Arti i Luftës
Ky artikull ose seksion duhet të përmirësohet sipas udhëzimeve të Wikipedia-s. |
Arti i luftës (kinezisht ; Suncit) është vepra më e madhe mbi teorinë ushtarake, e lënë nga Kina e lashtë, është edhe një nga veprat e lashta kineze me influencën më të madhe dhe më të gjerë në botë. Mendimet strategjike dhe filozofike, të shtjelluara në të, janë aplikuar gjerësisht në fushat ushtarake, politike, ekonomike e të tjera. "Arti i luftës i Suncit", që u botua para 2500 vjetëve, është vepra më e hershme në botë mbi teorinë ushtarake, 2300 vjet më herët se libri i autorit evropian Klausevic me titull "Mbi luftën". Sun Wu, autori i librit "Arti i luftës i Suncit", ka qenë strateg i madh ushtarak kinez i periudhës së Pranverës dhe Vjeshtës dhe është quajtur me nder në historinë kineze si "shenjti i armëve" ose "shenjti ushtarak". Sun Wu, që lindi në shtetin Çi, u arratis në shtetin Wu për t'u shmangur turbullirave të luftës dhe zotësia e tij ushtarake i pëlqeu mbretit të shtetit Wu, i cili e emëroi gjeneral të lartë. Ai mposhti forcat e armatosura prej 200 mijë vetash të shtetit Çu, duke komanduar 30 mijë trupa, dhe me këtë fitore i tronditi të gjitha principatat. Sun Wu shkroi veprën e tij "Arti i luftës i Suncit" duke i bërë bilancin përvojës së nxjerrë në luftërat gjatë viteve të fundit të periudhës së Pranverës dhe Vjeshtës si dhe përvojës së periudhave të mëparshme. Në këtë vepër ai nxori në dritë një sërë ligjesh ushtarake dhe parashtroi një sistem të plotë të teorisë ushtarake.
"Arti i luftës i Suncit" prej më se 6000 fjalëve ndahet në 13 kapituj dhe në çdo kapitull shtjellohet një temë mendimesh. Në kapitullin "Strategjia" shtjellohet problemi i kushteve për të bërë një luftë. Në të vihen në dukje marrëdhëniet e luftës me politikën dhe ekonominë dhe parashtrohen 5 faktorë bazë që vendosin fitoren apo humbjen e një lufte. Këta 5 faktorë bazë janë faktori politik, faktori klimatik, faktori gjeografik, zotësia e komanduesve të lartë dhe legjislacioni, por faktori i dorës së parë është faktori politik.
Në kapitullin "Luftimet" shtjellohet problemi se si të zhvillohen luftimet, kurse në kapitullin "Sulmi me taktikë" shtjellohen mënyrat e sulmit kundër vendit kundërshtar. Sun Wu ishte për arritjen e suksesit sa më të madh duke paguar sa më pak, domethënë, duhet të përpiqemi të fitojmë pa luftuar me armë, të mos luftojmë pa pasur kushtin e duhur për të marrë një qytet të kundërshtarit, të mos luftojmë pa pushim për një kohë të gjatë me qëllim për zhdukjen e një vendi kundërshtar. Për t'ia arritur këtij qëllimi, ai vuri në dukje veçanërisht arritjen e fitores me taktikë. Ai shkruante se taktika optimale për të fituar një betejë është përdorimi i manovrës politike ; mjeti i dytë për arritjen e fitores është mjeti diplomatik ; i treti është përdorimi i armëve për të arritur fitore dhe mjeti i fundit është sulmi për të marrë një qytet. Për të vënë në jetë mendimin e "sulmit me taktikë", duhet të dimë jo vetëm potencialin tonë, por edhe gjendjen e palës kundërshtare.
Në kapitullin "Përdorimi i spiunazhit", Sun Wu shkruante se për të njohur gjendjen e palës kundërshtare, duhet të dimë para të gjithash të përdorim mjete të spiunazhit duke grumbulluar gjerësisht informata.
Në librin "Arti i luftës i Suncit" përmbahen shumë mendime të vlefshme filozofike. Për shembull, aforizmi i tij "Po të njohësh veten tënde dhe të njohësh kundërshtarin, do të luftosh në njëqind beteja pa rrezik të mossuksesit" është bërë sot një shprehje e njohur edhe për banorët e thjeshtë.
"Arti i luftës i Suncit" përmban në vetvete shumë mendime dialektike. Në këtë libër flitet për kundërvënien dhe ndryshimin e kontradiktave në luftë, si të kontradiktave midis palës sonë dhe palës kundërshtare, të kontradiktave midis njohjes subjektive dhe objektive, të kontradiktave midis shumicës dhe pakicës, të kontradiktave midis forcave të fuqishme dhe të dobëta, të kontradiktave midis sulmit dhe mbrojtjes, të kontradiktave midis fitores dhe disfatës, të kontradiktave midis leverdisë dhe dëmit e të tjera. Në librin "Arti i luftës i Suncit" parashtrohen strategjia dhe taktika në luftë pikërisht në bazë të studimit të këtyre kontradiktave dhe të kushteve të ndryshimit të tyre. Mendimet dialektike të shtjelluara në këtë libër zënë një pozitë të rëndësishme në historinë e zhvillimit të mënyrës së të menduarit dialektike të kinezëve.
Tezat mbi luftën dhe mbi përdorimin e armëve në librin "Arti i luftës i Suncit" janë vazhdimi dhe zhvillimi i mendimeve tradicionale kineze mbi "strategjinë ushtarake" dhe mbi "guidao", që është afërsisht si "doktrina sofiste". Tek këto teza referonin shumë strategë ushtarakë të periudhave të ndryshme historike. Shumë aluzione dhe tregime në këtë libër janë të njohura edhe për njerëzit e thjeshtë.
Vepra "Arti i luftës i Suncit", ku shtjellohet një sistem i strategjisë dhe taktikës ushtarake dhe i mendimeve filozofike, ka ushtruar gjerësisht influencë dhe është vlerësuar me nder edhe në fushën ushtarake dhe ideologjike botërore. Ky libër është përkthyer dhe është botuar në 29 gjuhë të botës, si në anglishte, rusishte, gjermanishte, japonishte e të tjera dhe është botuar edhe në mijëra revista të vendeve të ndryshme. Në shkolla dhe akademi ushtarake të disa vendeve, ky libër është përfshirë ndër lëndët mësimore. Sikurse u njoftua, gjatë luftës së Gjirit në vitin 1991, palët ndërluftuese studiuan librin "Arti i luftës i Suncit", duke përdorur mendimet ushtarake në të si referencë, për të drejtuar luftën.
Libri "Arti i luftës i Suncit" përdoret gjerësisht edhe në fushat shoqërore, tregtare e të tjera. Shumë ndërmarrje dhe sipërmarrës në Kinë dhe në vende të tjera i përdorin mendimet në këtë libër për administrimin e ndërmarrjeve dhe kanë arritur efektivitet.