Jump to content

Berat Luzha

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Berat Luzha
Lindi1953
KombësiaShqiptar

Berat Luzha (1953) Gazetar, politikan, publicist, poet. Lindi në Begracë, komuna Kaçanik. Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe në Kaçanik të Vjetër, gjimnazin në Kaçanik. Studioi për letërsi dhe gjuhë shqipe në Universitetin e Prishtinës.

Ka punuar në gazetën “Rilindja” që nga viti 1976 si gazetar, redaktor dhe kryeredaktor. Gjithashtu, ka qenë i angazhuar në gazetën ilegale “Liria” (1980 – 1981), në gazetën “Bashkimi” (1991) dhe në gazetën “Bashkimi sindikal” (1997 – 1998). Gjatë luftës udhëhoqi Drejtorinë për Informim Publik në kuadër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Ishte nga themeluesit e medieve të luftës; agjencisë shtetërore informative “Kosovapress” dhe radios “Kosova e lirë” dhe drejtor i agjencisë “Kosovapress”.

Katër herë ishte i zgjedhur deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës: 1992, 2001, 2004 dhe 2007. Në vitin 1996 themeloi Shoqatën e të Burgosurve Politikë të Kosovës, kryetar i të cilës ishte deri në vitin 2001. Në vitet 1997 – 1998 kreu detyrën e zv/kryetarit të Kuvendit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Ishte zv/ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe anëtar i Këshillit Ekonomik – Social (2012 – 2014) etj. Nga viti 2005 është anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës.

Ka qenë veprimtar ilegal (1996 – 1981), pjesëmarrës i demonstratave të vitit 1981, i burgosur politik (i dënuar dy herë me gjithsej 22 vjet burg, i ka mbajtur nëntë), pjesëmarrës i luftës çlirimtare të UÇK-së, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë. Për kontribut të jashtëzakonshëm në luftë, Qeveria e Përkohshme e Kosovës i ka ndarë Urdhrin ”Adem Jashari”.

Ka botuar librin poetik “Këngë burgu – Këngë lirie” dhe librin monografik “Një histori për Sylë Durmishin”.