Dhëmbi i qenit
Kjo faqe është e palidhur nga faqe të tjera. |
Ky artikull ose seksion duhet të përmirësohet sipas udhëzimeve të Wikipedia-s. |
Dhëmbi i qenit prodhim grek të vitit 2009, nga regjizori i talentuar Yorgos Lanthimos. Informacioni për filmin me titull “Dogtooth” në anglisht, mund të gjendet këtu dhe këtu.
shkurtimisht, tematika përmblidhet rreth një familjeje e përbërë prej dy prindërve dhe tre fëmijëve të tyre, dy goca dhe një çun, që jetojnë diku në një vilë të izoluar prej botës, në periferi.
Jeta familjare e personazheve, është krejtësisht e izoluar, për shkak të kufizimeve që prindërit u vendosin fëmijëve të tyre. Vila rrethohet nga një gardh me kangjella të larta, bota e jashtme është diçka e ndaluar, e keqe dhe e egër. Prej kufijve të vilës, lejohet të dilet vetëm me automobil, dhe fëmijët do jenë të gatshëm ta bëjnë një gjë të tillë, kur njëri prej dhëmbëve të qenit, do të bjerë. (i majti apo i djathti nuk ka rëndësi).
Rreth këtij skenari vërtitet gjithë komploti. Me skena surreale por të ndërtuara me thjeshtësi, japin një shfaqje makabre të dhunës reale në miniaturë, përmes dhunës artistike të regjizorit, që godet rëndë, ndjeshëm dhe shumë herë në stomak. Këshillohet që ky i fundit të jetë në gjendje optimale për t’u bërë i mundur shikimi i filmit në fjalë.
Një prej problematikave shumëplanëshe të trajtuara në film, është ajo e deformimit. Deformim, dizinformim për realitetin jashtë, deformim gjuhësor, llogjik, konceptual. Deformim deri në marrëdhëniet më sublime, si dashuria e prindërve, dashuri vëllazërore, deformim që prek palcën e shtyllës kurrizore të njeriut. Mjeshtëria me të cilën këto deformime shfaqen të bën për vete. Autori i filmit ka njohuri glosologjike, mprehtësi dhe aftësi analitike të jashtëzakonshme.
Filmi, në këtë mënyrë, bëhet pothuajse formulë dhe antidot i propagandës fashiste moderne, një hije e keqe kjo që ka përfshirë vetë Greqinë e sotme.
Receta e antihelmit artistik, jepet me skena të thjeshta, të goditura dhe kuptimplota:
Një gjysh imagjinar nën emrin e Frank Sinatrës dhe një përkthim akoma më origjinal i “Fly me to the moon”
Një botë ku kafsha dhe armiku më i egër dhe i rrezikshëm është macja, njerëzit, detyrohen prej frikës të shndërrohen në qenër.
Dhe frika vetë, herë shfaqet si fytyrë dhe duar me “gjak”, që prindi ua ofron fëmijëve me pëllëmbë hapur, për të demonstruar përmasat.
Dhe herë të tjera, në kujtimin e një heroi të panjohur, por edhe (surealisht) të afërt, të rënë në betejën me “botën tjetër”.
Dhëmbi i qenit kafshon, godet, bie në stomak rëndë dhe nuk tretet. Hyn aq thellë në përmasa personale, sa kur mbaron filmi, të vjen të pyesësh veten: Sa e drejtë është vërtet shtylla jote kurrizore, ajo që të mban në këmbë?
Informacioni është marrë nga Busulla.