Jump to content

Ali Shashaj

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Ali Shashaj ishte profesor, mësimdhënës dhe studiues elbasanas që nuk reshti së shkruari, së punuari dhe së krijuari deri në fund të jetës së tij.

Aliu kishte natyrë paqësore dhe ishte punëtor dhe i zellshëm në veprimtarinë akademike e shkencore. I ngjiti hap pas hapi shkallët e karrierës së tij profesionale, fillimisht si mësues, më pas si drejtues shkolle, pedagog i jashtëm, pedagog i brendshëm dhe në fund dekan i fakultetit të mësuesisë. Ai ishte këmbëngulës, kurioz, intelektual dhe përgjegjës për të punuar deri në fund të jetës. E filloi shkrimin e veprave të tij me laps dhe me letër për të vazhduar më pas me makinë shkrimi dhe në fund punoi me kompjuter. Vullneti i tij ishte frymëzues për të rimarrë vepra të reja që reflektojnë kontributin dhe modestinë e një pedagogu punëtor sidomos në didaktikën dhe metodikën e gjuhës shqipe, por edhe të teksologjisë dhe psikolinguistikës.

Kontributi përmes veprës së tij të larmishme të çështjeve gjuhësore i atribuon profesorit një rol të rëndësishëm në shkencën e Albanologjisë. Shkrimet e tij, artikuj dhe tekste të ndryshme lidhen me mësimin e gjuhës shqipe në shkollë. Disa nga veprat e tij që tregojnë kontributin e profesorit në fushën e gjuhësisë janë: Metodikë e mësimit të gjuhës shqipe në shkollë.(UT, 1981); Didaktikë e mesimit të leximit e të shkrimit dhe e gjuhës shqipe. (KI-IV). (Elbasan, 1994); Zhvillimi i të folurit në moshë parashkollore. (Onufri, Elbasan, 2000) etj. Në këto vepra gjejmë përpjekje për të krijuar një mendim të përpunuar gjuhësor, psiko-pedagogjik e didaktik në lidhje me arsimin e moshave të ndryshme. Ky mendim vjen si rezultat i gërshetimit të dy treguesve kryesorë:

1-Njohja e traditës e gërshetuar natyrshëm.

2- Mbështetjen dhe përpunimin e qëndrimeve bashkohore teorike.

Profesor Shashaj gjithashtu grumbulloi informacion nga arkivat per gjuhëtarë të tjerë gjë që pasqyrohet më së miri në veprën e tij të titulluar Shkolla Normale e Elbasanit-Bazë e arsimit fillor kombëtar. (Elbasan, 2000).[1]

  1. ^ Basha, Xhaferri, Aurela, Rezarta (2019). Punëtor të shquar të Albanologjisë, Ali Shashaj, didakti një hap para ndryshmit (bot. 1). Elbasan: Shpresa Print. fq. 157. ISBN 978-9928-4559-9-4.{{cite book}}: Mirëmbajtja CS1: Emra të shumëfishtë: lista e autorëve (lidhja)