Adonisi
Ky artikull nuk citon asnjë burim, prandaj mund të mos jetë i saktë. |
Ky artikull ose seksion duhet të përmirësohet sipas udhëzimeve të Wikipedia-s. |
Kjo faqe është e palidhur nga faqe të tjera. Ndihmoni që faqet e tjera me temë të ngjashme të lidhen me të. (Data: shtator 2012) |
ADONISI (greq. Adonis, lat. Adonis) - i biri i Kinirit, mbretit të Qipros dhe i bijës së tij, Mirrhes.
Askush, si prej njerëzve ashtu edhe prej zotërave, për nga bukuria, nuk ka qenë i barabartë me të. Prandaj në të është dashuruar edhe vetë Afrodita, hyjnesha e bukurisë dhe e dashurisë. Ajo vinte në tokë te Adonisi dhe prej dashurisë ndaj tij filloi të interesohet edhe për gjueti me të cilën është marrë në mënyrë të shastisur, gjë që edhe vetë ajo i ka ndihmuar në gjah të bishave nëpër pyjet e Qipros. Kuptohet se i gjuanin vetëm kafshët e buta, sepse bishët nuk kanë konsiderata ndaj bukurisë të cilën e shkelin me një gjakftohtësi të pandjeshme. Përherë e çortonte që mos të gjuante bisha të egra: mjafton që njeriu të jetë guximtar ndaj frikacakëve, sepse ndaj trimave është rrezik të jesh trim. Edhe vetë burrëria nuk i lejonte Adonisit që t'i përfillte këto këshilla joburrërore. Njëherë Afrodita e la të shkojë në gjah në derra të egjër: bisha e plagosur e sulmoi dhe e mbyti me dhëmbët e mëdhenj të syrit. Po sa ndëgjoi Afrodita për këtë, u pikëllua thellë. E mallkoi fatin i cili ishte më i fortë se zotërat dhe, duke qajtur, u ul në gjunj para Zeusit, zotit suprem. E luti që t'ia kthejë të dashurin e saj, të paktën edhe për një kohë të shkurtër. Zotit suprem iu dhimbs dhe e luti Hadin, zotin e botës nëntokësore, që në pranverë ta lëshojë Adonisin nga mbretëria e errëisirës në tokë. Dhe kështu Adonisi vetëm gjysmë viti qëndronte në botën nëntokësore, ndërsa gjysmën tjetër e kalonte me Afroditën në tokë. Atëherë natyra gëzohet, veshet në gjelbërim dhe lule, sepse Adonisi është kthyer në tokë, ndërsa kur kthehet në botën e hijeve natyrën sërish e kaplon pikëllimi.
Miti për Adonisin dhe Afroditën me mijëra vjet u ofron artistëve material për përpunimet gjithnjë të reja, ndërsa përafërsisht qe njëqind vjet i tërheq shkencëtarët të hulumtojnë origjinën e tij. Emri Adonis në të vërtetë, paraqitet në gjuhët semite që do të thotë "zotëri", ndërsa miti me të njëjtën përmbajtje është zbuluar në burimet fenikase dhe siriase. S'do mend se këto rrënjë janë edhe më të lashta. Për shembull edhe hetitët kanë ditur për mitin mbi zotin e vegjetacionit, i njohur me emrin Telepini, i cili dimërit e ka braktisur tokën në të cilën shuhej jeta deri sa zoti mos të kthehej sërish në pranverë në tokë. Në Babilon ka qenë i përhapur miti i nigjashëm mbi Ishtarin, hyjneshën e dashurisë dhe Tamuzin e bukur i cili në vjeshtë vdiste për t'u ringjallur në pranverë. Fillet e këtij miti mund të gjenden te sumerët, populli më i lashtë historik në botë. Shprehja e ngjashme e vdekjes vjeshtore dhe e ringjalljes pranverore të natyrës nuk u është e panjohur as popujve të cilët, me siguri, nuk kanë pasur kontakte me Mezopotaminë e lashtë, për shembull shqiptarëve, sllavëve, gjermanëve dhe indianëve të Amerikës Veriore. Siç duket, miti mbi Adonisin dhe Afroditën nuk është me origjinë greke, por me siguri është me prejadhje semite. Poetët antikë e kanë transformuar artistikisht. Numrin e madh të tyre e fillon Sapfa nga ujëdhesa Lezbos, poetesha greke (shek. VII. para e.s.) dhe e përfundon Ovidi, poeti romak në vitet e para të e.s. Metamorfozat e Ovidit e kanë njohur edhe Evropen moderne me mitin e Adonisit. I pari prej poetëve që sërish e përpunoi këtë mit ka qenë William Shakespeare (Viliem Shekspiri), në poemën Venera dhe Adonisi.
Njëra prej skulpturave më të bukura antike që e paraqet Adonisin është kopja romake e origjinalit helenistik e shek. III-II. para e.s. dhe që sot ruhet në Muzeun kombëtar të Napolit. Prej veprave skulpturale të kohës se. re, s'do mend, se vëmendjen më të madhe meriton Adonisi i Adriaen de Vriesit i vitit 1624, i plaçkitur gjatë luftës tridhjetëvjeçare nga Praga dhe dërgohet në Suedi (sot gjendet në koleksionin e Drottnigholmit), pastaj Vdekja e Adonisit e Giuseppe Mazzuolit (Gjuzepe Mazuolit) e vitit 1709 (sot gjendet në Ermitazhin e Lenjingradit) dhe ansambli skulptural Venera dhe Adonisi i Luigi Vanvitellit (Luigji Vanvitellit) nga gjysma e shek. XVIII që gjendet në parkun Caserta (Kazerta) në Napoli. Prej skulpturave më të rëndësishme të kohës së re, të cilat e paraqesin Vdekjen e Adonisit duhet përmendur edhe veprën e August Rodinit (Ogyst Rodin) dhe gjendet në Muzeun e Rodinit në Paris. Dy piktura të famshme të Veneres dhe të Adonisit i ka pikturuar Tiziani (Ticiani), njëra e vitit 1554 që sot ruhet në Prado të Madridit, ndërsa tjetra e vitit 1576 dhe gjendet në Galerinë Kombëtare në Londër (National Gallery). Prej pikturave të tjera po i përmendim Venerën dhe Adonisin e Veroneseit (Veronezit), e pikturuar rreth vitit 1570, dhe sot gjendet në Prado të Madridit; pastaj pikturën me të njëtin emër të Pierr Paule Rubensit (Pjetër Pal Rubensit) e vitit 1630-1635, që sot gjendet në Muzeun Metropolitan në New York, mandej Vdekja e Adonisit e Sebastinan del Piomba (Sebastian del Pjomba) përafërsisht e viteve 1510-1520 dhe që sot gjendet në pallatin Ufizzi (Ufici) në Firencë dhe Venerën e Adonisin të Pierre Paule Prudhonit (Pjer Pol Prudon), rreth vitit 1810, dhe sot gjendet në koleksionin e Wallacet (Vallasit) në Londër dhe më në fund pikturën Venera dhe Adonisi të Bartolomej Sprangerit kah fundi i shek. XVI. dhe që gjendet në Galerinë Kombëtare në Pragë.