Baki Dullovi
Ky artikull ose seksion duhet të përmirësohet sipas udhëzimeve të Wikipedia-s. |
Ky artikull nuk citon asnjë burim, prandaj mund të mos jetë i saktë. |
BAKI DULLOVI - Jeta dhe vepra
Të flasësh për një figurë i cili tërë jetën e tij e vuri në shërbim të çështjes kombëtare, është privilegj por edhe emocion dhe përgjegjësi.
Baki Dullovi u lind më 20 mars 1938 në fshatin Biçec të Kaçanikut. Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe për shkak të mungesës së kushteve ekonomike nuk vazhdoi më tutje. Aksioni i grumbullimit të armëve nga regjimi i atëhershëm rankoviqian, Baki Dullovin e kishte tronditur tej mase dhe si rezultat i kësaj vendosi t’i bashkëngjitet organizatës kombëtare e cila luftonte për të drejtat e shqiptarëve dhe bashkimin e trojeve etnike- Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare.
Në janar të vitit 1959 shkoi në shërbim ushtarak të ish-Jugosllavisë në ish-Titograd e më pas në Zagreb, ku edhe u takua me anëtarë të NDSH-së, si: atdhetarin Emin Fazlia nga Vidishiqi i Mitrovicës, Mehmet Trepçën nga Mitrovica dhe Ilmi Ajvazin nga Kopernica e Kamenicës, me të cilët u bashkuan për veprimtari kombëtare. Më 29 gusht 1960, tri ditë pasi e burgosën Emin Fazliun, policia ushtarake e arrestoi edhe Baki Dullovin. Eprorët e lartë policorë ia zbuluan programin e LNDSH-së të cilin Bakiu e mbante në kazermë.
Gjykimi i këtij grupi në të cilin bënte pjesë edhe Baki Dullovi, ka filluar më 22 shkurt 1961 në gjyqin ushtarak të Zagrebit. Nën akuzën e ashtuquajtur “Vepër penale kundër popullit dhe shtetit”, Baki Dullovi u dënua me 2.5 vjet burgim, Emin Fazlia me 8 vite burgim, Mehmet Trepça me 2 vite dhe Ilmi Ajvazi me 9 muaj. Baki Dullovi nuk i kishte duruar provokimet politike të autoriteteve të burgut dhe për këtë shkak bashkë me shokët e tij ishin keqtrajtuar në mënyrën më çnjerëzore.
Pas një kohe Baki Dullovi ishte transferuar në burgun e Stara Gradishkës. Ai e kreu afatin e dënimit dhe u kthye në shtëpi, ku u martua me Naxhije Trupin nga Kovaçeci, vajzën me të cilën ishte fejuar para se shkonte ushtar. Edhe pas mbarimit të vuajtjes së dënimit atë nuk e la të qetë UDB-ja jugosllave, duke e izoluar shpeshherë për disa ditë me radhë.
Në fillim të viteve 70-të Baki Dullovi me bashkëfshatarin e tij Xhevat Bunjakun shkuan në Austri për të punuar, më pas në Gjermani ku edhe u takua me bashkëveprimtarin dhe shokun e burgut Emin Fazliun. Demonstratat e vitit 1981 Bakiun e gjetën në Gjermani. Kudo ku ndodhej ai jepte kontributin për çështjen kombëtare. Shquhej si njeri i vendosur, trim, i palëkundur dhe i pa kompromis ndaj armikut në luftë për të drejtat e shqiptarëve. Ishte pjesëmarrës i tubimeve të nëntorit të vitit 1988, demonstrues i solidaritetit me grevat e minatorëve në shkurt të vitit 1989 dhe pjesëmarrës në demonstratat e përgjithshme në mars të po këtij viti. Vitin 1989 Bakiu e konsideronte si vitin e rënies së sistemit komunist, vit në të cilin erdhi në shprehje pluralizmi politik në Kosovës.
Në këtë kohë ai u bë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, si lëvizje gjithë popullore dhe rezistencë paqësore kundër aparteidit sistematik antishqiptar në Kosovë. Më 14 dhjetor 1990 në një dasmë të një kushëriri të tij, Bakiu nuk iu kishte bindur urdhrave të forcave të armatosura policore jugosllave që t’ua dorëzojë atyre flamurin kombëtar, me të cilin i printe kolonës së automjeteve të dasmorëve nëpër Kaçanik. Më 20 dhjetor 1994, duke u kthyer nga Gjermani me një urdhër-arrest ishte ndaluar nga policia në kufirin e Hanit të Elezit. Pas 4 muajsh, në orët e hershme të mëngjesit, nën akuzat se po organizon grupe të armatosura për furnizim me armë dhe terrorizëm,forcat policore të shoqëruara nga agjent të UDB-së e kishin rrethuar shtëpinë e tij duke bastisur. Bakiun e dërguan në burgun e Gjilanit, duke e maltretuar deri në alivanosje për 8 ditë rresht sa ka qëndruar aty.
Të njëjtën ditë ishin arrestuar edhe bashkëveprimtarët e tij, Hebib Shehu, Maksut Hoxha, Mentalip Jezerci, Mejdi Dalloshi dhe Qamil Ilazi. Me daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1997 , ai me djemtë e tij u bë pjesë e pandashme e saj, ndërsa shtëpia e tij u bë vendqëndrim i luftëtarëve të lirisë, e edhe i komandantit të parë të UÇK-së për Zonën e Kaçanikut, Agim Bajramit-komandant Zefin dhe pasardhësit të tij tani dëshmor Qamil Ilazit, komandant Bardhi.
Baki Dullovi bashkë me Xhevat Bunjakun ishin dy ndër organizuesit e UÇK-së në fshatin Biçec, fshat i cili shumë shpejtë u shndërrua në çerdhe të UÇK-së. Baki Dullovi kontributin kombëtar e dhuroi edhe pasluftës e deri në lamtumirën e tij nga kjo botë. “Tani jetoj i qetë dhe jam i lumtur që e arrita këtë ditë që të shoh se populli im po shkon me hapa të sigurt drejtë lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, është ndjenja e përjetimit shpirtëror e veprimtarit të cilin po e përkujtojmë sot, ndjenjë e shprehur në një dorëshkrim origjinal të tij të cilin e ka lënë për arkiv historik.
Ndarja e tij nga jeta vetëm një ditë para se të shpallej Pavarësia e Kosovës, pra më 16 shkurt 2008, është sinonim i njerëzve dhe burrave të vërtetë të cilët frytet e sakrificës së tyre sublime ua lënë për ta gëzuar brezat e rinj. Ndarja nga jeta në vigjilje të vulosjes së të ardhmes së Kosovës, përveç ndjenjave pikëlluese për humbjen e veprimtarit të devotshëm të çështjes shqiptare, ishte edhe për keqardhje sepse Bakiu nuk e përjetoi emocionin e lindjes së shtetit të dytë shqiptar në Ballkan, shtetit më të ri në Evropë- shtetin e Kosovës. I lehtë i qoftë dheu i Kosovës martire. I paharruar kujtimi për të. Respekt, nder dhe lavdi jetës dhe veprës atdhetare të Baki Dullovit. Lavdi dëshmorëve të Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare, Lavdi Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit tonë...!