Grupi i monumenteve në Mahabalipuram
Grupi imonumenteve në Mahabalipuram është një kompleks monumentesh në bregun e Coromandel-it në gjirin e Bengalit, në distriktin Kancheepuram të shtetit indian të Tamil Nadusë, pranë kryeqytetit të këtij të fundit, Chennai. Me afërsisht 40 shenjtore, duke përfshirë relievin më të madh në botë në qiell të hapur, Mahabalipurami u shpall trashëgimi botërore e UNESCO-s në vitin 1984.[1] Këta site të periudhës Pallava përfshijnë: Pança Rathat me Dharmaraxha Rathan, Arxhuna Rathan, Bhima Rathan, Draupadi Rathan, Nakula Sahadeva Rathan dhe Ganesha Rathan; mjaft tempuj shpellorë të Mahabalipuramit duke përfshirë Varaha Mandapan, Krishna Mandapan, Mahishasuramardini Mandapan, Panchapandava Mandapan; tempuj strukturorë duke përfshirë tempullin bregdetar dhe tempullin Olakkannesvara; si dhe Zbritjen e Gangut, një nga relievet më të mëdhenj në botë në qiell të hapur.[1][2] Mahabalipurami është i njohur për madhështinë e tij arkitekturore.
Historia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Mahabalipurami njihet edhe me mjaft emra të tjerë si Mallapuram, Mahamallapuram, Mavalipuram dhe Mahabalipuram; emri i fundit është më i fundit dhe zyrtar për raportet e censusit. Është mbiquajtur "vendi i shtatë pagodave" nga lundruesit evropian që zbarkuan në këtë breg pasi panë shtatë majat ose stupat e tempujve hindu.[3] Mahabalipurami është emërtuar sipas emrit të mbretit Mamalla (që do të thotë luftëtar i madh) i njohur edhe si Narasimhavarmani I (rreth viteve 630 – 670), i cili sundoi gjatë shekullit të VII Dinastinë Pallava.[4] Gjithësesi, Mahendravarmani I (600-630 i e.s.), i ati i Mamallas I, është konsideruar gjithashtu nga disa si ndërtuesi i strukturave arkitekturore gjatë mbretërimit të tij. Dokumentet përmendin se siti ishte një port gjatë kohës së Periplusit (shekulli i I i e.s.) dhe Ptolemeut (viti 140 i e.s.). U bë qytet në shekullin e VII nga mbretërit Pallava që sundonin jugun e Madras (tashmë të njohur si Chennai). U bë një qytet i famshëm bregdetar i përdorur për tregëti me shumë mbretëri të vendet të Azisë jug-lindore si Kambuxha (Kamboxhia e sotme) dhe Shrivijaya (ishujt e sotëm të Malajzisë, Sumatra dhe Java) si dhe me perandorinë Champa (të njohur si Annam). Në periudhat pasuese u bë më i famshëm për tempujt e tij shkëmbor dhe shpellat si dhe tempujt strukturorë të ndërtuar midis viteve 630 dhe 728 të e.s..[1][5] Gjatë shekullit të VII aktiviteti i ndërtimit të tempujve shënoi fillimin e arkitekturës shkëmbore në Indinë jugore si pjesë e stilit arkitekturor dravidian. Disa nga monumentet e ndërtuar gjatë kësaj periudhe janë: Pancha Rathat shkëmbore (pesë Rathat) ose karrot, relievet në qiell të hapur të njohura si Zbritja e Gangut, shpella e skalitura shkëmbore si Govardhanadhari, Mahishasuramardini dhe tempulli Jala-Sayana Perumal, të gjitha të atribuara Mamalla-s.[5] Në shekullin e VIII, pas ndërtimit të tempujve monolitikë shkëmborë u bë më pak i rëndësishëm, tempujt strukturorë u bënë popullorë gjatë mbretërimit të një tjetër mbreti Pallava, Rajasimha (700-728 i e.s.). Ky kontribuim në arkitekturën strukturore ishte monumental, pasi ai ndërtoi një nga tempujt më madhështorë të njohur në atë kohë, Tempullin bregdetar. Ky kompleks tempujsh përfshin tre tempuj: Rajasimhesvara-n, një strukturë e drejtuar nga perëndimi që ka një tritala vimana të vogël; Kshatriyasimhesvara-n, një strukturë e drejtuar nga lindja që ka vimanan më të madhe; dhe Nripatisimha Pallava Vishnugriha, një tjetër strukturë e drejtuar nga lindja që ka mandapa me çati të sheshtë në një formë të zgjatur dhe që bart një Vishnu të shtrirë. Dy muret prakara që rrethojnë tempujt në këtë kompleks janë të datuar në një periudhë më të vonë.[5] Dinastia Pallava mbretëroi nga shekulli i IV deri në shekullin e IX kur u mund nga Dinastia Chola në vitin 897. Pas kësaj rëndësia historike e Mahabalipuramit u zvogëlua dhe për disa kohë u njohë vetëm si një port dhe më vonë për tu braktisur fare. Arkeologët e artit të lashtë i rizbuluan monumentet në shekullin e XIX. Në shekullin e XX u bënë një tërheqje madhore turistike dhe në vitin 1984 u shpallën pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, nën kategorinë e kritereve i, ii, iii dhe iv.[1][2] Menjëherë para se cunami i vitit 2004 të godiste Oqeanin indian, duke përfshirë edhe gjirin e Bengalit, uji i oqeanit u tërhoq afërsisht 500 metra nga bregu i Mahabalipuramit. Turistët dhe banorët që e panë këtë ngjarje nga bregu përmendin një rresht të gjatë shkëmbinjsh të dilnin nga uji. Pasi cunami goditi bregun, këta shkëmbinj u mbuluan përsëri nga uji. Megjithatë, shekuj të tërë sedimentesh që i mbulonin ata u zhdukën. Cunami bëri gjithashtu disa ndryshime të tjera të menjëhershme dhe të përhershme në vijën bregdetare, që la pak statuja më parë të mbuluara dhe struktura të zbuluara në breg.[6]
Një shtrirje e vogël rrugore përballë tempullit Sthalasayana Perumal ka shërbyer si një pikë fundore për shërbimin e autobusave që veprojnë nga Tamil Nadu State Transport Corporation, Villupuram Division, Kancheepuram dhe Metropolitan Transport Corporation, Chennai. Pasagjerët zbresin dhe hipin në këtë pikë ku është ndërtuar një strehë në vitet e fundit me koston e 10 lakh-e të rupisë. Me rritjen e numrit të autobuzëve që qarkullojnë dhe nëpërmjet Mamallapuramit, një hapësirë e konsiderueshme në këtë pikë përdoret për parkimin e autobuzave, që çojnë në një bllokim trafiku gjatë orëve të pikut. Qeveria shtetërore, me rekomandimin nga administrata vendore, propozoi të ndërtohej një terminal i ri autobuzësh në Pooncheri në Rrugën e bregut lindor, një nga fshatrat nën Panchayat-in qytetas të Mamallapuramit dhe i pregatiti një raport të detajtuar të projektit. Por, tregëtarët dhe liderat vendorë politikë e kundërshtuan lëvizjen, duke pohuar se zëvendësimi i vendqëndrimit të autobuzave do të krijonte vështirësi për banorët vendorë pasi do të detyroheshin të ecnin disa km për të arritur destinacionet përkatëse nga terminali i ri. Ndërsa e kundërshtuan lëvizjen për të vendosur një terminal të ri në Pooncheri, demonstruesit sugjeruan se një depozitë përballë rreth-rrotullimit të Karukathammanit në periferi të qytetit të Mamallapuramit mund të mbushet me dhe vendqëndrimi i autobuzave të vendoset aty. Ndërkohë, shqyrtimet treguan se zona e sugjeruar nga tregëtarët dhe politikanët vendorë afër rreth-rrotullimit të Karukathammanit ishte zgjedhur për ndërtimin e një vendqëndrimi autobuzash gjatë fillimit të viteve 1990.
Arkitektura
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Monumentet unikë në Mahabalipuram paraqesin një shkrirje fetare, kulturore dhe legjendash të gjitha të lidhura me panteonin hindu.[7] Të gjithë këta monumente të gjendur në brigjet e gjirit të Bengalit janë në stilin ekskluziv të arkitekturës dravidiane, duke përthithur artin dhe kulturën e Tamil Nadu-së. Monumentet janë: Mandapa, të quajtura edhe tempuj shpellorë; Ratha, ose karro; relievi shkëmbor në qiell të hapur që paraqet pendimin e Arjuna-s ndaj Shivës për të marr armën Pashupata; dhe tempujt strukturorë.[8] Arkitektura e tempujve të skalitur në shkëmb, veçanërisht rathat, u bënë model për stilin arkitekturor të tempujve të Indisë së jugut në periudhat pasuese.[9] Veçoritë arkitekturore, veçanërisht të skulpturave u adoptuan gjerësisht në Indinë e jugut dhe në ndërtimin e tempujve në Kamboxhia, Annam dhe Java.[1] Pasardhësit e skulptorëve të këtyre tempujve janë artizanë aktivë dhe të përfshirë në kulturën bashkëkohore të qytetit të Mahabalipuramit.[7]
Monumente të shquara
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Tempujt Ratha
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Pança Rathat janë tempuj të skalitur në formën e karrove. Këto janë pesë struktura monolitike të skaltitura shkëmb dioriti ose graniti që shfaqen mbi plazhin ranor dhe duken si karro në një tablo ose procesion.[1] Pesë Rathat, të njohura gjithashtu si Pandava Rathat (Pandavat ishin pesë vëllezër dhe me gruan e tyre të përbashkët Draupadi bëjnë pjesë në eposin indian Mahabharata) të datuara në shekullin e VII gjatë mbretërimit të Dinastisë Pallava përfshijnë Dharmaraxha Rathan, Bhima Rathan, Arxhuna Rathan, Nakula Sahadeva Ratha dhe Draupadi Ratha. Ato janë të skalitura nga një shkëmb i vetëm, por me projekte të ndryshme. Ato nuk u përfunduan plotësisht dhe kështu që në asnjë nga tempujt nuk janë kryer oferta fetare.[5][9] Përveç këtyre pesë rathave është edhe një tjetër ratha që u ndërtua në fund të shekullit të VII e njohur si Ganesha Ratha. Datimi i kësaj rathe është bazuar në një mbishkrjim të emrit Parameshvaravarman I, i cili ishte nipi i Mahamalla-s.[10][11]
Mandapat
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Mandapat ose shpellat e skalitura në shkëmb janë shenjtore ose tempuj të mbuluar me relieve. Periudha më e hershme e përdorimit të shpellave si tempuj haset në periudhat budiste dhe xhainiste kur këto u gërmuan dhe pastaj u skalitën në shkëmb me dalta dhe çekiçë hekuri. Nga njëmbëdhjetë mandapat ose shpellat e para në Mahabalipuram, më të shquarat janë Varaha Mandapa, Krishna Mandapa, Panchapandava Mandapa dhe Mahishasuramardini Mandapa;[1][12] të skalitura dhe të dekoruara me panele në stilin Mamalla gjatë periudhës Pallava në shekullin e VII, ku Tempujt shpellorë Adiranchanda janë datuar në periudhën Mahendraverman të shekullit të VII. Mbetjet e dukshme në shpella tregojnë se ato ishin gjithashtu të suvatuara dhe të pikturuara kur u ndërtuan.[5] Një nga relievet më mbresëlënës të skalitur në muret e shpellave është ai i hyjneshës Durga (një formë e hyjneshës Shakti), që vret Mahishasura-n, demoni me kokë bualli. Ky panel me relieve në shpellën e tempullit Mahsisuramardhini është konsideruar një kryevepër e artit indian.[13] Shumë nga shpellat e periudhës Pallava kanë mbetur të papërfunduara.
Relievet shkëmbore
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Relievet shkëmbore janë skalitur në shkëmbinjtë ose në popla të veçanta guri. Relievi më i famshëm shkëmbor që shihet në Mahablipuram quhet Zbritja e Gangut (gjithashtu i njohur edhe si Pendimi i Arjuna-s ose Pendimi i Bhagiratha-s), që është përmendur edhe si relievi shkëmbor më i madh në botë në qiell të hapur.[1][5] Ky reliev është skalitur në dy popla (gurë gjigantë) të mëdha 27 m të gjatë dhe 9 m të lartë me paraqitje të panumërta lavdëruese nga episodet e mitologjisë hindu.[14] Këto i përkasin fillimit ose mesit të shekullit të VII në popla gjigande graniti dhe konsiderohen nga hindutë si "një nga mrekullitë e artit skulpturor indian".[15]
Tempujt strukturor
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Tempujt strukturorë u ndërtuan po ashtu nga mbretërit Pallava, por gjatë fillimit të shekullit të VIII gjatë mbretërimit të Rajasimha-s (700-728 i e.s.). Gjenden në brigjet e Oqeanit indian dhe kanë pësuar goditjen e valëve të cunamit. Më i famshmi dhe i shquari nga këto forma tempujsh është kompleksi i tempullit bregdetar që ka dy tempuj të vegjël dhe një të madh të rrethuar brenda një muri të përbërë nga dy rreshta me imazhe të Nandit, vahana (mjeti transportues) i Shivës. Tempulli kryesor është i lartë (ngrihet në një lartësi prej 18.3 m mbi një bazë katrore 15.25 m) dhe është një kullë piramidale e shkallëzuar e vendosur në pesë rradhë. Është e dekoruar me mijëra skulptura kushtuar zotit Shiva. Gjendet edhe një tempull i vogël në një oborr të përparëm origjinal të këtij tempulli. Dy tempujt e tjerë në të njëjtin kompleks janë mbrapa këtij tempulli të madh kryesor, përballë njëri tjetrit dhe janë të njohur si Rajasimhesvara ose Nripatisimha Pallava Vishnugriha dhe Kshatriyasimhesvara. Tempulli i dytë i është kushtuar Shivës ndërsa tempulli i parë ka një imazh të lashtë të shtrirë të Anantashayana Vishnu-t të skalitur në shtratin e lumit të afërt.[5][16] Muret e tempullit në krahun e mbrapëm janë të skalitur me panele relievesh që paraqesin Shivën, Parvatin dhe djalin e tyre Murugan (ose Skanda).[15] Mandapa përballë Rajasimheshvara-s shtrihet gjatë bazamentit. I gjithë kompleksi i tempujve është i mbuluar nga një prakara (mur i përbërë) me Nandin.[17] Ashtu si dhe Tempulli i bregdetit është i vendosur pranë detit, i prekur nga stuhitë dhe erërat e mbushura me kripë të detit. Përpjekjet e ndërmarra nga ASI si ndërtimi i groyne-ve, trajtim me mur letre të butë dhe plantancione casurina në linjën e bregut që janë metoda zbutëse.[17]
Konservimi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Pasi u ndërpre për rreth 40 vjet, master plani për zbukurimin e Mahabalipuramit u nis përsëri në vitin 2003. Bashkimi i ministrisë së turizmit dhe kulturës po e financon projektin e quajtur "Integrated Development of Mamallapuram". Zona rreth monumenteve u pastrua si dhe u rrethua, u ndërtuan rrugica, parqe, ashtu si dhe heqja e tregëtarëve ambulant abuzuesit. Gjatë shout “Son et lumiere” (shou i dritave dhe tingujve) monumentet ndriçohen gjatë natës.[18] Ndërsa ASI ka vendosur lëndina dhe rrugica rreth monumenteve, Housing and Urban Development Corporation (HUDCO) ka projektuar parqe në të dy krahët e rrugëve për te Tempulli bregdetar dhe Pesë Rathat, dy monumente të rëndësishme. Ka edhe plane të tjera ambicioze, si ndërtimi i rrugicës nga mbrapa Tempullit bredetar dhe Pesë Rathave si dhe konsermimi i më shumë monumenteve.[18]
Shiko edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Arkitektura shkëmbore e Indisë
- Arkitektura Pallava
- Arkitektura e tempujve hindu
- Shpellat Ellora
- Shpellat Pandavleni
- Lenjadri
- Shpellat Axhanta
- Shpellat Badami
- Shpellat Udajagiri dhe Khandagiri
- Shpellat Elefanta
- Aihole
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ a b c d e f g h "Group of Monuments at Mahabalipuram" (në anglisht). UNESCO.org. Marrë më 23 tetor 2012.
- ^ a b "Advisory body evaluation" (PDF) (në anglisht). UNESCO.org. Marrë më 23 tetor 2012.
- ^ P. V. Jagadisa Ayyar: South Indian Shrines: Illustrated[lidhje e vdekur]; 1982, Asian Educational Services, kontrolluar më 7 shkurt 2013, isbn 978-81-206-0151-2, fq. 157–
- ^ "Pancha Rathas, Mamallapuram" (në anglisht). Archaeological Survey of India. Marrë më 23 tetor 2012.
- ^ a b c d e f g "World Heritage Sites – Mahabalipuram, Group of Monuments Mahabalipuram (1984), Tamil Nadu" (në anglisht). Archaeological Survey of India. Marrë më 23 tetor 2012.
- ^ Maguire, Paddy (27 tetor 2005). "Tsunami Reveals Ancient Temple Sites". BBC News (në anglisht). Marrë më 9 shtator 2006.
- ^ a b Pippa de Bruyn, Keith Bain, David Allardice & Shonar Joshi: Frommer's India[lidhje e vdekur]; 18 shkurt 2010, John Wiley & Sons, 7 shkurt 2013, isbn 978-0-470-64580-2, fq. 333–
- ^ R. Nagaswamy: Mahabalipuram (Mamallapuram); tetor 2010, Oxford University Press India, kontrolluar më 7 shkurt 2013, isbn 978-0-19-807127-3
- ^ a b "The Rathas, monolithic Mamallapuram" (në anglisht). Online Gallery of British Library. Marrë më 23 tetor 2012.[lidhje e vdekur]
- ^ "Ganesha ratha, Mamallapuram" (në anglisht). Online Gallery of British Library. Marrë më 23 tetor 2012.[lidhje e vdekur]
- ^ "Ganesh Temple, monolith Mamallapuram" (në anglisht). Online Gallery of British Library. Marrë më 23 tetor 2012.[lidhje e vdekur]
- ^ George Michell: The Hindu Temple: An Introduction to Its Meaning and Forms; 1977, University of Chicago Press, kontrulluar më 7 shkurt 2013, isbn 978-0-226-53230-1, fq. 81–
- ^ "Durga Temple, Mahishasuramardini Cave Temple, Mamallapuram" (në anglisht). Online Gallery of British Library. Marrë më 23 tetor 2012.[lidhje e vdekur]
- ^ "Animals crowding in to admire Arjuna performing Penance Mamallapuram" (në anglisht). Online Gallery of British Library. Marrë më 23 tetor 2012.[lidhje e vdekur]
- ^ a b "Mamallapuram" (në anglisht). Frontline: India’s national Magazine from the publishers of The Hindu. Marrë më 30 dhjetor 2012.
- ^ "Shore Temple of the Seven Pagodas at Mahabalipuram. Five story pyramid, 60 ft. high" (në anglisht). Great Buildings. Marrë më 23 tetor 2012.
- ^ a b "The Shore Temple stands its ground" (në anglisht). The Hindu. 30 dhjetor 2004. Arkivuar nga origjinali më 30 dhjetor 2004. Marrë më 30 janar 2013.
- ^ a b "A monumental effort" (në anglisht). Front Line India's National Magazine from the publishers of “The Hindu”. 8 nëntor 2003. Arkivuar nga origjinali më 10 prill 2013. Marrë më 23 qershor 2016.
Bibliografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- P. V. Jagadisa Ayyar: South Indian Shrines: Illustrated[lidhje e vdekur]; 1982, Asian Educational Services, kontrolluar më 7 shkurt 2013, isbn 978-81-206-0151-2.
- Pippa de Bruyn, Keith Bain, David Allardice & Shonar Joshi: Frommer's India[lidhje e vdekur]; 18 shkurt 2010, John Wiley & Sons, 7 shkurt 2013, isbn 978-0-470-64580-2.
- George Michell: The Hindu Temple: An Introduction to Its Meaning and Forms; 1977, University of Chicago Press, kontrulluar më 7 shkurt 2013, isbn 978-0-226-53230-1.
- R. Nagaswamy: Mahabalipuram (Mamallapuram); tetor 2010, Oxford University Press India, kontrolluar më 7 shkurt 2013, isbn 978-0-19-807127-3.