Alketa Vejsiu
Emri | Alketa |
Mbiemri | Vejsiu |
Lindur më | 19 Janar 1984 |
Lindur në | Tiranë |
Profesioni | Moderatore, Prezantuese, Gazetare, Producente televizive |
Alketa Vejsiu (Lindi më 19 Janar 1984 në Tiranë). Është rritur në një familje artdashëse, ku prindërit e kanë "mëkuar" me dashurinë për artin dhe për të bukurën, duke besuar që gjërat e mira vijnë atëherë kur vendos të ndjekësh ëndrrat dhe pasionin.
Talenti tek ajo ka spikatur që herët në fëmijëri, kur u angazhua në festivalet modeste të fëmijëve. Kur ishte vetëm 10 vjeç, me dëshirën e madhe për artin dhe televizionin u përfshi në disa aktivitete dhe emisione për fëmijë, në të cilat spikati si talent.
Kur në Shqipëri mbërriti epoka e shpërthimit të radiove private, Alketa Vejsiu e gjeti veten ne Top Albania Radio, ku drejtoi programet e para muzikore që sollën revolucion në konceptin e muzikës dhe prezantimit në Shqipëri. E cilësuar si ikona e radiofonisë shqiptare, duke u dalluar gjithmonë për elokuencën dhe të folurën shpejt dhe pa gabime, Alketa Vejsiu është një model që ndiqet edhe sot.
Shumë shpejt u provua se televizioni dhe skena do të ishin "terrenet" e saj të sigurta, aty ku ndër vite do të afirmohej si një nga prezantueset më të spikatura të ekranit shqiptar.
Kthesën më të madhe profesionale, do e "shenjonte" në moshën 17 vjeçare, asokohe kur regjisorja e famshme Vera Grabocka, do i besonte prezantimin e spektaklit "12 ëndrrat e një nate vere", një format i dedikuar ndaj dansit sportiv evropian. Karriera e saj do të njihte vetëm ngjitje, pasi brenda pak kohësh, Alketa Vejsiu provoi se prezantimi dhe televizioni ishin rruga drejt suksesit të sigurt e të konsoliduar falë punës së palodhur, sakrificave dhe mbi të gjitha, dashurisë pa kushte për televizionin.
Edukimi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Krahas punës dhe angazhimit në televizion, Alketa Vejsiu nisi studimet e larta në vitin 2003 duke zgjedhur të profilizojë aftësitë në Fakultetin e Ekonomisë pranë Universitetit të Tiranës, në degën Administrim Biznes. Aftësitë menaxheriale dhe ato të komunikimit bënë që Alketa Vejsiu të orientohej drejt fushës së marketingut dhe biznesit. Me përfundimin e studimeve të larta në vitin 2007, ajo angazhohet në disa kompani të fuqishme të biznesit në vend, si drejtuese projektesh të rëndësishme në fushën e marketingut dhe të komunikimit. Më vonë, kualifikohet në programet e lidershipit në Universitetin e Harvardit.
E etur për njohuri të reja dhe si një "nxënëse" e përjetshme, Alketa Vejsiu vendosi që të ndjekë një nga trajnimet më të kërkuara dhe më prestigjiozet në botë me amerikanin e famshëm Tony Robbins, autorin e shumë librave dhe mentorin e miliona njerëzve në mbarë botën. Trajnimi u zhvillua në vitin 2019-të në Singapor me titull "Unleash the Power Within"! Ndërsa, në janarin e 2020-ës, ajo ndoqi studimet Business Mastery në Palm Beach Florida sërish me Tony Robbins.
Radio
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Që kur ishte fëmijë, në vitin 1992 u angazhua për herë të parë në radio Tirana. Dhe ky ishte vetëm fillimi i një karriere të gjatë në radio dhe televizion, ku siç e cilëson vetë Alketa Vejsiu, radio mbetet ende sot "dashuria e saj e parë".
Radio | Viti | |
1. | Radio Tirana | 1992 |
2. | Radio Kontakt | 1995 |
3. | Top Albania Radio | 1997 |
Angazhimi në muzikë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Pas ndërtimit të karrierës në radio dhe televizion, muzika ishte dhe vazhdon të jetë një tjetër dashuri e madhe për Alketa Vejsiun. Me pjesëmarrjen në disa nga festivalet më të rëndësishme të muzikës në Shqipëri, duke u nderuar me trofe të ndryshëm, ajo shtoi një tjetër rrugë suksesi në jetën e saj. Përpos talentit në muzikë, ajo spikati edhe me performancën dhe lirshmërinë duke dëshmuar se e zotëron skenën dhe dhuron emocione në çdo dalje të saj. Krahas përfshirjes në festivale, Alketa e çoi karrierën muzikore më tej duke sjellë një bashkëpunim dhe një videoklip risi për publikun shqiptar. Pasioni për muzikën vazhdon prej vitesh dhe ajo i rikthehet herë pas herë duke emocionuar publikun me materiale të ndryshme muzikore, por fokusi parësor i saj mbetet karriera në televizion.
Festivali | Kënga | Çmimi | |
1. | Kënga Magjike 2002 | Ekzistoj | |
2. | Kënga Magjike 2003 (ft. Flori Mumajesi) | Merrmë të fundit natë | Best Video |
3. | Mikrofoni i Artë 2003 | S'mund të jemi tre | |
4. | Kënga Magjike 2004 | Po s'më puthe ti | Discography Award |
Alketa Vejsiu si Brand Ambassador
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Ndërkohë që ishte integruar në jetën publike me angazhimin në radio, televizion dhe muzikë, në një periudhë të mirë të karrierës së saj Alketa Vejsiu mori propozimin për të qenë imazh i disa kompanive të rëndësishme në vend. Në harkun kohor të viteve 2005-2006, ajo shfaqet për herë të parë si imazh i pijes energjike Bullit dhe vetëm një vit më pas ajo u bë imazh i fushatës së kompanisë celulare më të madhe në atë kohë, AMC, "Ju sjellim më afër" në krahë të balerinit të njohur Kledi Kadiu. Që prej asaj kohe, imazhi i Alketa Vejsiut është konsoliduar bindshëm dhe figura e saj është bërë akoma edhe më e dashur për fansat dhe admiruesit e shumtë brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Televizion
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Karriera e Alketa Vejsiut nisi në moshën 17 vjeçare me spektaklin "12 ëndrrat e një nate vere". Formatet që pasuan, ishin po kaq të famshme, çka i dhanë pa dyshim Alketa Vejsiut, statusin e prezantueses më të dashur për publikun shqiptar. Prezantimi i "Gjeniut të vogël", më pas dy edicione të "100 Këngët e Shekullit" ju besuan Alketës brenda pak kohësh. Shumë shpejt, Alketa u rikthye në televizion me formatin e suksesshëm nga BBC Worldwide, "Dancing with the stars Albania", në të cilin dëshmoi vlerat e saj artistike.
Për herë të parë si bashkëproducente, publiku e njohu në patentën e Fremantlee Media, "X Factor Albania", i cili u realizua për katër vite me sukses në Shqipëri. Së bashku me regjisoren dhe producenten e famshme Vera Grabocka, Alketa solli në Shqipëri formatin "Dance with me", nga Endemol International. Si producente, skenariste dhe prezantuese e kemi parë në vitin 2016 në "Your Face Sounds Familiar", një tjetër sukses ndërkombëtar nga Endemol.
Emisionet që moderohen nga ajo, sigurojnë audiencën maksimale televizive. Gjithmonë në prime time, me emisione të rëndësishme Alketa Vejsiu ia ka dalë të sjellë në Tv Klan spektakle që suksesshme. “Në kurthin e Piter Pan 1” ishte risi jo vetëm sepse fitoi audiencën absolute, por edhe sepse bëri për vete fëmijë e të rritur.
Meqenëse sezoni i parë i këtij programi i kaloi pritshmëritë e produksionit, Grabocka dhe Vejsiu kanë ndezur motorët për edicionet e ardhshme “Në Kurthin e Piter Pan”. Ajo ka intervistuar ndër vite shumë personazhe të njohur, me peshë, mirëpo prezantuesja e njohur italiane Paola Perego ishte një surprizë në finalen e edicionit të pestë të DWM. Ajo u shpreh me superlativa për Alketën në një intervistë të sajën në emisionin ‘Maurizio Constanzo Show' në “Canale 5". Alketa ka prezantuar edhe aktivitete dhe ngjarje të rëndësishme kulturore të organizuara në vend si spektakli "Dua më shumë Shqipërinë", "Euro Video Grand Prix" apo Netë Gala. E vlerësuar me çmime dhe e renditur në sondazhe publike si një nga gratë shqiptare më me ndikim, përtej profilit dhe rolit publik, ajo ka dëshmuar gjithmonë se është përkrah vajzave dhe grave në solidaritet të plotë me to për kauza të mëdha e të rëndësishme dhe i mbështet gjithmonë ato që duan të ndjekin ëndrrat.
Për herë të parë, Alketa Vejsiu prezantoi edicionin e 57-të të festivalit të fundvitit në RTSH dhe angazhimi i saj në këtë kompeticion artistik i riktheu vëmendjen masive të audiencës dhe publikut që mbushi sallën e Pallatit të Kongreseve për tri netë me radhë. Gjithashtu, ajo është një nga 10 gratë e famshme nga e gjithë bota e përzgjedhur për të prezantuar në natën e tretë të festivalit historik të muzikës "Sanremo"! Alketa do të ngjitet në skenën e teatrit "Ariston" në krahë të Amadeus dhe Georgina Rodriguez, bashkëshortes së yllit të futbollit Cristiano Ronaldo.
Si prezantuese:
Formatet televizive | Viti | |
1. | 12 ëndrrat e një nate vere | 2001 |
2. | Kërkohet një yll | 2002 |
3. | Gjeniu i vogël (14 episode) | 2003 |
4. | 100 Këngët e shekullit (prezantuese+bashkëskenariste) | 2004 |
5. | Miss dhe Mr. Albania | 2004 |
6. | Më shumë dashuri 1 | 2004 |
7. | Më shumë dashuri 2 | 2005 |
8. | Euro Video Grand Prix | 2006 |
9. | Dua më shumë Shqipërinë | 2010 |
10. | Dancing with the stars Albania (prezantuese+skenariste) | 2012 |
Si producente dhe prezantuese:
Formatet televizive | Viti | |
1. | X Factor Albania 1 | Janar 2012 |
2. | X Factor Albania 2 | Tetor 2012 |
3. | X Factor Albania 3 | 2013 |
4. | X Factor Albania 4 | 2014 |
5. | Dance with me Albania 1 | 2014 |
6. | Dance with me Albania 2 | 2015 |
7. | Dance with me Albania 3 | 2016 |
8. | Your Face Sounds Familiar 1 | 2016 |
9. | Dance with me Albania 4 | 2017 |
10. | Your Face Sounds Familiar 2 | 2017 |
11. | Në kurthin e Piter Pan 1 | 2018 |
12. | Dance with me Albania 5 | 2018 |
13. | Në kurthin e Piter Pan 2 | 2019 |
Angazhimi në biznes
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në praverën e vitit 2011, Alketa Vejsiu hodhi themelet e sipërmarrjes së saj në biznes të cilën ajo e quajti "Class by AV". Kompania "Class", fokusohet në ndërtimin dhe organizimin e eventeve, festave, dasmave, e ceremonive të ndryshme, si edhe prodhimin e fustaneve ceremonialë që i shoqërojnë ato. Class by AV ka edhe profilin e komunikimit dhe PR Online për kompani të njohura në vend. Class ka diversifikuar profilin e shërbimeve fotografike në Class Photography dhe atë të imazhit me Class Make Up. Me një objektiv të qartë për të sjellë një frymë të re, elegante, specifike, në industrinë e organizimit të eventeve, sot Class është kthyer në lider të kësaj industrie. Class ka kombinimin e duhur në një industri që harmonizon bashkë kreativitetin dhe sensin e së bukurës.
1. | Class Events& Production | Është kolona vertebrale e gjithë degëzimit të kompanisë Class by AV. Me një filozofi të qartë dhe plot kreativitet, Class Events kuron çdo ditë eventet dhe ngjarjet më të rëndësishme të njerëzve që e zgjedhin dhe e besojnë. Synimi kryesor i Alketa Vejsiut dhe skuadrës së saj, konsiston në realizimin e eventeve përtej kufijve të Shqipërisë. Class Production është një kompani që prodhon dhe dizenjon evente, si edhe produksione të ndryshme për “Entertainment dhe TV”. |
2. | Class Dress | Është gjithashtu një nga sektorët e krijuar që në fillim të ndërtimit të kompanisë. Ekspozimi prej disa vitesh i Alketa Vejsiut në televizion dhe në jetën publike, e ka orientuar atë drejt konsolidimit të një imazhi të kuruar me shije dhe elegancë. Të njëjtën filozofi ajo ka implementuar edhe në Class Dress, me përzgjedhjen e fustaneve nga markat prestigjioze botërore, si edhe që prej vitit 2017 në brandin e saj që mban etiketën e kompanisë, Class Atelier. |
3. | Revista Class | Në vitin 2014, Alketa Vejsiu bashkë me një staf të ngushtë gazetarësh themeloi revistën online www.classlifestyle.com. Në këtë revistë, ka një gamë të gjerë artikujsh nga bota e showbizit, lifestyle, kulinarisë, interior-design, por njëherësh kjo revistë shërben si urë komunikimi dhe si një hapësirë mediatike e dedikuar PR dhe reklamimit të shërbimeve dhe produkteve të ndryshme. Sot, revista Class renditet në 10 portalet online më të lexuara në vend. |
4. | Class Hair & MakeUp Beauty Salon | Me pasionin për estetiken dhe të bukurën, Alketa Vejsiu krijoi një qendër bukurie të dedikuar vajzave dhe grave. |
5. | Class Photography | Si një ndër shërbimet e para të krijuara herët, që kur u themelua Class by AV, sektori i fotografisë është një tjetër profil i rëndësishëm i kësaj kompanie. |
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- "Diell" https://www.youtube.com/watch?v=nObmVeSO9o0[lidhje e vdekur]
- Intervista ne emisionin "Jo Vetem Mode"
- Profili ne IMDB