Jump to content

Sindikatat dhe ujdia kolektive

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Aa2498)

Një sindikatë është një shoqëri punëtorësh që bën ujdi me punëdhënësit për pagat dhe kushtet e punës. Sindikata mund të përbëhet nga persona të punësuar, ish-të punësuar, të papunësuar, punëtorë profesional, ose studentë. Sindikata mund të konsiderohet një lloj karteli. Ashtu si një kartel edhe sindikata është një grup individësh që punojnë së bashku për të shfaqur fuqinë e tyre të bashkuar të tregut. Punëtorët në një sindikatë veprojnë në grup kur diskutojnë pagat, përfitimet dhe kushtet e punës me punëdhënësin e tyre. Procesi me anë të cilit sindikata dhe firmat bien dakord mbi kushtet e punësimitquhet ujdi kolektive. Kur një sindikatë bën ujdi me një firmë, qëllimi kryesor i saj ka të bëjë me kërkesën për paga më të larta, përfitime më të mira dhe kushte më të mira në punë sesa do të ofronte firma në mungesë të një sindikate. Nëse sindikata dhe firma nuk arrijnë të bien në ujdi, sindikata mund të organizojë një largim të krahut të punës nga firma në formë të grevës. Meqenëse greva redukton prodhimin, shitjen dhe fitimin, një firmë ka mundësi të pranojë të paguajë paga më të larta se sa do të bënte në kushte normale. Sipas studimeve të bëra, rezulton se si pasojë e efektit të sindikatave, punëtorët marrin paga që janë në masë të konsiderueshme më të larta se sa punëtorët që nuk i përkasin sindikatave.

Si funksionon efekti i një sindikate?

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në momentin që një sindikatë e ngre pagën mbi nivelin e ekuilibrit, ajo rrit sasinë e ofruar të punës dhe redukton sasinë e kërkuar të punës, gjë që rezulton në papunësi. Rezultati është i thjeshtë, punëtorët që mbeten të punësuar janë në pozitë më të mirë, por ata që ishin më parë të punësuar dhe tani janë të papunë, por që dikur kanë qenë me një pagë më të lartë, janë në pozitë më të keqe. Pra, ne mund të themi, që sindikatat krijojnë konflikt ndërmjet grupeve të ndryshme të punëtorëve, ndërmjet të brendëshmve që përfitojnë nga pagat e larta të sindikatës dhe të jashtmëve të cilët nuk i fitojnë vendet e punës së sindikatave. Të jashtmit reagojnë ndaj statusit të tyre në dy forma. Disa prej tyre mbeten të papunë dhe presin shansin që të bëhen të brendshëm dhe të fitojnë pagën e lartë të sindikatave. Të tjerët pranojnë vende pune të pasindikuara. Pra, kur sindikatat i rrisin pagat në një pjesë të ekonomisë, oferta e punës rritet në pjesë të tjera te ekonomisë. Kjo rritje e ofertës së punës redukton pagat në industritë e pasindikuara. Me fjalë të tjera, punëtorët në sindikata korrin përfitimin e ujdisë kolektive, ndërsa punëtorët jo në sindikata, bartin një pjesë të kostos. Roli i sindikatave në ekonomi varet pjesërisht nga ligjet që qeverisin organizimin e sindikatës dhe të ujdisë kolektive. Normalisht, marrëveshjet e thjeshta mes anëtarëve të një karteli janë të paligjshme. Në qoftë se firmat që shesin një produkt të përbashkët do të binin dakord të vendosnin një çmim të lartë për këtë produkt, ato përgjithësisht do të konsideroheshin se janë në thyerje të ligjit të konkurrencës dhe shteti do t’i procedonte këto firma në gjykatat civile dhe penale. Në të kundërt, sindikatat janë të përjashtuara nga këto ligje, me besimin se punëtorët kanë nevojë për një fuqi më të madhe të tregut, ndërkohë që ata bien në ujdi me punëdhënësit. Legjislacioni që ndikon mbi fuqinë e tregut të sindikatave është një subjekt i përjetshëm i debatit politik. Anëtarët e parlamentit debatojnë ndonjëherë mbi ligjet e të drejtës për të punuar, të cilat u japin punëtorëve, në një firmë të sindikuar, të drejtën për t’u bashkuar në sindikatë. Në mungesë të këtyre ligjeve, sindikatat mund të këmbëngulin gjatë ujdive kolektive që firmat ta bëjnë anëtarësinë në sindikatë një kërkesë për punësim.

A janë sindikatat të mira apo të këqija për ekonominë?

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ekonomistët janë të ndarë në dy kampe përsa i përket sindikatave.

Kritikët e sindikatave mendojnë se sindikatat janë vetëm një lloj karteli. Kjo nënkupton që kur sindikatat i rrisin pagat përmbi nivelin që zotëron në tregjet konkurruese, ato e reduktojnë sasinë e kërkuar të punës, shkaktojnë papunësi te disa punëtorë dhe reduktojnë pagat në pjesën tjetër të ekonomisë. Si pasojë kemi një shpërndarje joefikase dhe jo të barabartë të punës. Është joefikase sepse pagat e larta të sindikatës reduktojnë punësimin në firmat e sindikuara nën nivelin efikas dhe konkurrues. Është e pabarabartë sepse disa punëtorë përfitojnë në kurriz të punëtorëve të tjerë.

Mbrojtësit e sindikatave debatojnë se sindikatat janë të domosdoshme kundër fuqisë së tregut të firmave që punësojnë punëtorë. Fuqia e tregut është aftësia e firmave për të ushtruar kontroll mbi çmimin e tregut. Prandaj themi që një sindikatë ndihmon në balancimin e fuqisë së tregut të firmave si dhe në mbrojtjen e punëtorëve nga të qenit në mëshirën e pronarëve të firmës. Për shembull, kur një kompani është punëdhënësi dominant në një rajon të caktuar, nëse punëtorët nuk i pranojnë pagat dhe kushtet e punës që ofron firma, ata mund të kenë pak zgjedhje veçse të lëvizin ose të pushojnë së punuari. Gjithashtu, mbrojtësit e sindikatave pohojnë se sindikatat janë të rëndësishme që firmat t’u përgjigjen me efikasitet shqetësimeve të punëtorëve. Si përfundim, nuk ka konsensus ndërmjet ekonomistëve nëse sindikatat janë të mira apo të këqija për ekonominë. Ashtu si shumë institucione, ndikimi i tyre ndoshta është fitimprurës në disa rrethana dhe i kundërt në të tjera.[1][2]

  1. ^ Hyclak, Thomas; Johnes, Geraint; Thornton, Robert (2012). Fundamentals of Labor Economics (në anglisht). USA.{{cite book}}: Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja)
  2. ^ Gregory, Mankiw (1977). Principles of Economics (në anglisht). USA.{{cite book}}: Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja)