Shko te përmbajtja

Akrolisi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Akrolisi
LlojiArkitekture
VendndodhjaLezhë, Shqipëri
Emri zyrtar: Monument i trashëgimisë kulturore
LlojiNën mbrojtje
KriteretI

Akrolisi është një qytet antik ilirik, dhe tani monument i kulturës në jug të Lezhës në atë që njihet Maja e Tyrbes ose Maja e të Shëlbuemit.[1] Përfshin të gjitha gërmadhat e kuotës 408 me një distance prej 20 metrash rreth e perqark mureve. Është në listen e monumenteve të mbrojtura nga shteti me Ligj. Nr. 609, dt. 24.05.1948 (numri i vendimit 586), dhe 23.09.1971 (numri i vendimit 4874).[2]

Përshkrim dhe histori

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Lisi dhe Akrolisi (nga greqishtja Lis i Epërm) shënojnë cakun jugor të njësisë rreth Shkodrës dhe liqenit të saj. Ato gjenden aty ku Mali i Velës bashkohet me lumin Drin, në një terren shkëmbor. Në këtë gjuhë spikasin Mali i Shëlbuemit, kodra e Akrolisit (410m) si dhe ajo e Lisit (172m), 1 km larg njera tjetrës. Kodra e Akrolisit rrëzohet drejt perëndimit me pjerrësi të madhe, ndërkohë që Mali i Shëlbuemit e mbron me nje syprinë kurrizore (300x60m). Në trasenë e mureve dallohen dy faza ndërtimi, nga të cilat e para është e periudhës së hekurit. Muri rrethues, 3.2m i gjerë, përbëhen nga dy këmisha me blloqe prej guri gëlqeror, të thyer në formë paralelopipede, kurse mesi mes dy këmishave të murit është i mbushur me gurë të papërpunuar dhe çakëll.[2]

Binomi i qyteteve të afërt Lis e Akrolis u krijua me nje avantazh evident nga pikëpamje ushtarake, pasi vendosja e tyre e vështirësonte rrethimin nga kundërshtari dhe pasi dy fortifikimet mund të ndihmonin në një rast rrethimi njëri-tjetrin me kundërsulme. Akrolisi, i ndërtuar mbi një kodër të lartë e me shpate të pjerrëta, ishte praktikisht i papushtueshëm. Si i tillë mendohet që Akrolisi është zanafilla e qytetit antik të Lisit. Aty ekzistonte që më parë një vendbanim i fortifikuar prehistorik, zhvillimi i të cilit çoi në lindjen e qytetit të Lisit. Megjithëse Akrolisi e kishte kryer detyrën e tij të zanafillës, ai u rifortifikua në kohën antike për të shërbyer si një akropol i veçuar dhe si post ushtarak. Aq i rëndësishëm ishte ky akropol për qytetin e Lisit saqë Filipi V i Maqedonisë, kur u ndodh me ushtrinë e tij në rrëzë të malit të Shëlbuemit dhe ngriti sytë përpjetë për të parë kështjellën, fillimisht humbi çdo shpresë për ta pushtuar atë (Polyb. VIII, 13,3).[3] Gjithsesi Filipi V arriti t'i pushtonte, si Lisin ashtu dhe Akrolisin në betejen e vitit 212 p.e.r. kundër ilirëve lokalë, duke shfrytezuar aftësitë e tij ushtarake: me zgjuarsi ai fshehu një pjesë të ushtrisë në varosh dhe, kur rojet e Akrolisit dolën të ndiqnin pjesën tjetër të ushtrisë maqedonase, pjesa e fshehur pushtoi lehtësisht Akrolisin, e më pas edhe Lisin.[4]

  1. Hosaflook, David (2012). "Note n. 51". The Siege of Shkodra: Albania's Courageous Stand Against Ottoman Conquest, 1478 (në anglisht). Onufri. fq. 53. ISBN 9789995687779.
  2. 1 2 "Vlerësimi dhe Analiza e Thelluar e Territorit të Bashkisë Lezhë (DRAFT)" (PDF). Bashkia Lezhë. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 23 prill 2016. Marrë më 14 mars 2018.
  3. Gjerak Karaiskaj (1981). Pesë mijë vjet fortifikime në Shqipe. Shtëpia Botuese "8 Nëntori. fq. 39.
  4. Gjerak Karaiskaj (1981). Pesë mijë vjet fortifikime në Shqipe. Shtëpia Botuese "8 Nëntori. fq. 293.