Shko te përmbajtja

Buletini i Shkencave Gjeologjike

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Buletini i Shkencave Gjeologjike, pamje e kopertinës, nga Sokol Marku

Buletini i Shkencave Gjeologjike është një periodik shkencor i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar.

Për herë të parë, periodiku shkencor "Buletini i Shkencave Gjeologjike" u botua në vitin 1965 nën titullin "Përmbledhje Studimesh" dhe ishte organ i Institutit të Studimeve dhe Projektimeve Gjeologjike e Minerare të Shqipërisë, pjesë e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar. Ndërsa në vitin 1972, u ftua si bashkëpunëtor edhe Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave të Shqipërisë.

Me titullin aktual, ka filluar të botohet nga viti 1982. Nga viti 1997 përgjegjësinë e botimit të këtij organi e ka Shërbimi Gjeologjik Shqiptar.

Pranimi, shqyrtimi dhe botimi i artikujve

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

"Buletini i Shkencave Gjeologjike" botohet në bazë të artikujve shkencorë të fushës së gjeoshkencave, të cilët paraqiten nga një autor apo grup autorësh. Këta artikuj, para se të miratohen për botim, shqyrtohen nga redaksia e periodikut dhe kalohen për recensë te specialistë të fushës, problemet e së cilës trajton artikulli. Pas miratimit të recensentit dhe sugjerimeve të redaksisë, autorët e përmirësojnë artikullin në mënyrë që ai të jetë brenda kërkesave profesionale. Mbasi kalohet kjo procedurë, artikulli konsiderohet me vendimin përkatës të redaksisë si "i gatshëm për botim".

Kjo mënyrë shqyrtimi bën që në këtë periodik të botohen gjithnjë artikuj me vlera të mirëfillta shkencore.

Periodiciteti, përmbajtja dhe gjuhët e botimit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në vitet e para të botimit, Buletini dilte katër herë në vit, ndërsa nga viti 1990 vetëm dy herë në vit.

Buletini përmban studime nga kategori të ndryshme të gjeologjisë, siç janë fushat e stratigrafisë, tektonikës, gjeologjisë ekonomike, paleontologjisë, petrografisë, mineralogjisë, gjeofizikës, gjeokimisë, hidrogjeologjisë, gjeologjisë inxhinierike, inxhinierisë së gjeomjedisit, si dhe studime të gjeologjisë krahinore.

Buletini ka si gjuhë zyrtare të botimit gjuhën shqipe, por çdo artikull shoqërohet me një përmbledhje (abstrakt) në gjuhë të huaj. Deri në vitin 1990, abstraktet shoqëruese të artikujve ishin dygjuhëshe: rusisht dhe frëngjisht.

Sot përmbledhja është më e zgjeruar, zë deri në 20% të totalit të artikullit dhe pranohet vetëm në gjuhën angleze nën titullin "resume". Gjithashtu, pranohet që një artikull të paraqitet i plotë në anglisht me një përmbledhje në shqip.

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]