Arkitektura shkëmbore e Indisë

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Hyrja e shpellës Lomas Rishi, Shpellat Barabar, shpellat më të vjetra shkëmbore në Indi

Arkitektura shkëmbore indiane është më e larmishme dhe gjendet më me tepri se çdo arkitekturë tjetër shkëmbore në botë.[1] Arkitektura shkëmbore është praktika e krijimit të një strukture duke skalitur ose gërmuar nga shkëmbi natyror. Shkëmbi që nuk është pjesë e strukturës hiqet deri sa mbetet vetëm shkëmbi që përbën elementet arkitekturore të brendësisë së gërmuar. Arkitektura shkëmbore e Indisë është kryesisht me natyrë fetare.[2][3]

Hyrja në shpellën kryesore në Kanheri

Ka më shumë se 1,500 struktura të njohura shkëmbore në Indi. Shumë nga këto struktura kanë vepra arti me rëndësi globale dhe shumica janë zbukurime me gdhendje të mahnitshme në shkëmb. Këto struktura të vjetra përfaqësojnë arritje domethënëse të inxhinierisë strukturore dhe zejtarisë.[4] Në Indi, shpellat shiheshin prej kohësh si vende të shenjta. Shpellat që zgjeroheshin ose që krijoheshin tërësisht nga njeriu konsideroheshin po aq të shenjta sa dhe ato natyrore. Në fakt, faltoria në gjithë strukturat fetare indiane, madje edhe ato që ishin të veçuara, kishin të njëjtën ndjesi shpellore të shenjtërisë, duke qenë të vogla dhe të errëta pa dritë natyrore.[5] Arkitektura më e vjetër shkëmbore gjendet të Shpellat Barabar, në Bihar të ndërtuara rreth shekullit të III p.e.s.. Tempuj të tjerë shpellor gjenden në Dekanin perëndimor, kryesisht faltore dhe manastire budiste, që datojnë nga viti 100 p.e.s. dhe 170 i e.s.. Fillimisht, ato ishin me gjasa të shoqëruara nga strukura druri, që duhet të jenë degraduar përgjatë kohës. Historikisht, tempujt shkëmbor kishin një temë dokoruese si të drurit; artizanët e zotë mësuan të imitojnë indin e drurit, ashpërsinë e sipërfaqes dhe strukturën prej druri. Tempujt më të hershëm shpellor përfshijnë Shpellat Bhaja, Shpellat Karla, Shpellat Bedse, Shpellat Kanheri dhe disa nga Shpellat Ajanta. Reliket e gjetura në këto shpella sugjerojnë një lidhje midis funksionit fetar dhe tregëtar, pasi misionarët budistë shpesh shoqëronin tregëtarët në rrugët ndërkombëtare të tregëtisë përmes Indisë. Disa nga tempujt shpellorë më madhështorë, të ndërtuar nga tregëtarët e pasur, përfshinin kolona, harqe dhe façata të rafinuara gjatë kohës që tregëtia detare midis Perandorisë Romake dhe Azisë jug-lindore pati një bum.[6] Megjithëse tempujt me struktura të veçuara filluan të ndërtoheshin në shek. e V, tempujt shkëmborë të shpellave vazhduan të ndërtoheshin paralelisht. Arkitektura e vonë shkëmbore e shpellave u bë më e sofistikuar si në Shpellat Ellora, duke kulminuar në Tempullin monolitik të Kailasanatharit në Ellora. Megjithëse tempujsh shpellorë vazhduan të ndërtoheshin deri në shek. e XII, arkitektura shkëmbore u bë gati tërësisht strukturore në natyrë, e përbërë nga shkëmbinj të prerë në tulla dhe ndërtuar si ndërtime të pavarura. Kailashi është tempulli i fundit spektakolar i gërmuar në shkëmb.[7] Ka gjithashtu një numër relievesh shkëmbore, skulpturash në reliev të skalitura në faqen e shkëmbit, jashtë shpellave ose siteve të tjera.

Shpellat e hershme[redakto | redakto tekstin burimor]

Shpellat Ajanta në Maharastra, Indi

Shpellat më të hershme të përdorura nga njerëzit ishin shpellat natyrore të përdorura nga banorët vendorë për një larmi qëllimesh, si faltore dhe strehime. Dëshmitë sugjerojnë se shpellat u përdorën dhe modifikuan për herë të parë gjatë Periudhës së Mezolitit (6000 p.e.s.). Shembujt e hershëm[8] përfshinin dekorime të dala shkëmbore me piktura shkëmbore. Strehimet Shkëmbore të Bhimbetka-s, një sit i Trashëgimisë Botërore, gjenden në skaj të Rrafshirës së Dekanit, ku erozioni dramatik ka lënë gurë masivë ranorë të dalë në sipërfaqe. Shumë shpellat dhe grotto-t e zonës kanë ofruar vegla primitive dhe piktura dekorative shkëmbore, pasqyrime të traditës së lashtë të ndërveprimit të njeriut me peizazhin.[9]

Tempujt shpellorë[redakto | redakto tekstin burimor]

Kur mbërritën misionarët budistë, ata u vendosën rreth shpellave për ti përdorur si tempuj dhe banesa, sipas ideve të tyre fetare të asketizmit dhe jetës murgore. Topografia e maleve perëndimorë Ghat, me kodrat e tij majë sheshta prej bazalti, grykat e thella dhe rrëpirat e mprehta, u përshtatën për prirjet e tyre kulturore. Më të hershmet e Shpellave Kanheri u gërmuan në shekullin e I dhe të II p.e.s., pas atyre në Ajanta, të cilat u banuan në mënyrë të vazhdueshme nga murgjit budist nga viti 200 p.e.s. deri në vitin 650 të e.s..[10][11] Pasi ideologjia budiste e inkurajoi përfshirjen në tregëti, manastiret shpesh u bënë ndalesa për tregëtarët dhe ofruan strehim përgjatë rrugëve tregëtare. Si rrjedhojë e rritjes së përkrahjes tregëtare dhe mbretërore, brendësia e shpellave u bë më e rafinuar, me mure të brendshëm të dekoruar me piktura, relieve dhe skalitje të ndërlikuara. Façatave ju shtua pjesa e jashtme ndërsa brendësia u planifikua për përdorime specifike, si manastiret (viharat) dhe sallonet e adhurimit (chaityat). Përgjatë shekujve, shpellat e thjeshta filluan ngjanin me ndërtesa që qëndronin të veçuara, duke patur nevojë të ishin formalisht të dizenjuara dhe duke kërkuar artizanë dhe zejtarë me aftësi të larta për tu realizuar. Këta artizanë nuk i kishin harruar rrënjët e tyre prej druri duke imituar nuancat e një strukture prej druri në punimin e shkëmbit.[12]

Shpellat Bhaja, shek. i II p.e.s., në Maharashtra

Shembuj të hershëm të arkitekturës shkëmbore janë basadi-t shpellorë, tempujt dhe manastiret budistë dhe xhainistë, shumë prej të cilëve me chandrashala. Natyra asketike e këtyre besimeve i nxiste ndjekësit e tyre të jetonin në shpella dhe grotto natyrore në faqet e kodrave, larg prej qyteteve dhe këto u zgjeruan dhe u zbukuruan me kalimin e kohës. Megjithëse shumë tempuj, manastire dhe stupa janë shkatërruar, në të kundërt tempujt shpellorë janë ruajtur shumë mire pasi ata ishin më pak të dukshëm dhe kështu më pak të prekur nga vandalizmi si dhe janë bërë me materiale më rezistente sesa druri dhe muratura. Gjendet rreth 1200 tempuj shpellorë akoma në ekzistencë, shumica e të cilëve janë budistë. Rezidencat e murgjëve quheshin Vihara dhe faltoret e shpellave, të quajtura chaitya, ishin për adhurim të përbashkët.[12] Garbhagriha-t më të hershme shkëmbore, të ngjashme me ndërtesat që qëndrojnë më vete të mëvonshme, kishin një dhomë të brendshme rrethore me kolonat për të krijuar një kalim cirkumambulator (pradakshina) rreth stupa-s dhe një sallon të jashtëm drejtëkëndor për mbledhjen e ndjekësve.

Sallon adhurimi (Chaitya) në Shpellat Ajanta

Shpellat AjantaMaharashtra, një sit i Trashëgimisë Botërore, janë 30 tempuj shkëmborë budistë në shpellë të gërmuar në faqen e dukshme vertikale të një grykë afër një pellgu të furnizuar nga ujëvara që gjendet në kodrat e maleve Sahyadri. Si gjithë vendndodhjet e shpellave budiste, kjo gjendet afër rrugëve kryesore tregëtare dhe u shtri në gjashtë shekuj duke filluar në shek. e II ose I p.e.s.[13] Një periudhë intensive ndërtuese në këtë sit u zhvillua nën mbretin Vakataka Harisena midis viteve 460 dhe 478. Janë gjetur një larmi e shumëllojshme skulpturash dekoruese, kolonash me skalitje të ndërlikuara dhe relieve të skalitura, duke përfshirë korniza dhe kolona të skalitura mjeshtërisht.[14] Artizanë të zotët e punuan shkëmbin duke imituar drurin në ndërtim dhe nuancat dhe skalitjet e ndërlikuara dekoruese, megjithëse elemente të tilla arkitekturore ishin zbukuruese dhe jo funksionale në kuptimin klasik.[12] Më vonë shumë bretër Hindu nga jugu i Indisë patronizuan shumë tempuj shpellorë kushtuar perëndive Hindu. Një shembull i tillë i shquar i arkitekturës së tempujve të shpellave janë Tempujt shpellorë në Badami, në Badami, kryeqyteti i hershëm i Dinastisë Chalukya, i realizuar në shekullin e VI. Janë katër tempuj shpellorë të skalitur nga faqet e rrëpirës, tre Hindu dhe një Xhainist, që përmbajnë elemente arkitekturore të skalitura si kolonat dekoruese dhe kllapat ashtu si dhe skulptura të skalitura mjeshtërisht dhe panele të gdhendura tavani. Në afërsi gjenden shumë faltore të vogla shpelle budiste.[15]

Tempujt shkëmborë monolitikë[redakto | redakto tekstin burimor]

Shpella 16 në Ellora
Tempull monolitik shkëmbor i Pancha Rathave, fundi i shek. të VII

Arkitektët Pallava filluan të skalisnin shkëmbin për të krijuar një kompje monolitike të tempujve strukturorë.[5] Një veçori e vendosjes së tempullit shkëmbor të shpellave deri në kohën e hershme të Dinastisë Pallava është se ata nuk lëvizën më në jug se Aragandanallur-i, me përjashtimin e vetmuar të Tiruchitrapalli-t në bregun jugor të Lumit Kaveri, kufiri tradicional jugor midis veriut dhe jugut. Gjithashtu, faqe të mira graniti për struktura të futura në shkëmb nuk ishin të disponueshme në jug të lumit.[16] Një tempull shkëmbor është gërmuar nga një shkëmb i madh dhe i skalitur duke imituar një tempull druri ose me muraturë me dekorime muri dhe vepra arti. Pancha Rathas është një shembull i arkitekturës monolitike shkëmbore të Indisë që daton nga fundi i shekullit të VII i gjendur në Mamallapuram, një Sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Tempulli 16 i Shpellave Ellora, Temulli Kailasanathar, është i veçantë në atë që u gërmua së lartmi në vend të praktikës së zakonshme të gërmimit në rrëpirën e faqes së kodrës. Tempulli Kailash u krijua nëpërmjet një gërmimi të vetëm masiv së lartmi 30.5 m. në shkëmbin vullkanik prej bazalti. U urdhërua në shek. e VIII nga mbreti Krishna I dhe mori më shumë se 100 vjet për tu përfunduar.[17] Tempulli Kailash, ose shpella 16 siç njihet në Shpellat Ellora gjendet në Maharashtra në rrafshirën e Dekanit, është një tempull i stërmadh monolitik kushtuar zotit Shiva. Në këtë sit janë ndërtuar 34 shpella, por 33 shpellat e tjera, Hindu, budiste dhe xhainiste, u skalitën në faqen e shëmbit të rrafshirës. Efekti i Tempullit Kailash është ai i një tempulli të veçuar të rrethuar nga faltore më të vogla shpelle të skalitura në të njëjtin shkëmb të zi. Tempulli Kailash është skalitur me figura perëndishë nga Puranat Hindu, së bashku me qenie mistike si nimfat qiellore, muzikantë dhe figurat fatsjellëse dhe të pjellorisë.[18] Shpellat Ellora janë gjithashtu një Sit i Trashëgimisë Botërore.[19] Nuk ka një kufi kohor që ndan krijimin e tempujve shkëmborë dhe tempujve të veçuar të ndërtuar me gurë të skalitur pasi u zhvilluan paralelisht. Ndërtimi i strukturave të veçuara filloi në shekullin e V, ndërsa tempujt shkëmborë vazhduan të ndërtoheshin deri në shekullin e XII.

Pamje panoramike e relievit shkëmbor në Mahabalipuram, sit i Trashëgimisë Botërore

Monumentet shkëmbore në Indi[redakto | redakto tekstin burimor]

Shiko edhe[redakto | redakto tekstin burimor]

Referencat[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ History of Architecture - Early civilizations. historyworld.net. Vizituar në 18 dhjetor 2006.
  2. ^ Takeo Kamiya: Introduction to Indian Architecture. indoarch.org. Vizituar në 18 dhjetor 2006.
  3. ^ Ashish Nangia: Indian Rock-cut Architecture. boloji.com. Vizituar në 17 tetor 2009.
  4. ^ 10 most amazing ancient rock cut structures in India. Wondermondo.
  5. ^ a b George Michael: The Hindu Temple; University of Chicago, 1988, Chicago, Illinois; isbn 0-226-53230-5, fq. 69, 82
  6. ^ John Keay: India: A History; Grove Press, 2000, New York, isbn=0-8021-3797-0, fq. 103, 124–127
  7. ^ K.V. Soundara Rajan: Rock-Cut Temple Styles; 1998, Somaily Publications, Mumbai, isbn 81-7039-218-7, fq. 9–10, 23, 160–161
  8. ^ Prehistoric Rock Art. art-and-archaeology.com. Vizituar në 17 tetor 2006.
  9. ^ Rock Shelters of Bhimbetka. Vizituar në 20 dhjetor 2006.
  10. ^ World Heritage Site - Ajanta Caves. Vizituar në 12 prill 2007.
  11. ^ Ajanta Caves. Arkivuar nga Origjinali në 4 prill 2007. Vizituar në 12 prill 2007.
  12. ^ a b c Architecture of the Indian Subcontinent - Classification of Indian Architecture through the Ages. indoart.org. Vizituar në 26 qershor 2007.
  13. ^ Ajanta. Vizituar në 21 dhjetor 2006.
  14. ^ Binda Thapar: Introduction to Indian Architecture; 2004, Periplus Editions, Singapore, isbn 0-7946-0011-5, fq. 36–37, 51
  15. ^ Badami (Western Chalukya). art-and-archaeology.com. Vizituar në 21 dhjetor 2006.
  16. ^ K.V. Soundara Rajan: Rock-Cut Temple Styles; 1998, Somaily Publications, Mumbai, isbn 81-7039-218-7, fq. 9–10, 23
  17. ^ Monuments of India. Vizituar në 21 dhjetor 2006.
  18. ^ Kailash Rock Cut Temple. Arkivuar nga Origjinali në 18 janar 2007. Vizituar në 26 janar 2007.
  19. ^ Ellora UNESCO World Heritage Site. Vizituar në 19 dhjetor 2006.
  20. ^ Ellora Caves. Encyclopædia Britannica. Vizituar në 21 dhjetor 2006.

Bibliografia[redakto | redakto tekstin burimor]

  • V. Dehejia: Early Buddhist Rock Temples; 1972, Thames and Hudson: London; ISBN 0-500-69001-4.
  • James Fergusson: The Rock-Cut Temples of India; 1864, John Murray, London.
  • John Keay: India: A History; Grove Press, 2000, New York, isbn = 0-8021-3797-0.
  • George Michael: The Hindu Temple; University of Chicago, 1988, Chicago, Illinois; isbn 0-226-53230-5.
  • K.V. Soundara Rajan: Rock-Cut Temple Styles; 1998, Somaily Publications, Mumbai, isbn 81-7039-218-7.
  • K.V. Soundara Rajan: Rock-Cut Temple Styles; 1998, Somaily Publications, Mumbai, isbn 81-7039-218-7.
  • Binda Thapar: Introduction to Indian Architecture; 2004, Periplus Editions, Singapore, isbn 0-7946-0011-5.

Lidhje të jashtme[redakto | redakto tekstin burimor]