Jump to content

Azem Hajdini

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Azem Hajdini - Xani - është një shkrimtarë dhe Jurist nga Kosova. Ishte njëri nga dëshmitarët e mbetur gjallë nga ”Masakra e Tivarit” (Malë të Zi) ku më 31 mars 1945, u masakruan 4.310 Shqiptarë nga serbët dhe malazezët.

Lindi më 15 korrik 1924 në katundin Dashec të Drenicës dhe vdiq me 20 shtator të vitit 2010, në moshën 87 vjeçare, në Prishtinë. Rrjedh nga një familje e varfër, me tipare malësore, me burrëri, besnikëri e tradita të larta kombëtare.

Ishte djali më i vogël i Hajdin - Xanit nga Dasheci dhe i Shahes nga Llausha. Kishte mbetur jetim kur i kishte ndërruar jetë babai pa e mbushur një vit jetë, ndërsa nëna i ndërroi jetë ende pa i mbushur dy vjet.

Në kohën e Jugosllavisë monarkiste kreu katër klasë të shkollës fillore, kurse deri në prag të Luftës se Dytë Botërore ndoqi edhe mësimet e teologjisë në Medresenë e Gjakovës.

Në ”kohën e Shqipërisë” (1941 - 1943), librin e zëvendësoi me pushkë, duke marrë pjesë aktive në forcat e armatosura të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, nën udhëheqjen e komandantit Shaban Palluzha. Gjatë kësaj kohe ishte në mbrojtjen e kufirit shqiptar dhe në mbrojtje ndaj terrorit te egër çetnik në vijën kufitare me Malin e Zi e Serbinë, në pjesën veriore dhe veriperëndimore të kufirit të Kosovës, në Kolashin, Rogoznë, Jeni - Pazar, Rozhajë, Tutin, Beranë e gjetiu.

Me depërtimin e forcave ushtarake jugosllave në territorin e Kosovës, në tetor të vitit 1944, për t’iu kundërvënë këtij okupimi, ishte inkuadruar në kuadër të forcave të armatosura ushtarake të Lëvizjes Demokratike Shqiptare për çlirim dhe bashkim kombëtar, që udhëhiqej nga komandanti Suprem, Gjeneralkolonel Shaban Palluzha, ku ishte edhe administrues dhe kronist besnik i Shtabit Suprem të forcave të armatosura të Lëvizjes.

Pas rënies heroike të komandantit Shaban Palluzha, Azem Hajdinin e mobilizojnë dhe e dërgojnë për në rrugën e ferrit, në Tivar, ku edhe i përjetoi masakrat e 31.03.1945.

Azemi edhe në momentet më dramatike, kur ndodhej nën kufoma i lare më gjak dhe veten e shihte të vdekur, mendonte : - a do të shpëtojë ndonjëri i gjallë për t’iu treguar shqiptarëve në Kosovë për kobin e zi që përjetuan djemtë e tyre ne Tivar.

Pas përjetimit të masakrës, më 25 prill 1945, përmes një delegacioni, pjesëtar i të cilit ishte edhe Azem Hajdini - Xani, u informua Shtabi i Divizionit XV ”Matia Gubec” në Istri për masakrat e Tivarit, të Treguarit e të Raguzës, përkatësisht, për tërë atë që kishte ndodhur e që kishin përjetuar që nga Prizreni e deri në Istri. Nga ky divizion u kërkua që për këto masakra të informohej publikisht opinioni i gjerë, veçmas ai shqiptar, pastaj të bëhej evidencimi i plotë me emër e mbiemër i ushtarëve shqiptarë të vrarë dhe të masakruar, të informoheshin prindërit dhe të afërmit e të vrarëve dhe të nxirren para gjygjit të popullit kryesit e këtyre masakrave gjenocidale.

Ndërkaq, në vend të mirëkuptimit, qe duhej ta tregonin oficerët e lartë, ata u kërcënuan : ”Në njësi dhe jashtë tyre askush prej jush nuk guxon të flas për këto ngjarje, në të kundërtën, po qe se zihet ngoje ajo ngjarje, do të thotë, nëse kjo çështje merr dhenë, secili prej jush do të nxirret para gjygjit ushtarak për përhapjen e propagandës armiqësore”.

Pa marrë parasysh kërcënimet dhe pasojat e mundshme, Azemi me shokë bisedonin dhe shaplosnin kujtimet për atë që e kishin përjetuar dhe kishin parë në Tivar, në Raguzë, në Tregur dhe për mizoritë që kishin përjetuar që nga Prizreni e deri në Istri, duke i shënuar ato si dëshmi autentike në notesin e vetë, sepse ishin të vetëdijshëm se një ditë do të shtrohet nevoja që të shkruhet dhe të llafoset ndryshe për këto ngjarje nga që kërkonte politika e atëhershme ditore.

Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, Azemi në fillim punoi nëpunës në Këshillin e Vendit në Qirez të Drenicës. Në vitin shkollor 1957/59, pa shkëputje nga puna, mbaroi semimaturën, kurse dy vitet vijuese mbaroi Shkollën e Mesme Ekonomike në Pejë.

Në vitin 1960/61 regjistroi Shkollën e Lartë Juridike të Prishtinës. Pos ishte informuar për regjistrim, Komiteti Komunal i LK në Skenderaj mbajti një mbledhje dhe morri vendim që Azem Hajdinit - Xanit të mos i lejohet regjistrimi në asnjë shkollë të lartë ose në ndonjë fakultet. Për të biseduar me të dhe për t’ia komunikuar vendimin e marrë në Komitet, e kishin ngarkuar kryetarin dhe sekretarin e komunës, të cilët e kishin ftuar Azemin ne komunë, në zyrë të kryetarit dhe ia kishin komunikuar vendimin e prerë te komitetit.

Përkundër vendimit të Komitetit dhe barrierave të shumta që ia kishin vënë udhëheqësit partiakë dhe shtetërorë në Skenderaj, nuk e mposhtën vullnetin dhe këmbëngulësinë e tij për t'i kryer studimet në Fakultetin Juridik - Ekonomik, të cilin fakultet e ka mbaruar me sukses në vitin akademik 1965/66. Pas diplomimit, një kohë ka punuar inspektor i lartë në Shërbimin e Kontabilitetit Shoqëror në Mitrovicë, kurse nga viti 1969 e deri në pension ishte kryeinspektor i të hyrave të Krahinës Autonome të Kosovës.

Vënia pikë masakrës së Tivarit, të varrit më të madh të shqiptarëve në histori, të tragjedisë së Tregurit, të Raguzës dhe të mizorive që përjetuan rekrutët shqiptarë gjatë rrugës për në Frontin e Adriatikut, që nga Prizreni e deri në Istri, me të dhënën reale se asnjë ushtar, asnjë epror dhe asnjë inskenues dhe zbatues i atyre masakrave nuk u mor në pyetje, por u graduan me grada më të larta dhe se institucionet, historianët dhe inteligjencia në Kosovë dhe në Shqipëri heshtën plot 21 vjet dhe nuk e shënuan asnjë fjalë, e të mos flasim për ndonjë veprim për sensibilizimin, përjetuesin e këtyre masakrave, për Azemin, përjetuesin e këtyre masakrave, dhe për popullin shqiptar ishte barra më e rëndë shpirtërore, me të cilën nuk mundi të pajtohej kurrë, pa marrë parasysh pasojat.

Prandaj, përkundër rrethanave jashtëzakonisht të vështira që u krijuan me administrimin ushtarak në Kosovë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, por edhe më vonë, Azem Hajdini - Xani, me qëllim të sensibilizimit të masakrës së Tivarit dhe të masakrave tjera, më 09.11.1966, me parashtresë iu drejtua organeve më të larta Jugosllavisë dhe të Kosovës, duke filluar nga komuna ku punonte dhe vepronte si nëpunës, e deri në Komitetin Qendror të LKJ-së, KQ të LKS dhe Komitetit Krahinor të LKK, me kërkesë për ndriçimin e plotë të këtyre masakrave.

Në parashtresën e tij drejtuar atyre organeve, përveç përshkrimit në hollësi të ngjarjes, Azem Hajdini - Xani ka kërkuar që patjetër publikisht:

  • 1. të informohet opinioni i gjerë për masakrën e Tivarit, të Tregurit, të Raguzës dhe për të gjitha ato mizori që rekrutët shqiptarë përjetuan gjatë rrugës për frontin e Adriatikut, që nga Prizreni e deri në Istri,
  • 2. të bëhet evidenca e plotë e ushtarëve të vrarë dhe të masakruar me emër dhe mbiemër dhe të informohen prindërit dhe të afërmit e tyre,
  • 3. të bëhet identifikimi i varrezave masive dhe të merren masa për kthimin e eshtrave të tyre,
  • 4. ushtarëve shqiptarë të vrarë dhe të masakruar t’u njifet statusi i luftëtarit të vrarë në LNç dhe familjet e ushtarëve të vrarë t’i gëzojnë të gjitha të drejtat e invaliditetit ushtarak dhe të drejtat e tjera,
  • 5. të identifikohen kryesit e atyre veprave mizore dhe ata të nxirren para gjyqit.

Në vend që institucionet e lartpërmendura ta zgjidhin lëndën sipas kërkesës, letrën ia kishin kthyer Komitetit Krahinor të LK të Kosovës, me numër 2029/1 të datës 9 dhjetor 1966.

Lidhur me parashtresën e tij dërguar KQ të LKJ më 19.11.1966, në Komitetin Komunal të LK Mitrovicës u caktua një bisedë, ku merrnin pjesë : Azem Hajdini, dy përfaqësues të KQ të LKJ, dy përfaqësues të KQ të LK të Serbisë, sekretari i KK të Mitrovicës (Zharko Kuzeloviqi) dhe sekretari organizativ, anëtari i KK të LK të Kosovës, Hysen Prekazi. Dy përfaqësuesve tjerë dhe dy oficerëve të lartë, që ishin të pranishëm në bisedë, Azemi nuk ua kishte mësuar emrat dhe as funksionet.

Në bisedë Zharko Kuzeloviqi iu kërcënua Azemit me masa administrative, kinse për të pavërtetat që i kishte thënë në parashtresën e tij drejtuar forumeve më të larta partiake e shtetërore, duke i konsideruar ato pohime sie propagandë armiqësore me qëllim të komprometimit të sistemit socialist – vetëqeverisës, të drejtuara kundër vëllazërim – bashkimit, për çka i tha se do të përgjigjej para gjyqit ushtarak. Njëkohësisht kërkoi nga Azemi ta tërhiqte parashtresën. Pastaj, njëri nga përfaqësuesit e KQ të LKJ ia tërhoqi vërejtjen Azemit se kjo është një vepër e rëndë armiqësore, prapa së cilës mund të fshihej edhe ndonjë grup apo organizatë armiqësore. Prandaj, ai kishte kërkuar nga Azemi të tregonte se kush fshihet prapa tij dhe prapa letrës, duke i propozuar që ta tërhiqte parashtresën. Propozimin për tërheqjen e parashtresës e kishin bërë edhe të pranishmit tjerë në bisedë, duke u kërcënuar për masa të ndryshme për autorin.

Pasi Azemi e kishte marrë fjalën, që në fillim kishte thënë se qasja e tyre ndaj këtij problemi nuk është me vend. „Këtu më keni thirr vetëm të më frikësoni, që të tërhiqem nga ajo që kam thënë, edhe pse që të gjithë e dini se ashtu edhe ka ndodhur në të vërtetë“. Pastaj ka thënë : „Hiq më lehtë nuk janë ndarë shqiptarët nga këto masakra se sa popujt që e përjetuan Aushficin (Auschwitz), Mathauzenin (Mauthausen) apo Dahaun (Dachau). Përkundrazi, krimi këtu është më i rëndë, sepse, siç dihet, atje pësuan kundërshtarët e nazifashizmit, ndërkaq në Tivar, në Tregur, në Raguzë dhe gjatë rrugës për në frontin e Adriatikut, Ushtria jugosllave ka vrarë dhe masakruar 4310 luftëtarë shqiptarë, bashkëluftëtarë të vet që ishin duarthatë dhe bashkëluftëtarët e Aleancës Antifashiste, për të vetmin faj vetëm pse ishin shqiptarë.“

Qëndrimi armiqësor ndaj Azemit vjen në shprehje edhe në mars të vitit 1969, kur në konferencën kandiduese të Lidhjes Socialiste të Mitrovicës, përfaqësuesi i Lidhjes Socialiste, Mustafa Osmanagiq, delegat i Dhomës së Kombeve të Kuvendit Federativ të Jugosllavisë, ka thënë : „Si mund të kuptohet qëndrimi i disa delegatëve, të cilët në këtë listë për delegat duan ta shtien me çdo kusht Azem Hajdinin – Xanin si aktivist?“ dhe vazhdon : „- Me të vërtetë Azemi është aktiv, por në një vijë tjetër, në atë jashtë Lidhjes së Komunistëve“. Edhe pse populli dhe delegatët në Konferencën kandiduese nuk u frikësuan dhe përgjithësisht ia dhanë votën, pushtetmbajtësit e kontestuan zgjedhjen e tij dhe me aktvendimin nr. 100, datë 31.3.1966, ia bënë të pamundshme kryerjen e funksionit.

Azemi disa herë ka kërkuar pranim te kryetari i Kryesisë së Kosovës, Xhavid Nimani. Mirëpo, pasi edhe pas shumë insistimeve nuk është pranuar. Azemi i mllefosur, por edhe këmbëngulës për ndriçimin e këtyre masakrave, tërë materialin për këto ngjarje në disa dhjetëra faqe, i mbyllur në pliko, ia ka dhënë në dorë në zyrën e Xhavid Nimanit, shefit të kabinetit të tij, Kariman Celinës.

Si përjetues i masakrës së Tivarit, nga frika se këtë krim të tmerrshëm me përmasa gjenocidale serbo – malazeze dhe maqedonase ndaj shqiptarëve do ta mbulonte terri dhe heshtja, pa depërtuar asnjë fjalë apo e dhënë në opinion, Azem Hajdini – Xani vendosi që përmes fjalës së shkruar në librin „Tragjedia e Tivarit“, botuar më 15 prill 1990 në Shtutgard, Gjermani, në 5000 ekzemplarë, të ndriçojë këtë të vërtetë të hidhur. Kjo dite i erdhi si reagim ndaj heshtjes dhe injorimit që i bëhej parashtresës së tij drejtuar organeve më të larta partiake dhe shtetërore qysh në vitin 1966. Vlenë për të thënë se ky ishte libri i parë me këtë tematikë.

Në vitin 1998 Shoqata e të Burgosurve Politikë në Prishtinë botoi librin e Azem Hajdinit – Xanit me titull : „Masakra e Tivarit“ dhe librin (ribotim) me titull: „Tragjedia e Tivarit“, me shpresë se përmes fjalës së shkruar libri do të kontribuonte sadopak që opinioni i gjerë dhe bota demokratike më në fund do ta kuptojnë plotësisht atë krim të rëndë të serbo – malazezëve e maqedonasve, atë masakër të madhe të komunistëve të Titos, të bërë gjatë LNç-së ndaj shqiptarëve duarthatë, ndaj bashkëluftëtarëve të tyre. Populli shqiptar masakrën e e emëroi si „varri i Tivarit“, „Varri i Raguzës“, dhe „varri i tragurit“. Fatkeqësisht nuk u gjet asnjë institucion apo individ në Kosovë e në Shqipëri që këtë vepër ta ribotojë dhe ta përkthejë në ndonjë gjuhë të huaj, të paktë në gjuhën angleze.

Azem Hajdini – Xani nuk u mjaftua vetëm me botimin e këtyre librave, ku në hollësi ka përshkruar masakrat në fjalë. Përmes „Ligës qytetare shqiptaro – amerikane“ arriti që masakrat t’i paraqes edhe para opinionit ndërkombëtar. Kështu, për Masakrën e Tivarit të 31 marsit 1945, ku u masakruan 4300 shqiptarë, si vepër e ushtrisë serbo – malazeze, është debatuar në komitetin për marrëdhëniet ndërkombëtare të kongresit amerikan, me temë „E ardhmja e shqiptarëve në Mal të Zi“, mbajtur më 30 tetor 2003. Mes tjerash aty u tha : „Në vitin 1945 në Evropë ngjau edhe njëra ndër mizoritë më të mëdha të asaj kohe, kur 4300 ushtarë shqiptarë që i ishin bashkangjitur vullnetarisht Ushtrisë Jugosllave për ta luftuar fashizmin, u tërhoqën në kurth në Tivar të Malit të Zi dhe u ekzekutuan në vend nga forcat ushtarake serbo – malazeze. Trupat e tyre u dogjën dhe u hodhën në varrezë masive në një gurore të lokalitetit”. “Juristi Azem Hajdini, njëri ndër të mbijetuarit e paktë të gjallë në ditën e sotme shkroi një pasqyrë të qartë me titullin “MASAKRA E TIVARIT”, të cilën ai mund ta botonte në Kosovë shumë vonë, në vitin 1998, për arsye se plot pesëdhjetë vjet, çfarëdo përmendje, edhe më e vogël qoftë e kësaj masakre, do të përfundonte me persekutim deri në vdekje.”

Për një angazhim kaq të madh në sensibilizimin e varrit më të madh të shqiptarëve, Masakrës së Tivarit, në emrin e tij, në emër të të mbijetuarve të kësaj masakre dhe në emër të popullit shqiptar, autori i këtij libri i shpreh mirënjohje të thellë komitetit për marrëdhënie ndërkombëtare të kongresit amerikan, kongresmenit Tom Lantosh dhe Ligës Qytetare Shqiptaro – Amerikane. [Këtu kemi të bejm më një gabim fatal. Eshaloni i të mobilizuarëve nga Kosova [nuk ishin vetëm shqiptarët],cili e ka përjetue golgotën e Tivarit ishte i përbërë prej 2382 vetave. Kështu shkruan në raportni: nr. 53 (rrepsisht sekret) i dates 8 prill 1945 dergua nga Shtabi i Divizionit XLVI, Ushtris Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë, Shtabit operativ të Kosmetit të Ushtrisë Jugosllave. Pra nësë në atë grup kan qenë 2382 nuk mund me u vrarë 4310 si që shkruan Azem Hajdini. Masakra nuk duhet as të minimizohet por as të zmadhohet. Viktimat e pafajshme duhet nderua e jo me i manipulue. Dokumenti i lart cituar gjendet në Arhivin e ushtris të Serbis në Beograd, cili është trashigimtar i Arhivit të Armisë Popullorë të Jugosllavisë Vërejti, dr. Hysni Bytyçi, 07/03/2014 v.]

Azem Hajdini – Xani ka botuar librat

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  • 1. Tragjedia e Tivarit, Shtutgard, 1990
  • 2. Masakra e Tivarit (memoare), SHBP, Prishtinë, 1998
  • 3. Tragjedia e Tivarit (ribotim), SHBP, Prishtinë, 1998
  • 4. Shaban Palluzha (Dëshmi dhe kujtime të kronistit të luftës I), NB “Rilindja”, Prishtinë, 2001
  • 5. Shaban Palluzha, Lëvizja për çlirim dhe Bashkim Kombëtar 1941-1945 (Dëshmi dhe kujtime të kronistit të luftës II), Buroja, Prishtinë, 2002
  • 6. Shaban Palluzha dhe personalitetit e Lëvizjes 1941-1945 (Dëshmi dhe kujtime të kronistit të luftës III), Buroja, Prishtinë, 2003
  • 7. Lufta e Artakollit, Prellovcit, Skenderajt dhe plani serbo – malazez për likuidimin kolektiv të shqiptarëve, prill 1941 (Dëshmi dhe kujtime të kronistit të luftës IV), Prishtinë, 2006
  • 8. Nga Prizreni në Istri një sprovë për histori (Kujtime dhe dëshmi, pranverë 1945), Prishtinë, 2007

Burimet dhe literatura

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

burimet e lëndës

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  • 1. Bajrami, dr. Hakif : Tragjedia e Tivarit, Prishtinë, 1993
  • 2. Bajrami, dr. Hakif : Dromca tragjike nga historia jonë kombëtare, me rastin e 83 vjetorit të Pavarësisë, “Dituria islame” nr. 75, Prishtinë, dhjetor 1995
  • 3. Berjashi, Ibrahim: Buka e shpëtimit, “Bujku”, Prishtinë, 15 qershor 1991
  • 4. Bozhoviq, Branislav ; Vaviq, Branko : Surova vremena na Kosovu i Metohiju 1941-1944, Beograd, 1991
  • 5. Braha, Shaban: Gjenocidi serbomadh dhe qëndresa shqiptare 1944-1990, Tiranë, 1991
  • 6. Cana, dr. Zekeria : Masakra më e madhe mbi shqiptarët në vitin 1945, “Bujku”, Prishtinë, 20 shtator 1990
  • 7. Cana, dr. Zekeria: Lot malli dhe brenge; Ditari I. “Bujku”, Prishtinë, 20 shkurt 1997
  • 8. Dedijer, Vladimir: Novi prilozi za biografiju Josipa Broza Tita, vll.II. Rijeka, Zagreb, 1981
  • 9. Dobra, dr. Islam : Lufta e Drenicës 1941-1945, Prishtinë, 1995
  • 10. Dobra, dr. Islam : Lufta e Drenicës 1941-1945 dhe NDSH deri në vitin 1947 (Botim i dytë i plotësuar), Prishtinë, 1997
  • 11. Gola, Bajram : Rishqyrtime të disa ngjarjeve nga LNç (fejton), “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, shkurt-mars 1997
  • 12. Hajdini, Azem : Tragjedia e Tivarit, Shtutgard, 1990
  • 13. Hajdini, Azem: Tragjedia e Tivarit, SHBP, Prishtinë, 1998
  • 14. Hajdini, Azem: Tragjedia e Tivarit (fejton), “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, nëntor 1997
  • 15. Hajdini, Azem – Xani : Masakra e Tivarit, SHBP, Prishtinë, 1998
  • 16. Luzha, Berat: Artikuj për Tragjedinë e Tregurit, Rilindja, 1979/1980
  • 17. Mula, Sami: Në kalendarin e shqiptarëve mungojnë datat e Tivarit, Tiranë, 30 shtator 1995
  • 18. Pirraku, dr. Muhamet: Ripushtimi jugosllav i Kosovës në vitin 1945, Prishtinë, 1992
  • 19. Pirraku, dr. Muhamet : Kalvari i shqiptarësisë së Kosovës – Tivari 1945, Prishtinë 1983
  • 20. Rexhepi, dr. Fehmi: Gjenocidi sllav mbi shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore (fejton), “Bujku”, Prishtinë, prill 1995
  • 21. Srbija i Albanci III : Pregled politike Srbije prema Albancima od 1944 do 1989, Maribor-Lubljanë, 1998
  • 22. Vjetari nr. XVIII, Arkivi i Kosovës, Prishtinë, 1984

Revista dhe gazeta

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  • 1. Bota Sot (disa fejtone)
  • 2. Fjala jonë, nr. 12, Prishtinë, dhjetor 1995
  • 3. Zëri, Prishtinë, 16 dhjetor 1995
  • 4. Zëri i Popullit, nr. 157, 12 dhe 13. VII 1991, Tiranë
  • 5. Rilindja, 14. IX. 1980

Deklarata, Dëshmi dhe prononcime

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

187 deklarata, dëshmi, prononcime dhe informata autentike të përjetueseve të masakrave.