Jump to content

Ahmet Shkodra

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Sheh Ahmet Shkodra (Shkodër, 16 Mars 1881 - 17 shkurt 1927) ka qenë imam, poet dhe pir (prijës) i tarikatit Rifa'i në Shkodër dhe Shqipëri.

U lind në Shkodër, i biri i Mulla Muhos, ish-myfti i Tuzit, nip i hoxhë Sheh Hasanit. Në vendlindje kreu mësimet fillestare dhe ato të mesme fetare pranë Haxhi Halim Jusuf Kelmendit,[1] kurse studimet e larta në Iran, ku qëndroi shtatë vjet. Kur u kthye në vendlindje, në fillim shërbeu si mësues besimi, në shkollën fillore në Parrucë të Shkodrës. Në vitin 1911, Sheh Ahmet Shkodra u caktua të shërbente si hoxhë, imam, në xhaminë e lagjes Shabanej, kurse në vitin 1916 e themeloi teqen e tij, të Tarikatit Rifa’i.

Jeta dhe aktiviteti

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Për me ushtruar të drejtën për veprimtari në tarikatin Rifa’i, duhet Ixhazetnameja, Hilafetnameja apo vërtetimi-leja, siç duhet edhe tek tarikatet tjera, të cilën Sheh Ahmed Shkodra e mori në Gjakovë, nga shehu i mirënjohur Haxhi Sheh Musaja. Haxhi Sheh Musa (1855-1917) ishte një burrë i ditur, i ndritur, kishte studiuar në Stamboll, prej atyhit nga Sheh Ibrahimit, i Teqesë së Rifai’ive të Stambollit, kishte marrë Hilafetnamenë dhe ishte dërguar misionar në Gjakovë, në vitin 1875, ku ishte pritur me dashamirësi… Në vitin 1882, Haxhi Sheh Musa, me ndihmën e disa ylemave të Gjakovës e të popullit, e ndërtoi një teqe madhështore, e cila është “Asetane” “Nana e Teqeve” e Tarikatit Rifa’i, ku pas Sheh Musës ka shërby i biri, Sheh Ademi (1896-1938), Sheh Daniolli (1911-1981), Sheh Lutfiu dhe tani asht i biri i tij, Haxhi Sheh Masari, kurse vllau i tij, Sheh Hajdari, shërben në Teqen Rifai’i, buzë Valbonës, në Gri, Shqipni. Në fillim, Sheh Ahmet Shkodra në veprimtarinë e tij, për përhapjen e Tarikatit Rifa’i, pati ofendime, sulme, kundërshtime.Por, me kalim kohe, duke i përballuar këto me durim, besim, mençuri, maturi, Tarika Rifa’i filloi të përhapet nga Shkodra, në Veri, Gegni, deri në Gjirokastër, në Jug, në Toskëri.

Në vitin 1926, në ribotimin e librit “Këshilli i Atdheut”, Sheh Ahmed Shkodra informonte lexuesit, nëpërmjet mbulesës së fundit se: “Librat që janë gati për t’u shtyp”. Lista përmban 22 tituj, të cilët janë:

  • 1. Të ramit e të Madhit t’onë në bark të Nanës
  • 2. Të lemit e të Madhit t’onë e madhniet e tij
  • 3. Të njitunit e të Madhit tone në Qiell
  • 4. Zani i Dervishëve
  • 5. Zani i Rifais
  • 6. Istoria e Ehli Bejtit…
  • 7. Këshilli i Dervishit
  • 8. Zani i Alisë
  • 9. Të lemit e Imam Alis
  • 10. Ligjet e Rifaiive
  • 11. Fabrika e Zotit (qoftë livdue)
  • 12. Fabrika e vogël
  • 13. Shekulli i vogël
  • 14. Të lemit e gjithsis me kunorë të Perendis
  • 15. Këshilla të nalta (filozofina fetare)
  • 16. Të lemit e Zojë Fatimes
  • 17. Mrekullinat e plakut t’onë
  • 18. Rregulli i qeveris (hija e Perendis)
  • 19. Madhnija e Naltsija e Ehli Bejtit
  • 20. Barka e Nuhit (lavdi qoftë mbi të)
  • 21. Rruga e drejtë, Kur’ani e Ehli Bejti
  • 22. Këshilli Kombëtar
  1. ^ Bushati, Hamdi (1998). Shkodra dhe motet v. I. Shkodër: Idromeno. fq. 621–622. OCLC 645720493.