Jump to content

Despotati i Nartës

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Despotati i Artës
1358–1416
Despotati i Artës
Despotati i Artës
KryeqytetiNarta
Gjuhët e zakonshmeshqipja
Besimi
Krishterimi
Qeveria
Lloji i qeverisjesDespot
Despot 
• 1358-1374
Pjetër Losha
• 1374-1399
Gjin Bua Shpata
• 1400-1401
Shuro Bua Shpata
• 1401-1415
Muriq Bua Shpata
• 1415-1416
Jakup Bua Shpata
Epoka historikeMesjeta
• Themeluar
prill 1358
• Shpërbërë
1416
Të dhëna të tjera

Aty nga fundi i shek. XIII në Epiri fillon të shquhet familje fisnike shqiptare si Losha dhe Shpata.

Despotati i Artes u formua në shek XII. Ai shtrihej ne Shqiperine e poshtme është shtrirë në Shqiperinë e poshtme, apo Epirin e vjetër. Mihal I Engjulli gjatë kohës së tij që kishte në sundim Despotatin e Artës zhgjeroi kufijtë nga Durresi deri në gjirin e Korintit. Pas tij vjen në sundim Teudori i cili po ashtu zgjeroi kufijtë në principatën e Arbrit dhe Selanikut.

Redaktimi i krijimit Në fund të pranverës së vitit 1359, Nikephoros II Orsini, despoti i fundit i Epirit të dinastisë Orsini, luftoi kundër shqiptarëve pranë lumit Acheloos, Etolia. Shqiptarët fituan betejën dhe arritën të krijojnë dy shtete të reja në territoret jugore të Despotatit të Epirit. Për shkak se një numër zotërish shqiptarë përkrahën në mënyrë aktive fushatën e suksesshme serbe në Thesali dhe Epir, Cari Serb u dha atyre rajone specifike dhe u ofroi atyre titullin Bizantin të despotëve në mënyrë që të siguronin besnikërinë e tyre.

Nga fundi i viteve 1360, dy principata shqiptare ishin shfaqur: e para me kryeqendrën e saj në Arta nën Peter Losha, dhe e dyta, me qendër në Angelokastron, nën Gjin Bua Spata. Pas vdekjes së Peter Losha në 1374, despotat shqiptarë të Artës dhe Angelocastron u bashkuan nën sundimin e Gjin Bua Spata.

Në prill të vitit 1378, Mjeshtri i Madh i Spitalorit të Kalorësve, Juan Fernández de Heredia u nis për të marrë Artën, por dështoi dhe u kap në betejë nga Gjin Bua Spata. Herendia u shit nga Spata te Turqit Osmanë për një çmim të madh. Thomas II Preljubović, Despoti i Epirit ofroi ndihmë të vlefshme gjatë betejës, megjithatë kjo aleancë nuk zgjati për shumë kohë. [3]

Mihal I Engjëlli Teodor I Engjëlli


Në vitin 1304 një dokument anzhuin i rendit Shpatajt midis aristokratëve më në zë të Shqipërisë.

Ashtu si dhe për shtëpitë e tjera fisnike shqiptare, edhe për Shpatajt procesi i fuqizimit dhe i emancipimit politik kishte ndjekur një rrugë vazhdimisht në ngjitje, derisa gjeti shprehjen më të plotë pas shembjes së Perandorisë Serbe të Stefan Dushanit (1355).

Në atë çast Shpatajt e fisnikë të tjerë shqiptarë e shtrinë sundimin e tyre politik në krejt Epirin dhe, në vitet që pasuan, filluan të zgjerohen në krahinat fqinje jugore të Akarnanisë e të Etolisë.

Qeveritari serb i Epirit, mbreti Simeon Uroshi, u detyrua të largohej në Thesali, ku zuri vendin e komandantit serb Qezar Preljubit, i vrarë gjatë një përpjekjeje me shqiptarët e atyshëm. Përfaqësues të tjerë të aristokracisë dhe të administratës së vjetër bizantino-serbe gjetën strehim në qytetin e Janinës. Shtrirja e pushtetit të fisnikëve shqiptarë në Epir ndeshi pengesë te pinjolli i fundit i dinastisë së vjetër sunduese të Epirit, despoti Niqifori II Engjëlli. Në verën e vitit 1358 ky u doli përpara forcave shqiptare në vendin e quajtur Akelou (Akarnani). Ushtria e tij, e përbërë pjesërisht prej mercenarëve osmanë, u asgjësua në betejën e përgjakshme që u zhvillua aty e ku vetë despoti bizantin humbi jetën.

Pas betejës së Akelout krahinat jugore të Epirit, të Akarnanisë e të Etolisë u përfshinë në kuadrin e dy formacioneve shtetërore shqiptare. I pari, me qendër në Nartë, kishte në krye fisnikun Pjetër Losha, kurse i dyti, me qendër në Angjelokastër (Akarnani), drejtohej nga despoti Gjin Bua Shpata. Pas vdekjes së Pjetër Loshës më 1374, Despotati shqiptar i Nartës dhe ai i Angjelokastrës u bashkuan nën sundimin e despotit Gjin Bua Shpata. Zotërimet e këtij të fundit përbënin tani një vazhdimësi territoresh prej gjirit të Korintit, në jug, deri në derdhjen e lumit Akeront (Glyki), në veri, ku puqeshin me zotërimet e Gjon Zenebishit. Megjithatë në pjesën lindore të Epirit mbeti një territor i ngushtë me qendër Janinën, i cili nuk u përfshi në kufijtë e këtyre dy formacioneve shqiptare fqinje. Këtu përfaqësuesit e fisnikërisë e të administratës së vjetër serbo-bizantine të Epirit u përpoqën të organizojnë qëndresën kundër hegjemonisë së krerëve shqiptarë. Të mbështetur edhe nga qeveritari i deriparadokohshëm serb i Epirit, Simeon Uroshi, ata mundën të imponojnë si qeveritar të Janinës despotin serb Thoma Preljuboviç. Si djalë i Qezar Preljubit, qeveritarit të Thesalisë të vrarë më 1355 nga shqiptarët, Thomai trashëgoi një armiqësi dhe urrejtje të pashuar kundër tyre.

Despotati i Janinës ishte mbeturina e fundit e sundimit serb në Epir. Qenia e tij përbënte një rrezik real për formacionet fqinje shqiptare të Gjirokastrës e të Nartës, pasi Thoma Preljuboviçi vështronte t'i zgjeronte kufijtë e despotatit të tij pikërisht në dëm të zotërimeve të Shpatajve e të Zenebishëve. Nga ana tjetër, despoti serb nuk ngurroi të thërriste për ndihmë kundër sundimtarëve shqiptarë reparte serbe, italiane e, ç'ishte më keq, osmane, duke e kthyer Epirin në një fushë beteje ku mercenarët e huaj mbillnin terror e shkatërrime të pafundme.

Këto arsye, si dhe arsye të tjera të natyrës ekonomike (Janina ishte një qendër mjaft e pasur ekonomike e tregtare), i futën sundimtarët shqiptarë të Epirit në një konflikt të gjatë të armatosur me despotin e Janinës. Për tre vjet rresht (1370-1373) kështjella e Janinës iu nënshtrua rrethimit e sulmeve të njëpasnjëshme të despotit të Nartës, Pjetër Losha, e të aleatëve të tij, bashkësive shqiptare të mazarakëve e të malakasëve që banonin përreth Janinës. Megjithëse u detyrua të kërkonte paqe, Thoma Preljuboviçi nuk pushoi së përndjekuri e së tiranizuari popullsinë shqiptare të Janinës e të fshatrave përreth, nga e cila tërhiqte robër e pengje që i mbyllte në burgje të posaçme. Për këtë zell të tij kundër shqiptarëve, bashkëkohësit i ngjitën despotit serb nofkën "shqiptarovrasës" (alvanitoktonos).

Pas vdekjes së Pjetër Loshës, më 1374, në krye të despotatit të Nartës u vu zoti i Angjelokastrës, Gjin Bua Shpata. Në kohën e sundimit të tij, konflikti me despotin serb, Thoma Preljuboviçin, u ashpërsua edhe më. Që në vitin 1375 Gjin Bua Shpata u shfaq me ushtrinë e tij nën muret e Janinës. Qyteti mundi të qëndrojë edhe kësaj radhe falë mureve të tij të papushtueshme. Gjithsesi, i interesuar për pushimin e armiqësive, Thomai i ofroi Shpatës dorën e së motrës, Helenës.

Por martesa nuk e fashiti konfliktin midis Gjin Bua Shpatës dhe Thomait. Për më tepër, në vitet që vijuan Janina u bë pre e sulmeve të bashkësisë shqiptare të malakasëve. Nën komandën e Gjin Fratit këta e sulmuan kështjellën më së pari në vitin 1377, por pa mundur ta merrnin atë. Dy vjet më vonë, më 1379 malakasët arritën të zinin ishullin në liqen si dhe kullën e brendshme të kështjellës së Janinës. Kësaj radhe në anë të tyre qëndronin edhe pjesëtarë të parisë vendase, përfshi mitropolitin Mateo, përkrahës i Gjin Bua Shpatës. Por edhe kësaj radhe shqiptarët dështuan në qëllimin e tyre. Mungesa e mjeteve të mjaftueshme ua bëri atyre të pamundur që të shpërthenin muret e kështjellës, qoftë nga toka e qoftë nga liqeni. Mitropoliti Mateo u detyrua të linte Janinën bashkë me të tjerë dhe të strehohej te Gjin Bua Shpata.

Krahas despotit serb të Janinës, formacioni i Shpatajve të Nartës u fut në këtë kohë në një konflikt të ashpër me anzhuinët e Napolit, të cilët qysh prej një shekulli vazhdonin të ngulnin këmbë në pretendimet e tyre mbi bregdetin epirot. Ky konflikt u shpreh më së pari në përleshjet e armatosura me forcat e kontit Leonard Toko, që sundonte mbi ishujt e Qefalonisë e Leukadës si vasal i mbretëreshës Xhovana të Napolit. Dokumentet e kohës informojnë se qysh në vitin 1360 "konti i Qefalonisë bënte luftë të madhe me Despotatin e arbërve". Në vitet që pasuan ndeshja me anzhuinët u ndez edhe më keq. Në vitin 1378 mbretëresha e Napolit organizoi një fushatë të madhe për asgjësimin e Despotatit shqiptar të Nartës. Bërthama e ushtrisë së grumbulluar prej saj përbëhej nga Urdhri i Joanitëve të Rodit, një formacion i famshëm për bëmat e tij luftarake, që ishte futur në shërbim të anzhuinëve të Napolit.

Ekspedita anzhuine filloi me marrjen e Naupaktit (Lepantos), kështjella më jugore e Shpatajve, e vendosur mbi bregun verior të gjirit të Korintit. Prej këndej ajo përparoi drejt veriut e brenda pak kohe qendra e Despotatit shqiptar, Narta, u ndodh nën rrethimin e ushtrisë napolitane. Gjatë betejës vendimtare që u zhvillua nën muret e Nartës, despoti Gjin Bua Shpata korri një fitore të madhe. Vetë kryekomandanti i ekspeditës anzhuine, Mjeshtri i Madh Huan Fernandez Heredia i Urdhrit të Joanitëve, u zu rob prej shqiptarëve.

Në pranverë të po atij viti, Gjin Bua Shpata fitimtar mbi anzhuinët, rifilloi sulmet sistematike mbi Janinën. Thoma Preljuboviçi kësaj radhe gjeti një aleat të fuqishëm kundër shqiptarëve te turqit osmanë, të cilët kishin filluar të vendoseshin në Thesalinë fqinje. Disa herë brenda viteve 1380-1384 reparte osmane, të thirrura nga Thomai, kryen inkursione shkatërruese në zotërimet e Gjin Bua Shpatës e në ato të Gjon Zenebishit, duke lehtësuar presionin e tyre mbi Janinën. Me ndihmën e osmanëve, despoti Thoma pushtoi përkohësisht një numër fshatrash rreth Janinës si dhe kështjellën e Paramithisë (Shën Donatit). Gjithsesi, tirani i Janinës ra pre e një komploti dhe, i urryer nga të gjithë, vdiq në dhjetor 1384. Në vend të tij paria e Janinës e mbreti serb i Thesalisë, Joazaf, thirri e vuri italianin Izau Buondelmonte Açajuolin, kunat i kontit Leonard Toko të Qefalonisë. Ky gëzonte njëherësh mbështetjen e perandorit të Bizantit, të Venedikut, Firences dhe të Mbretërisë së Napolit. Marrëdhëniet e shqiptarëve me Despotatin e Janinës mbetën të tendosura edhe në kohën e sundimit të Izaut, ndonëse aty nga viti 1394, ky mori për grua të bijën e Gjin Shpatës, Irenën, i nxitur edhe nga arkondët e qytetit. Inkursionet e reparteve osmane, të thirrura nga despoti i ri i Janinës, vazhduan edhe paskëtaj, madje për të siguruar mbështetjen më të madhe të sulltanit osman, despoti Izau u shpall vasal i tij (1387). Ndërkohë mbi Despotatin shqiptar të Nartës qenë intensifikuar edhe sulmet e kontit të Qefalonisë Karl Tokos, nip i Izaut.

Në rrethana të tilla të vështira, më 29 tetor të vitit 1399 vdiq despoti Gjin Bua Shpata "burrë i fuqishëm, i admirueshëm e lavdi e Arbërisë”, siç e quan atë një kronikë e kohës. Me emrin e tij është e lidhur periudha më e lulëzuar e historisë së Despotatit shqiptar të Nartës. Zotërimet e Shpatajve u ndanë midis të afërme të tij, që shpeshherë ishin në armiqësi e mëri me njëri-tjetrin. Një mëri e tillë ekzistonte dhe midis Muriq Shpatës dhe Sguro Bua Shpatës, që qeveriste zotërimet jugore të Shpatajve. Si vëlla i Gjinit, këtij i takonte të ishte trashëgimtar i ligjshëm i fronit. Por Muriqi, i ri dhe ambicioz, mundi ta mënjanojë kushëririn e tij plak dhe të marrë në dorë drejtimin e principatës.

Me ardhjen në pushtet vëmendja e Shpatës së ri u zhvendos nga Lindja, ku despotët e Janinës dhe osmanët e Thesalisë kishin qenë kujdesi kryesor i paraardhësit të tij të madh. Me komandantët osmanë të Thesalisë Muriqi nuk e pati të vështirë të gjente një modus vivendi, sidomos pas katastrofës që sulltan Bajaziti pësoi nga mongolët e Timurlengut në betejën e Ankarasë (1402). U shtensionuan edhe marrëdhëniet me despotin Ezau të Janinës, që ishte njerk i Muriqit dhe që për më tepër kërkoi dorën e vajzës së Muriqit për djalin e tij të lindur nga martesa me shqiptaren Evdoqia Balsha, vajzë e Gjergjit I Balsha.

Në këtë mënyrë vëmendja e Muriq Shpatës u përqendrua nga rreziku që i vinte zotërimeve të tij nga konti i Qefalonisë Karl Tokoja. Për sa kohë në krye të principatës kishte qenë Gjin Bua Shpata, Tokoja kishte dalë gjithnjë i mundur nga ballafaqimi me shqiptarët. Këta, madje, ishin në gjendje të organizonin me anije sulme mbi ishujt e tij të Qefalonisë dhe Leukadës, gjë që e kishte shtyrë kontin të kërkonte ndihmën e Napolit e të Venedikut.

Por në vitet e para të sundimit të Muriq Shpatës, raporti i forcave paraqitej i ndryshuar në favor të Tokos. Grindjet dhe pakënaqësitë ndaj sundimtarit të ri të Nartës shtynë mjaft feudalë shqiptarë dhe krerë bashkësish nga Parga, Paramithia, Margëlliçi e Janina (përfshirë bashkësitë e mëdha të mazrekëve e malakasëve) të dorëzoheshin përpara dhuratave dhe premtimeve që u drejtoi atyre me bollëk konti Karl Toko. Në këtë mënyrë, me një ushtri, lulen e së cilës e përbënin luftëtarët shqiptarë, ku shquheshin vëllezërit Muriq e Dhimo Bua, si dhe me ndihmën e një flote të ofruar nga mbreti i Napolit, Karl Tokoja, filloi t'i rrëmbejë Muriq Shpatës njërin zotërim pas tjetrit. Si pasardhës i kontëve nga familja Orsini të Qefalonisë, ai pretendonte të bëhej, ashtu siç qenë bërë ata një shekull më parë, despot i krejt Epirit.

Në këtë mënyrë, me luftë dhe më shumë me dredhi, Karl Tokoja u rrëmbeu Shpatajve një sërë kështjellash, fillimisht në jug të gjirit të Nartës, si Katohinë, Varnakun, Kandilen, Anatolikon e Dragomestin (1401-1404). Prej këndej ai filloi sulmet dhe plaçkitjet në territorin e Angjelokastrës e të Nartës. Shumë shpejt Muriq Shpata u detyrua të lëshojë kështjellat e Riniasës e Ajtoit, që siguronin mbrojtjen e Nartës. Gjatë një beteje me forcat e Tokos, u plagos rëndë e më tej vdiq edhe vëllai i legjendarit Gjin Bua Shpata, Sguroj, i cili të paktën në çastet e fundit gjeti ngushëllim kur pa se Muriq Shpata me forcat e tij po vraponte t'i vinte në ndihmë.

I biri i Sguros, Pal Shpata, në pamundësi t'i ruante zotërimet që i la i ati në jug të gjirit të Nartës, nxitoi t'ia ofrojë ato Venedikut. Më 1402 ai i propozoi këtij lëshimin e kështjellës së rëndësishme bregdetare të Lepantos si dhe vetë kryeqendrën e vet, Angjelokastrën. Ndërsa mori në dorëzim të parën (1407), kundrejt një shpërblimi, Republika e Venedikut u mor vesh me Karl Tokon që e dyta, Angjelokastra, t'i kalonte këtij të fundit (1408). Në këtë mënyrë Shpatajt humbën përfundimisht zotërimet në jug të gjirit të Nartës, në Etoli e në Akarnani.

Në kushtet e dobësimit e të përçarjes së krerëve shqiptarë, konti Karl Toko nuk e pati të vështirë të zinte vendin e despotit Ezau të Janinës, kur ky i fundit vdiq (1411). Krahas elementëve të parisë së qytetit, ku u shqua greku Simon Stratigopulos dhe dhëndri i tij, serbi Stefan Vojsllavi, dorëzimin e Janinës në duar të Karl Tokos e përkrahën edhe mjaft krerë e bashkësi shqiptare, brenda e jashtë qytetit, të cilët ai i kishte joshur me dhurata e premtime. Tashmë i pafuqishëm ndaj ngjitjes së rivalit të tij, Muriq Shpata nuk qe në gjendje të shfrytëzonte momentin e favorshëm pas thyerjes së ushtrive të Tokos nga Gjon Zenebishi në betejën e Kranesë, afër Mesopotamit (1411). Më 1415 ai vdiq, duke ia lënë barrën e drejtimit, të asaj që kishte mbetur nga Principata e dikurshme e Gjin Bua Shpatës, vëllait të tij, Jakupit, që kishte kaluar në fenë islame.

Jakupi tregoi që në fillim një dinamizëm e trimëri që s'e kishin karakterizuar vëllanë e tij. Me të u bashkuan mjaft edhe nga krerët apo bashkësitë shqiptare që ishin hedhur në anën e Karl Tokos, siç qe, p.sh., prijësi i shquar Muriq Bua.

Në pamundësi për ta thyer sundimtarin e ri shqiptar në fushë të hapur, Karl Tokoja i përgatiti atij një pritë në kështjellën e Vombljanës, afër Nartës. I ftuar nga kështjellari i saj, njeri i Karl Tokos, gjoja për ta marrë në dorëzim kështjellën, Jakup Shpata u sulmua tradhtisht nga forcat e Tokos ndërsa u qe afruar me trupat e tij mureve të saj. Jakupi vdiq me shpatë në dorë mes luftëtarëve të tij. Me vrasjen e tij u shënua dhe fati i Nartës dhe i gjithë zotërimit të Shpatajve. Më 4 tetor 1416 Karl Tokoja hyri në Nartë. Pinjollët e fundit të Shpatajve ose pranuan të hyjnë në shërbim të Karl Tokos, ose emigruan drejt Moresë dhe ishujve të Jonit.