Bektash Zite
Bektash Zite u lind në Gjirokastër më 1 Dhjetor 1936. Ka studiuar për Filologji-Histori dhe Filozofi. Ka punuar shumë vite në rrethin e Tepelenës, duke kryer detyrat mësues, drejtor, inspektor dhe shef i Seksionit të Arsimit; më tej, shef i Seksionit të Kulturës dhe Arteve dhe shef Propagande në këtë rreth.
Prej afro 40 vjetësh është gazetar profesionist dhe për vite me radhë shef i Sektorit të Brendshëm në gazetën "Bashkimi". Ka botuar qindra e qindra shkrime publicistike, nga të katër anët e vendit, në gazetat "Zëri i Popullit", e "Bashkimi" dhe, më pak, në "Drita" e "Zëri i Rinisë", por edhe në revistat "Në shërbim të Popullit", "Hosteni", "Vatra e Kulturës" e në gazetën lokale "Shkëndija".
Nga vitet '60 ka qenë bashkëpunëtor i Radio-Tiranës, me reportazhe për transformimet e vendit e radio-dramatizime për emisionet "Heroizmi i popullit tonë në shekuj" dhe "Transformime në vite". Në vitin 2003 ka redaktuar e përgatitur për botim vëllimin e parë të kolanës "Kur qeshim me politikanët", të humoristit të talentuar Filip Çakuli dhe një vëllim poetik me titull "Jetë në dallgë" të emigrantit shqiptar përmetar në Greqi, Dashnor Selimi.
Gjatë vitit 2004 ka botuar me bashkautorësi monografitë:"Kalo Brahim Xhaferaj-një jetë në këmbë për mëmëdhenë", "Kalo Brahim Xhaferaj në kujtimet e dy brezave" dhe "Dino Malo Islamaj-mësuesi atdhetar i Dhëmblanit". Gjithashtu, ka redaktuar e përgatitur për botim "Etja për diturinë" të Syrja Dalipi,studimin historik të historianit Nase Guga "Paleokastra-fshat me dy kala" dhe vëllimin me poezi "Mos më braktis kurrë, o dashuria ime" të autores së re , Dhurata Limaja, emigrante në Angli. Njëherësh, ka botuar edhe dhjetra shkrime publicistike për probleme aktuale e figura të nderuara atdhetarësh në gazetat "Zëri i Arbërit", "Zëri i Pensionistit", "E vërteta" dhe në gazetën "Përmeti".
Gjatë vitit 2005 ka botuar , me bashkautorësi, monografinë "Kadri Mahmud Shametaj-treçerek shekulli në këmbë", dhe ka redaktuar e përgatitur për botim "Lumturia kur bëhesh gjysh" dhe "Në rrjedhat e kohës" (kujtime) të Ali Manajt. Ka në procesin e përgatitjes disa monografi të tjera.
Tani kryen detyrën e kryeredaktorit në gazetat periodike "E vërteta", "Zëri i Pensionistit", "Tepelena Jonë" dhe "Zëri i Arbërit".
Është zv/kryeredaktor dhe Administrator i Përgjithshëm në Revistën Satiro-Politiko-Humoristike "Hosteni", që nga viti 1995.
Shih edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Bektash Zite - 40 vjet gazetar me penë në dorë - libër nga Zihni Haskaj
- Fjala e parë - Atdhetarizmi - libër nga Zihni Haskaj