Jump to content

Blerta Basholli

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Blerta Basholli (lindur më 1983, Prishtinë, Kosovë) është shkrimtare, regjisore dhe producente kosovare. Basholli ka jetuar më parë në Nju Jork për një periudhë prej katër vitesh, duke e lejuar atë të punojë në një sërë projektesh si studente, ndër të cilët është filmi i saj i shkurtër “Lena and Me” i cili ka fituar çmime në një numër të madh festivalesh ndërkombëtare dhe kosovare. Në vitin 2008 ajo u shpërblye me Deans Fellowship në Film Graduate Program në Tisch School of the Artists, NYU.[1] Së fundmi, filmi i saj debutues artistik "Hive" (2021) ka arritur sukses të madh, duke thyer rekordet e Sundance dhe duke u bërë filmi i parë kosovar që hyn në listën e ngushtë të nominimeve të Oscars.[2]

Basholli ka përfunduar arsimin e lartë në NYU, New York City, por momentalisht është me bazë në Prishtinë.[1] Ajo është e martuar me Artan Korenicën, fotografin e njohur kosovar, me të cilin ka dy fëmijë.

2006-2011: Fillimet

Në vitin 2006 Basholli përfundoi dhe publikoi filmin e saj të parë, dokumentarin “Mirror, mirror...” ("Pasqyrë, pasqyrë..."). Ai vazhdoi të ketë sukses të konsiderueshëm, duke u përzgjedhur në Festivalin e Filmit në Sarajevë 2006; Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë 2006; Festivalin e Filmit Balkan Black Box 2006, Berlin dhe në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit dhe Videos të Pavarur të Nju Jorkut 2016. Në vitin 2008 ajo publikoi “Gjakova 726”, një film me metrazh të shkurtër që u shfaq në Festivalin e Filmit në Roterdam 2009; Festivalin e Filmit Busho 2009; Dokufest 2009; Toffifest 2009 dhe në Festivalin e Filmit të Grave të Filmmor 2009. Më vonë, në vitin 2011, filmi i shkurtër i Bashollit "Lena and Me" (“Lena dhe Unë”) u shfaq dhe u shpërblye në Festivalin e Filmit të Parë 2011; Dokufest 2011; Festivalin e Filmit dhe Ushqimit në Pogradec 2011; Skena Up 2011; Tirana International FF 2011 dhe Festivalin e Filmit 9/11 2012 (Çmimi për Aktoren më të Mirë).[1]

2021-Tashmë: Njohja në mbarë botën

Filmi i saj më i njohur vjen në vitin 2021 dhe tregon historinë e vërtetë të Fahrije Hotit, sfidën e një gruaje kosovare për të hapur një biznes në një komunitet patriarkal. Filmi quhet “Hive” ("Zgjoi") dhe është filmi i parë artistik i Bashollit.[3] "Hive" theu rekordet e Sundance, ku fitoi Çmimin e Madh të Jurisë, Çmimin e Regjisë dhe Çmimin e Audiencës në Kategorinë e Kinemasë Botërore Dramatike. Nëpërmjet “Hive” Basholli është bërë edhe regjisorja e parë kosovare që ka hyrë në listën e ngushtë të nominimeve për Oscar, në kategorinë e Filmit më të Mirë Ndërkombëtar.[4]

  1. Mirror, mirror... (Dokumentar) (shkrimtare, regjisore) 2006
  2. Gjakova 726 (Video e shkurtër) (bashkëshkrimtare, regjisore) 2008
  3. Lena and Me (Short) (shkrimtare) 2011
  4. Everything Is Broken Up and Dances (bashkëproducente) 2016
  5. Hive (shkrimtare, regjisore) 2021
  6. The Marriage (asistent regjisor i parë) 2017
  7. The Return (asistent regjisor) 2017
  8. Unwanted (asistent regjisor i parë) 2017
  9. Looking for Venera (asistent regjisor i parë) 2021
  10. Cold November (menaxher i produksionit) 2018[5]
  1. ^ a b c "Blerta Basholli" (në anglisht).
  2. ^ "Kosovo scoops country's first Oscar shortlist nomination" (në anglisht).
  3. ^ "Blerta Basholli flet për betejën e re të filmit "Zgjoi"".
  4. ^ "Blerta Basholli, Kosovo" (në anglisht).
  5. ^ "Blerta Basholli, Filmography" (në anglisht).