Institut d'histoire, 1978 p.68
- ^ The history of Albania: a brief survey Author Kristo Frashëri Publisher s.n., 1964 p.122-123
- ^ Schwandner-Sievers, Stephanie (2002). Albanian Identities: Myth and History. Indiana University Press. fq. 180. ISBN 0-253-34189-2.
- ^ The history of Albania: a brief survey Author Kristo Frashëri Publisher s.n., 1964 p.123
- ^ a b c Thallóczy, Lajos (2004) [1916]. Vëzhgime iliro-shqiptare. Shkodër: Camaj-Pipa. fq. 173–174. ISBN 99927-56-34-9.