Daniel Pennac

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Daniel Pennac


Daniel Pennachioni (Kazablanka, Marok, 1 dhjetor 1944), i njohur me pseudonimin Daniel Pennac (Penak), është romancier, eseist dhe skenarist francez[1]. Pennac arriti sukses të bujshëm viteve 80 kur nisi të botijë ciklin humoristiko-policesk Malosenë (Malaussène), gjashtë romane mbi bëmat e një familjeje nga një lagjje proletare e Parisit. Në Francë është laureat i çmimit të rëndësishëm letrar Renaudot. Librat e tij janë përkthyer në mbi 30 gjuhë.[2]

Bir i një ushtaraku korsikan dhe një shtëpiakeje nga Provansa, Pennac pati kaluar fëmijërinë në vende të ndryshme të Afrikës dhe Azisë, si dhe në jug të Francës. Gjatë fëmijërisë, pati përjetuar një disleksi të fortë, e cila e konfrontonte me mësuesit dhe e bënte të kishte rezultate të ulëta në shkollë. Asaj traume ai i rikthehet shpesh më vonë nëpër esetë dhe intervistat për nevojën për të çmistifikuar leximin dhe të mësuarit.[3]

Mbas studimesh për letërsi në Nicë, nis punë si mësues gjimnazi (liceu, sipas sistemit francez) në zonën e Parisit në vitin 1969, dhe mësimdhënien në gjimnaze do e vazhdojë deri në vitin 1995.

Fillon të botojë në fillim të viteve 70, por suksesin e arrin në vitin 1985 me "Parajsën e gogolëve" (La bonheur des ogres), romanin e parë të ciklit Malaussene. Cikli, i cili mbyllet në vitin 1995 me Aux fruits de la passion, sillet rreth Benjamin Malaussène-s, i cili punon për firma të ndryshme si 'kokë turku' (apo 'dash kurbani'), personi që ha të sharat e klientëve që ankohen për mallin apo shërbimin, familjes së tij dhe komshinjve në lagjen Belleville të qarkut (arrondissement) XX në Paris.[4][5][6]

Pennac ka shkruar edhe mjaft romane për fëmijë, ka bërë skenaret e disa romaneve grafikë, përfshirë një me autorin e njohur të romaneve grafikë Jacques Tardi, dhe ka botuar libra me kujtime. Ai ka kthyer edhe një pjesë romanesh të tij në skenarë filmash për televizion dhe kinema, dhe ka vënë një roman në skenë në Itali. Librat e Pennacut përdoren shpesh në tekstet e letërsisë në Francë dhe Evropë.

Çmimin Renaudot, në vitin 2007, e mori për romanin me elementë autobiografikë Chagrin d'école (Halle shkolle). Eseja Si një roman, (Comme un roman), bëri të njohur 10 të drejtat 'të patjetërsueshme' të leximit--disi humoristike, por më shumë antiskolastike: (1. E drejta të mos ta lexosh; 2. E drejta të kapërcesh faqet; 3. E drejta të mos e mbarosh librin; 4. E drejta për të rilexuar; 5. E drejta për të lexuar ç'të të teket; 6. E drejta për të t'u dukur jeta e librave jetë reale (apo bovarizmi); 7. E drejta për të lexuar ku të të teket; 8. E drejta për të çukitur nëpër libra; 9. E drejta për të lexuar me zë; 10. E drejta për të mos folur (të mos ta kesh për detyrim të tregosh lart e poshtë se ç'ke lexuar).[7][8][9]

Në Itali, një vend tjetër ku gëzon popullaritet të jashtëzakonshëm, Daniel Pennacu është laureat i çmimit Grinzane Cavour në vitin 2002 dhe doktor honoris causa i Universitetit të Bolonjës (2013). Ka marrë çmimin letrar Metropolis bleu të qytetit të Montrealit në Kanada (2008),

Libra kryesorë:[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Cikli Malaussène

Au bonheur des ogres, 1985 (në shqip botuar si Parajsa e gogolëve, 2012)

La fée carabine, 1987

La petite marchande de prose, 1990

Monsieur Malaussène, 1995

Des chretiens et des maures, 1996

Aux fruits de la passion, 1999


Romane për fëmijë

Cabot-caboche, 1982 (Jeta e një qeni, 2019)

L'œil du loup, 1984 (Syri i ujkut, 2017)


Romane të tjerë

Messieurs les enfants, 1997 (Zotërinjtë fëmijë, 2000)

Chagrin d'école, 2007

Journal d'un corps, 2012 (Ditari i një trupi, 2018)


Ese dhe kujtime

Le service militaire au service de qui ? 1975

Comme un roman, 1992 (Si një roman, 2014)

Gardiens et passeurs, 2000.

Mon frère, 2018

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ "DANIEL PENNAC". Daniel Pennac - Site Gallimard (në frëngjisht). Gallimard.
  2. ^ Hahn, Daniel (17 shtator 2010). "Daniel Pennac: Head teacher from the school of joy". The Independent (në anglisht). Marrë më 22 nëntor 2020.
  3. ^ "Daniel Pennac crée la surprise en obtenant le prix Renaudot". Le Monde (në frëngjisht). 6 nëntor 2007. Marrë më 22 nëntor 2020.
  4. ^ "Daniel Pennac: Kur shkruaj, grabis realitetin". Ars. Nr. 9 (19). 28 shtator 2003. Marrë më 22 nëntor 2020.
  5. ^ Polovina, Ylli (20 maj 2012). "Librat e rinj, 20 maj 2012". Gazeta Shqip. Marrë më 22 nëntor 2020.[lidhje e vdekur]
  6. ^ ""Parajsa e gogolëve" flet shqip pas 20 gjuhëve të tjera" (PDF). Rilindasi: Suplementi i së djelës tek Shqiptarja.com. 20 maj 2012. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 29 nëntor 2020. Marrë më 22 nëntor 2020.
  7. ^ Smajli, Brikena (28 prill 2020). "Duke kërkuar një vesh për leximin". Gazeta Liberale. Marrë më 22 nëntor 2020.
  8. ^ Pennac, Daniel (21 tetor 2014). "Lindja e Alkimistit". Gazeta Standard. Marrë më 22 nëntor 2020.
  9. ^ "Eseja "Si një roman", reflektim mbi artin mësimdhënës dhe edukimin". Gazeta Telegraf. 26 shtator 2014. Marrë më 22 nëntor 2020.