Tempujt shpellorë të Mahabalipuramit
Tempujt shpellorë të Mahabalipuramit gjenden në kodrën e qytetit, mbi Bregun Coromandel të Gjirit të Bengalit në distriktin Kanchipuram të shtetit indian të Tamil Nadu-së. Ato quhen edhe mandapa ose shpella të skalitura në shkëmb, dhe janë faltore ose tempuj të mbuluar me relieve. Periudha më e hershme e përdorimit të këtyre shpellave si faltore mund të gjurmohet në periudhat budiste dhe xhainiste. Ato janë gërmuar në faqet e shkëmbit që janë gërmuar dhe pastaj skalitur duke përdorur dalta dhe çekicë hekuri. Nga njëmbëdhjetë mandapat ose shpellat që shihen në Mahabalipuram, më të famshmit janë Varaha Mandapa, Krishna Mandapa, Panchapandava Mandapa dhe Mahishasuramardini Mandapa.[1][2] Ato janë gërmuar dhe dekoruar me panele në stilin Mamalla të periudhës Pallava në shekullin e VII. Ato diferencohen nga tempujt shpellorë Adiranchanda që janë të datuar nga periudha Mahendraverman e shekullit të VIII. Mbetjet që shihen te shpellat tregojnë gjithashtu se ato ishin të suvatuara dhe pikturuara kur u ndërtuan.[3] Një nga panelet skulpturore më mbresëlënëse në baso-reliev, i skalitur në muret e shpellave është ai i hyjneshës Durga (një formë e hyjneshës Shakti) që vret Mahishasura-n, demoni me kokë bualli që ka një bukuri natyrore me sens elegance të lëvizjes dhe që konsiderohet si një kryevepër e artit indian.[4] Shumë shpella të periudhës Pallava kanë mbetur të papërfunduara. Procedura e krijimit të këtyre shpellave përfshiu krijimin e një faqe të lëmuar shkëmbi, pastaj prerja e kolonave te këto faqe të lëmuara në madhësinë e kërkuar dhe pastaj skalitja e basorelieveve në muret e shpellës.[2] Disa nga tempujt shpellorë janë të mbuluar nga mbishkrimi i UNESCO-s ndërsa të tjera jo, siç është Koneri Mantapa, Yali Mantapa dhe Kotikaal Mantapa. Të gjitha shpellat e këtushme kanë projekt të thjeshtë dhe stil elegant arkitekture si dhe nuk kanë hyjni të vendosura në sanctum sanctorum.[5] Është pjesë e Grupit të monumenteve në Mahabalipuram që janë pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s që nga viti 1984.[6]
Etimologjia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në Mahabalipuram ka shumë monumente të skalitura në shkëmb. UNESCO përdor termin "cut-ins" për tiu referuar shpellave të skalitura në shkëmb që janë përdorur si tempuj (lokalisht të quajtura, "mandapa" ose "mantapa"). Ata përdorin termin "cut-outs" për monolitet e skalitur në granit që nuk janë përdorur si tempuj (lokalisht të njohura si "ratha").[7]
Gjeografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Tempujt shpellorë të Mahabalipuramit gjenden në kodrat e qytetit të Mahabalipuramit, në bregun Coromandel të gjirit të Bengalit në Oqeanin indian, pjesë e distriktit Kanchipuram, ata janë afërsisht 58 km nga qyteti i Chennai-t (më parë i quajtur Madras) dhe rreth 32 km nga Chingelpeti.[8]
Historia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Shpellat pasqyrojnë një stil arkitekturor kalimtar të evoluar gjatë sundimit të mbretërve Mahendra Varmani I dhe Rajasimha ose Narasimhavarmani I i njohur si Mamalla dhe ky stil u vazhdua nga djali i tij Parameshvaravarmani I.[9] Kërkimet historike ka konfirmuar se qyteti Mahabipuram u vendos vetëm pasi u emërtua sipas emrit të Mamallas dhe shpellat si dhe rathat janë datuar në këtë periudhë gjatë vitit 650 të e.s..[10] Udhëtari kinez i shekullit të VII, Xuanzang, që qëndroi aty si i ftuar i oborrit në vitin 642 dëshmon se Mahabalipurami ishte një port i banuar dhe i begatë gjatë sundimit të Mamallas treguar për madhështinë e qytetit dhe mbretit të tij. Thirumangai Alvar, një shenjt vaishnava i Tamil Nadu-së e ka regjistruar po ashtu rritjen e pasurisë së qytetit sic tregon për anijet e ngarkuara që eksportonin mallra. Shpellat u gërmuan gjatë kësaj periudhe ngjashëm me shpellat më të hershme por ishin më të sofistikuara në dekorimet e tyre. Tempulli shpellor ose Mandapa Varaha ka kolona me hulli që ndajnë hapjet. Njëlloj stili arkitekturor greko-romak mund të dallohet gjithashtu dhe statujat e ulura thuhet se kanë ngjashmëri me stilet e ulura të para në arkitekturën evropiane, përkundrejt stilit indian të kryqëzimit të këmbëve. Stili i krijuar në këtë mënyrë në Mahabalipuram u bë pararendësi për stilin arkitekturor dravidian.[10] Dianstia Pallava ishte patrone e madhe e arteve.
Planifikimi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Tempujt shpellorë, tempujt monolitikë dhe tempujt strukturorë të dinastisë Pallava janë të ndryshëm. Krahasura me Shpellat Ajanta, ato janë me përmasa më të vogla dhe kanë projekte të thjeshta. Kolonat janë më të zgjatura, shumëfaqëshe dhe ndonjëherë kanë hulli ose janë të rrumbullakta me kapitele në formën e jastëkëve si dhe luanë të ulur në baza. Shpella Adivaraha është e paraprirë nga një depozitë. Një veçori dalluese e stilit Pallava është se balli i shpellave ka, pa përjashtim, kolona të skalitura në mënyrë të rafinuar të vendosura mbi luanë në një pozicion të ulur.[11]
Veçoritë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Ato kanë stili dalluese që nuk mund të krahasohen me skulpturat e periudhës Gupta Indisë veriore. Në këto shpella, skalitjet e fytyrave njerëzore janë në formë ovale me mollëza të theksuara. Trupi duket elegant me gjymtyrë konike. Ato kanë mjaft skena befasuese mitologjike të skalitura në reliev. Vishnu duke shpëtuar tokën, Vishnu duke hedhur tre hapa të mëdhenj dhe Gaja Laksmi si dhe Durga janë të gjitha një shpellën Adi-Varaha. Mahishasura Mardhini është në shpellën Durga. Krishna duke ngritur malin Govardhan shihet në shpellën Pancha-Panadava. Relievet e skalitura në shpellat Pallava janë përgjithësisht më të cekët sesa shpellat e Dekanit. Figurat kryesore janë më elegante, delikate dhe të gjatoshe. Modelet e tyre të flokut dhe kurorat janë të thjeshta dhe nuk kanë stoli.[12] Një tjetër veçori e shquar në shpella është se lingat janë skalitje individuale dhe në formë prizmatike. Megjithatë, kanali kullues si normalisht ofrohet në formën e pranala-s ose govatës së ujit me linga-n që rrjedh abhisheka (ritual hindu) duke ofruar ujë nuk është mundësuar në shpella.[13]
Tempujt
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Krishna
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Krishna Mandapa datohet nga mesi i shekullit të VII. Hyrja e tij e gërmuar ka kolona që të çojnë në një holl. Një skalitje e shquar anash shpellës është panel i skalitur që paraqet mitin e Krishnas duke ngritur malin ose kodrën Govaradhan për të mbrojtur tufat e lopëve dhe gopiset (mjelëset) nga shirat e dëndura dhe përmbytjet, si dhe skenat e Krishna-s duke u zbavitur me mjelëset.[14][15]
Mahishasuramardini
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Mahishasuramardini Mandapa ose Tempulli shpellor Mahishasuramardini është pranë farit në majë të kodrës. Ai ka dy afreske shumë të bukur të skalitur të Durga-s, hyjnesha nënë në të dy skajet e hollit të gjatë të shpellës. Ajo paraqitet mbi luan, mjeti i saj transportues me të gjitha armët e saj. Në të paraqitet gjithashtu edhe pozicioni i saj duke vrarë Mahishasura-n me kokë bualli. Në skajin tjetër të hollit, përball panelit të Durgës, skena e skalitur është ajo e Vishnu-t në një pozicion të shtrirë mbi shtratin Ananta Shesha, të gjarpërit me shumë koka. Ai është rrethuar nga qeniet hyjnore të qiellit që i luten atij të vazhdoi me krijimin e universit. Ndodhet gjithashtu edhe një dhomë e tretë që paraqet një skalitje të Vishnu-s.[14]
Varaha
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Varaha Mandapa (i njohur edhe si Adivaraha) daton nga shekulli i VII. Skulptura më e shquar është ajo e Vishnu-t në formën e mishëruar të një derri duke ngritur nënën tokë nga deti. Në të gjenden edhe shumë figura të tjera mitike.[14] Në hyrjen e verandës në faqen e shkëmbit kolonat janë skalitur me luanë në bazën e tyre. Në qendër të murit të mbrapëm, figurat e gardianëve janë portretizuar të vendosur anash një faltore. Muret anësore kanë panele skulpturore të Vishnu-t si Trivikrama dhe Vishnu në mishërimin e Varaha-s, derrit, duke ngritur Bhudevi-n, hyjneshën e tokës.[16]
Trimurti
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Tempulli shpellor i Trimurtit daton nga fillimi i shekullit të VIII. Ka seksione të ndara në një sekencë kushtuar çdo hyjnie të trinisë hindu, Brahmas, Vishnu-t dhe Shiva-s ose Maheshwaras.[17] Tre faltoret janë gërmuar në faqen e shkëmbit. Secila faltore ka anash gjysëm-kolona me figura gardianësh. Në murin e mbrapëm të shpellës janë skalitur relieve individuale të Brahma-s, Vishnu-s dhe Shiva-s të ndjekur nga besimtarë.[18]
Kotikali
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Tempulli shpellor i Kotikalit i është kushtuar hyjeshës Durga.[17] Hyrja e tij është e drejtuar nga perëndimi dhe është në vazhdim të Dharmaraja Mandapas. Façata e skalitur në shkëmb ka dy kolona mbajtëse dhe dy gjysëm-kolona në stilin arkitekturor Mahendravarman me një trung tetëkëndësh të vendosur mbi një bazë kubike dhe një majë të ngjashme. Dhoma brenda shpellës është 6.6 metra e gjatë, 2.4 metra e gjerë dhe ka një lartësi prej 2.4 metrash. Në murin e mbrapëm ndodhet edhe një dhomë e vogël me dy gardiane dvarpalas anash; dvarapala në të majtë, e drejtuar përballë, është skalitur në një pozicion në këmbë me një dorë duke mbajtur një shkop dhe tjetra duke mbajtur një shpatë. Dvarapala në të djathtë është skalitur duke mbajtur në një dorë njëdhanush (hark) dhe krahu tjetër i vendosur te beli. Dvarpalat janë në një pozë kërcimi të quajtur tribhanga (pushimi i trefishtë). Megjithëse tashmë nuk ka asnjë hyjni brenda kësaj faltoreje, është supozuar se shenjtërorja e brendshme bujtëte hyjneshën Durga me gardianet femra duke e mbrojtur atë në hyrje të shenjtërores.[19]
Tigri
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Tempulli shpellor i tigrit (i njohur edhe si Yali) daton nga fillimi i shekullit të VIII. Është një shpellë e cekët por është e pazakontë dhe unike kur krahasohet me shpellat e tjera këtu. Hyrja e shpellës është e drejtuar nga jug-lindja. Është afër Atiranachanda Mandapas dhe e vendosur në fshatin Saluvankuppam, 4 km në veri të Mamallapuramit. Kjo është një shpellë e rafinuar që ësthë skalitur rreth 1.8 metra mbi nivelin e terrenit dhe ka një pavjon që është i mbyllur në tre krahë. Shpella përballë është 1.8 m e lartë dhe ka një gjerësi prej 1.2 metrash. Hyrja për te shpella arrihet nëpërmjet një serie shkallësh dhe në të dy krahët e shkallëve ka parapete mbrojtëse të dekoruara me luanë. Dy niket në të dy krahët e zgavrës qendrore nuk kanë ndonjë reliev të skalitur. Është skalitur nga një popël gjigande me një portik që ka varëse të skalitura prej njëmbëdhjetë koka yali-sh, kafshë mitologjike në formën e tigrave. Skalitja kryesore këtu është ajo e Durgës së hipur mbi një tigër. Është pohuar gjithashtu se kjo shpellë ka qenë përdorur pë shfaqje në qiell të hapur ose utsava mantapa (pavjone festash) për festën e Indras. Gjysëm-kolonat me luanë të skalitura në këndet e kësaj zgavre tregojnë edhe një femër të hipur mbi një luan me pamje tmerruese, që është raportuar si i pari i këtij lloji në shpellat e Mahabalipuramit dhe kështu i atribuar mbretit Pallava, Rajasimha; aty është edhe një skalitje e krijuesit të saj, Rajasimha-s.[11][14][20]
Atiranachanda
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Tempulli shpellor i Atiranachanda është i drejtuar nga lindja. Gjendet në fshatin Saluvankuppam, rreth 4 km larg rrugës Mahabalipuram – Chennai. Plani i tij është 8.5 metra i gjatë dhe 1.8 metra i gjaër, me një lartësi prej 2 metrash. Façata e skalitur në faqen e shkëmbit ka dy kolona dhe dy gjysëm-kolona, tipike të stilit Mahendravarman, me një trung tetëkëndor me bazë katrore në fund dhe në krye. Konsujt e kolonave janë të lakuar dhe modelime si rrotulla. Mbi konsuj janë skalitur edhe friza horizontale në formën e mini shenjtëroreve, megjithëse janë të papërfunduara. Në shpellë gjenden tre dhoma me dhomën qëndrore në formë katrore prej 1.1 metrash, ku qelat e tjera janë të integruara te muri.[21]
Panchapandava
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Tempulli shpellor Panchapandava është pranë relievit në qiell të hapur të Pendimit të Arjuna-s ose Zbritjes së Gangut. Shpella është ka një gjatësi prej 15 metrash dhe hyrja e saj është e drejtuar nga lindja. Shpella është e pambaruar dhe gjatësia e hapjes është treguese e krijimit të një kalimi cirkumambulator brenda shpellës për të ecur rreth shenjtërores kryesore. Aktualisht vetëm një dhomë e vogël është skalitur në qendër dhe ka mbetur e bashkangjitur me shkëmbin kryesore. Në hyrje, korniza e lakuar ka një seri faltoresh me katër fatoret qendrore të dala. Çatitë kube të faftoreve janë skalitur me dritare në formë patkoi (kudu) dhe secila ka një tjetër faltore më të vogël. Nikja poshtë kudu-së ka një hyjni të skalitur. Gjenden të skalitur edhe luanë me pamje tmerruese. Nga veçoritë arkitekturore këtu është hamendësuar se ky stil mund ti atribuohet periudhës së Narasimhavarmanit I Mamalla duke u shtrirë në periudhën e Narasimhavarmanit II Rajasimha.[22]
Shiko edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Grupi i monumenteve në Mahabalipuram
- Arkitektura shkëmbore e Indisë
- Arkitektura e tempujve hindu
- Shpellat Barabar
- Shpellat Ellora
- Shpellat Pandavleni
- Lenyadri
- Shpellat Ajanta
- Shpellat Badami
- Shpellat Udayagiri dhe Khandagiri
- Shpellat Elephanta
- Aihole
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ "UNESCO Site 249 – Group of Monuments at Mahabalipuram" (PDF). UNESCO World Heritage Site. 15 tetor 1983. Marrë më 18 maj 2009.
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - ^ a b George Michell: The Hindu Temple: An Introduction to Its Meaning and Forms; 1977, University of Chicago Press, 7 shkurt 2013, isbn 978-0-226-53230-1, fq. 81–
- ^ "World Heritage Sites – Mahabalipuram, Group of Monuments Mahabalipuram (1984), Tamil Nadu". Archaeological Survey of India. Marrë më 23 tetor 2012.
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - ^ "Durga Temple (Mahishasuramardini Cave Temple, Mamallapuram)". Online Gallery of British Library. Marrë më 23 tetor 2012.
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!)[lidhje e vdekur] - ^ "A monumental effort". Front Line India's National Magazine from the publishers of “The Hindu”. 8 nëntor 2003. Arkivuar nga origjinali më 10 prill 2013. Marrë më 23 qershor 2016.
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - ^ "Group of Monuments at Mahabalipuram". UNESCO. Marrë më 3 mars 2007.
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - ^ "Group of Monuments at Mahabalipuram". UNESCO. 15 tetor 1982. fq. 3.
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - ^ P. V. Jagadisa Ayyar: South Indian Shrines: Illustrated; 1982, Asian Educational Services, kontrolluar më 7 shkurt 2013, isbn 978-81-206-0151-2, fq. 157–
- ^ G. Jouveau-Dubreuil: Pallava Antiquities – 2 Vols.; 1 dhjetor 1994, Asian Educational Services, kontrolluar më 3 janar 2013, isbn 978-81-206-0571-8, fq. 30–
- ^ a b Trudy Ring, Robert M. Salkin & Sharon La Boda: Asia and Oceania: International Dictionary of Historic Places; 1995, Taylor & Francis, kontrolluar më 7 shkurt 2013, isbn 978-1-884964-04-6, fq. 912–
- ^ a b "Two drawings of sculpture at Mamallapuram". Online Gallery of British Library. Arkivuar nga origjinali më 4 mars 2016. Marrë më 22 shkurt 2013.
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - ^ Upinder Singh: A History of Ancient and Early Medieval India: From the Stone Age to the 12th Century; 1 shtator 2008, Pearson Education India, kontrolluar më 7 shkurt 2013, isbn 978-81-317-1120-0, fq. 634–
- ^ Rajeshwari Ghose: The Lord of Ārūr: The Tyāgarāja Cult in Tamilnāḍu: A Study in Conflict and Accommodation[lidhje e vdekur]; 1 janar 1996, Motilal Banarsidass Publ.; kontrolluar më 7 shkurt 2013, isbn 978-81-208-1391-5, fq. 36–
- ^ a b c d Pippa de Bruyn, Keith Bain, David Allardice & Shonar Joshi: Frommer's India; 18 shkurt 2010, John Wiley & Sons, kontrolluar më 7 shkurt 2013, isbn 978-0-470-64580-2, fq. 750–
- ^ "General view of the entrance to the Krishna Mandapa, Mamallapuram". Online Gallery of British Library. Marrë më 22 shkurt 2013.
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!)[lidhje e vdekur] - ^ "General view of the entrance to the Varaha Cave Temple, Mamallapuram 10032213". Online Gallery of British Library. Marrë më 22 shkurt 2013.
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!)[lidhje e vdekur] - ^ a b "Arjuna's Penance". Marrë më 30 dhjetor 2012.
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - ^ "Entrance, with rock-cut sculptures, to the Trimurti Cave Temple, Mamallapuram". Online Gallery of British Library. Marrë më 22 shkurt 2013.
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!)[lidhje e vdekur] - ^ "Mahabalipuram – The Workshop of Pallavas – Part II". puratattva.in. Art-and-archaeology.com. 4 gusht 2010. Arkivuar nga origjinali më 21 prill 2012. Marrë më 23 qershor 2016.
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - ^ "Mahabalipuram – The Workshop of Pallavas – Part II – Rock-cut Cave Temples". Yali Mantapam. Puratatva.com. 4 gusht 2010. Arkivuar nga origjinali më 21 prill 2012. Marrë më 23 qershor 2016.
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - ^ "Mahabalipuram – The Workshop of Pallavas – Part II – Rock-cut Cave Temples". Atiranachanda Mandapa. Puratatva.com. 4 gusht 2010. Arkivuar nga origjinali më 21 prill 2012. Marrë më 23 qershor 2016.
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - ^ "Mahabalipuram – The Workshop of Pallavas – Part II". Pancha-Pandava Mandapa. Art-and-archaeology.com. 4 gusht 2010. Arkivuar nga origjinali më 21 prill 2012. Marrë më 23 qershor 2016.
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!)
Bibliografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- P. V. Jagadisa Ayyar: South Indian Shrines: Illustrated; 1982, Asian Educational Services, kontrolluar më 7 shkurt 2013, isbn 978-81-206-0151-2.
- Pippa de Bruyn, Keith Bain, David Allardice & Shonar Joshi: Frommer's India; 18 shkurt 2010, John Wiley & Sons, kontrolluar më 7 shkurt 2013, isbn 978-0-470-64580-2.
- Rajeshwari Ghose: The Lord of Ārūr: The Tyāgarāja Cult in Tamilnāḍu: A Study in Conflict and Accommodation[lidhje e vdekur]; 1 janar 1996, Motilal Banarsidass Publ.; kontrolluar më 7 shkurt 2013, isbn 978-81-208-1391-5.
- G. Jouveau-Dubreuil: Pallava Antiquities – 2 Vols.; 1 dhjetor 1994, Asian Educational Services, kontrolluar më 3 janar 2013, isbn 978-81-206-0571-8.
- George Michell: The Hindu Temple: An Introduction to Its Meaning and Forms; 1977, University of Chicago Press, 7 shkurt 2013, isbn 978-0-226-53230-1.
- Trudy Ring, Robert M. Salkin & Sharon La Boda: Asia and Oceania: International Dictionary of Historic Places; 1995, Taylor & Francis, kontrolluar më 7 shkurt 2013, isbn 978-1-884964-04-6.
- Upinder Singh: A History of Ancient and Early Medieval India: From the Stone Age to the 12th Century; 1 shtator 2008, Pearson Education India, kontrolluar më 7 shkurt 2013, isbn 978-81-317-1120-0.