Arkitektura Maurjane
Arkitektura Maurjane përfshin ndërtimet e realizuara gjatë periudhës së Perandorisë Maurjane (Shekulli IV p.e.s. deri në Shekullin e II p.e.s.), që ishte perandoria e parë që sundoi mbi shumicën e nënkontinentit indian. Përfaqëson një tranzicion të rëndësishëm në artin indian nga përdorimi i drurit në përdorimin e gurit. Shtyllat, stupat dhe tempujt e shpellave janë shembujt më të shquar të artit të përkrahur nga mbretërit Maurjanë, veçanërisht Ashoka.
Sipas Niharranjan Ray, shuma totale e thesarit Mauryan të artit përfshin mbetjet e pallatit mbretëror dhe qytetit të Pataliputras, një tra monolitik në Sarnath, Bodhimandala ose altari që qëndron në katër shtylla në Bodh Gaja, sallonet chaitya të gërmuara në Barabar dhe kodrat Nagarxhuni të Gajas duke përfshirë shpellën Sudama që mban mbishkrime që datojnë në vitin e dymbëdhjetë të mbretërimit të Ashokës, kollonat pa dhe me edikte, skulpturat e kafshëve që kurorëzonin kolonat me relieve kafshësh dhe bimësh që dekorojnë abacinë e kapiteleve dhe gjysmë-frontonin e paraqitjes së një elefanti të gdhendur në një shkëmb në Dhauli.[1]
Ananda Coomaraswamy argumentoi se 'Arti Maurjan' mund të thuhet se përbëhet nga tre faza kryesore. Faza e parë ishte vazhduese e traditës Para-Maurjane, e cila gjendet në disa shembuj të paraqitjes së perëndive vedike (shembujt më domethënës janë relievet e Surjas dhe Indras në shpellat Bhaxha). Faza e dytë përbëhej nga arti oborrtar i Ashokës, i gjetur në mënyrë tipike në kolonat monolitike në të cilat janë shkruar ediktet e tij dhe faza e tretë ishte fillimi i arkitekturës prej tulle dhe guri, si në rastin e stupas origjinale në Sançi, trari i vogël monolitik në Sançi dhe shpella Lomash Rishi në shpellat Barabar, me façatën e saj të zbukuruar, që riprodhon format e strukturave prej druri.[2]
Ndërsa periudha shënoi një tranzicion të dytë të përdorimit të tullës dhe gurit, druri ishte akoma materiali i parapëlqyer. Kautilya në 'Arthashastra' këshillon përdorimin e tullës dhe gurit për jetëgjatësinë e tyre. Megjithatë ai i kushton një seksion të madh masave kundër zjarrit në ndërtesat prej druri duke vënë kështu në dukje popullaritetin e tyre. Megasteni përmend se kryeqyteti Pataliputra ishte i rrethuar nga gardhe masive druri, me frëngji të hapura nëpërmjet të cilave harkëtarët mund të qëllonin. Kishte gjashtëdhjetë e katër porta dhe 570 kulla.[3] Sipas Strabonit, kolonat shkëlqyese të pallatit ishin të zbukuruara me bimë të arta dhe zogj të argjendët. Pallati qëndronte në një park të gjerë të mbushur me pellgje me peshq. Ishte i pajisur me një larmi të madhe pemësh dhe shkurresh dekorative. Gërmimet e kryera nga Spooner dhe Waddell kanë sjellë në dritë mbetjet e ndërtesave të stërmëdha prej druri në Bulandibagh dhe Kumrahar, të dyja pranë Patnas. Mbetjet e një prej ndërtesave, një sallon me 80 kolona në Kumrahar janë me domethënie të veçantë. Nga 80 kolonat prej guri, që dikur qëndronin në platforma druri dhe mbanin një çati prej druri, Spooner ishte i aftë të zbulonte gjithë pjesën e poshtme të të paktën njërës në gjendje pothuaj të përkryer. Është pak a shumë e ngjashme me një kolonë ashokase, e lëmuar, e lustruar dhe e bërë prej guri çunar.[4] Shumë stupa si ato në Sançi, Sarnath dhe me gjasa në Amaravati ishin fillimisht të ndërtuara si ndërtime prej tulle gjatë mbretërimit të Ashokës. Fatkeqësisht ato u rindërtuan shumë herë përgjatë kohës, duke na lënë të dhëna të rralla për strukturën e tyre fillestare.
Kolonat Maurjane ishin të skalitura në dy tipe gurësh. Disa ishin me gurë me njolla të kuqe dhe të bardha nga rajoni i Mathura-s, të tjerat prej guri ranor të lëmuar me ngjyrë të vërdheme zakonisht me njolla të vogla të zeza të nxjerë në Çunar afër Varanasit. Uniformiteti i stilit në kapitelet e kolonave sugjeron se ato ishin të gjitha të skalitura nga artizanë nga i njëjti rajon. Duket se në këtë mënyrë, guri transportohej nga Mathura dhe Çunari në site të ndryshme ku kishin për tu vendosur kolonat dhe aty guri prehej dhe skalitej nga artizanët[5] Atyre u jepej një lustrim karakteristik i skulpturës Mauryane. Këto kolona u ngritën kryesisht në rrafshinat e Gangut. Ato ishin të mbishkruara me ediktet e Ashokës me Dhamma ose drejtësi. Kapiteli me kafshë si një paraqitje e shkëqyer realiste, më të shquarit e të cilëve janë kapitelet luanore të Sarnathit, kapiteli demor i Rampurvas dhe 'kapiteli luanor' i Lauria Nandangarh. Rreth këtyre kapiteleve janë hedhur shumë hamendësime mbi ngjashmërinë e tyre me kapitelet akemenide.
Shiko edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Arkitektura shkëmbore e Indisë
- Arkitektura Indiane
- Shpellat Barabar
- Kolonat e Ashokës
- Arkitektura budiste
- Perandoria Maurjane
- Historia e Indisë
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ V.D. Mahajan (2007) [1960]. Ancient India (në anglisht). Nju Delhi: S.Chand. fq. 348. ISBN 81-219-0887-6.
- ^ Ananda K. Coomaraswamy (1999). Introduction to Indian Art (në anglisht). Nju Delhi: Munshiram Manoharlal. fq. 26. ISBN 81-215-0389-2.
- ^ V.D. Mahajan (2007) [1960]. Ancient India (në anglisht). Nju Delhi: S. Chand. fq. 281. ISBN 81-219-0887-6.
- ^ V.D. Mahajan (2007) [1960]. Ancient India (në anglisht). Nju Delhi: S. Chand. fq. 349. ISBN 81-219-0887-6.
- ^ Romila Thapar (2001). Aśoka and the Decline of the Mauryas (në anglisht). Nju Delhi: Oxford University Press. fq. 267–70. ISBN 0-19-564445-X.
Bibliografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Ananda K. Coomaraswamy (1999). Introduction to Indian Art (në anglisht). Nju Delhi: Munshiram Manoharlal. ISBN 81-215-0389-2.
- V.D. Mahajan (2007) [1960]. Ancient India (në anglisht). Nju Delhi: S. Chand. ISBN 81-219-0887-6.
- Romila Thapar (2001). Aśoka and the Decline of the Mauryas (në anglisht). Nju Delhi: Oxford University Press. ISBN 0-19-564445-X.