Diskutim:Dita e Çlirimit
Kjo faqe këtu është vetëm për diskutim mbi artikullin Dita e Çlirimit. Wikipedia nxit diskutimin mes vullnetarëve të saj dhe nuk do të censurojë komente bazuar në pikëpamjet ideologjike ose politike. Wikipedia nuk do t’i ndryshojë komentet. Ato ose do të publikohen, ose do të fshihen nëse nuk u binden rregullave kryesore.
|
Të gjitha komentet u nënshtrohen këtyre rregullave:
|
|
|
Sections older than 14 days may be automatically archived by MajavahBot. |
Dita e çlirimit të Shqipërisë - Dokumentet e dhuruara nga ish-këshilltari ushtarak gjerman, koloneli Volfman Hofman, nuk dëshmojnë ikjen e "ushtarit të fundit gjerman nga Shqipëria më 28 nëntor 1944".Ceremonia që u organizua në shkurt të vitit 2002 nga Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë për marrjen në dorëzim të fotokopjeve të dy dokumenteve për datën e çlirimit të Shqipërisë, që koloneli Volfman Hofman, ish-këshilltar ushtarak gjerman pranë atij dikasteri, bashkë me një letër në gjuhën shqipe të firmosur prej tij, ia dorëzoi gjeneralmajorit Pëllumb Qazimi, ishte një veprim jashtë kuadrit ligjor që zbatohet në vendin tonë për dokumentet historike.
Dokumente të tilla depozitohen nëpër arkivat shtetërorë të vendit tonë, kryesisht në Arkivin Qendror Shtetëror. Qëndrimet e mëtejshme të përfaqësuesve të Ministrisë së Mbrojtjes kanë qenë jo vetëm politike, por edhe jashtë etikës së komunikimit me median dhe studiuesit. Gjatë ceremonisë së dhurimit të fotokopjeve të të dy dokumenteve prej kolonelit V. Hofman, përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes i refuzuan kërkesat e gazetarëve për të marrë fotokopje të tyre që t’i botonin nëpër gazeta dhe t’i jepin në televizion. Në rrethana të tilla, kur Ministria e Mbrojtjes nuk lejoi që persona të tjerë të dispononin kopje të dokumenteve të dhuruara nga koloneli V. Hofman, m‘u desh të ndiqja rrugë të tërthorta për t‘i shtënë ato në dorë. Z. Uran Butka iu drejtua Arkivit të Shtetit që të zbatohej legjislacioni në fuqi dhe t‘i kërkohej Ministrisë së Mbrojtjes që t‘i dorëzonte Arkivit kopje të atyre dokumenteve. Ndërkaq deputeti dhe sekretari i Komisionit të Mbrojtjes të Kuvendit të Shqipërisë, z. Astrit Bushati, vazhdimisht e me insistim për disa muaj i kërkoi Ministrisë së Mbrojtjes që t‘i dorëzoheshin kopje të këtyre dokumenteve, por nuk arriti t‘i merrte ato. Vetëm pas kërkesës së përsëritur të nënkryetares së Kuvendit, z. Jozefina Topalli, Ministria e Mbrojtjes u detyrua në maj të vitit 2002 t‘ia jepte fotokopjet e tyre z. Jozefina Topalli dhe t‘i depozitonte ato në Arkivin e Shtetit. Mbajtja e fshehtë e fotokopjeve të këtyre dokumenteve krijoi mundësinë për keqinformimin e opinionit publik prej disa personave. Gazeta "Ushtria", organ qendror i Ministrisë së Mbrojtjes, më datën 1 mars të vitit 2002 botoi si kryeartikull të saj një intervistë me dhuruesin e fotokopjeve të të dy dokumenteve: "Dokumenti: "Ushtari i fundit gjerman iku nga Shqipëria më 29 nëntor `44". Përmbajtja e këtij titulli nuk pasqyrohet në dokumentet e dhuruara. Krahas kësaj interviste, në gazetën "Ushtria" u botua me faksimile letra që koloneli V. Hofman i ka dërguar gjeneralmajorit Pëllumb Qazimi, si edhe faksimile me paragrafë prej të dy dokumenteve e që janë pothuajse të palexueshme. Në letrën në gjuhën shqipe, të firmosur nga koloneli V. Hofman, është shkruar : "Korpusi XXI alpin …lëshoi më 29. 11. 1944 qytetin e fundit të madh të Shqipërisë, Shkodrën. Prandaj kjo datë mund të quhet fundi i pushtimit të Shqipërisë". Në tekstin e intervistës, pasi përsëritet fraza e mësipërme, vijohet: "Është shkruar pikërisht kështu, e zeza mbi të bardhë". Për këto fjalë të dhëna më sipër nuk është dhënë asnjë pjesë e cituar nga dokumenti. Po më 1 mars të vitit 2002 gazeta "Zëri i Popullit", duke e paraqitur ish-këshilltarin gjerman, kolonelin V. Hofman, me gradën e gjeneralit, botoi artikullin "Dokumenti, një shuplakë historike mbi falsifikatorët". Kjo gazetë botoi gjithashtu edhe një prononcim të Xhemil Frashërit, si edhe një foto të fotokopjeve të të dy dokumenteve të vendosur në një kornizë xhami, për të dëshmuar në këtë mënyrë se kishte "arsye" se pse kopjet e këtyre dokumenteve nuk u jepeshin të tjerëve. Edhe gazeta "Kushtrim brezash", po më 1 mars të vitit 2002, dha njoftimin e shkurtër për dorëzimin e dy dokumenteve nga koloneli V. Hofman. Për të dëshmuar se gjoja këto dokumente vertetojnë se Shkodra është çliruar më 29 nëntor të vitit 1944, Xhelal Gjeçovi, më 29 mars të vitit 2002, ka botuar në gazetën "Shekulli" një artikull me titullin: "Historia dhe vlera e një dokumenti". Edhe ky autor nuk ka cituar asnjë pjesë a frazë prej dy dokumenteve të dhuruara. Në vend të tyre Xh. Gjeçovi ka risjellë dokumente të përdorura në shkrimet e mëparshme të tij ("Zëri i Popullit" 21.10.1997 ; po aty 29.ll.1997 ; "Shekulli" 22.ll.1999) dhe të Xhemil Frashërit ("Zëri i Popullit" 28.ll.1999 ; "Studime historike" 2000, nr. 1-2). Këto shkrime janë shqyrtuar imtësisht në librin tim "28 nëntor 1944 - Dita e Çlirimit të Shqipërisë" (Tiranë 2001) dhe kam treguar pasaktësistë dhe shtrembërimet që u janë bërë dokumenteve gjatë sundimit tiranik të E. Hoxhës, veçanërisht nga vetë Xh. Frashëri me shkrimet e botuara prej tij në organet e sipërpërmendura. Ndërkaq gazeta "Ballkan" botoi më 4 prill të vitit 2002 artikullin pa emër autori: "Rikthehet debati: Kur u çlirua Shqipëria ?". Në këtë artikull jepet se nga përmbajtja e dokumenteve, të dhuruara prej kolonelit V. Hofman, nuk del se Shkodra është çliruar më 29 nëntor. Kur Ministria e Mbrojtjes i dorëzoi z. Jozefina Topalli fotokopjet e të dy dokumenteve ushtarake gjermane, thuajse në të njëjtën kohë dhe jo rastësisht, por me shpresën se njerëz të tjerë nuk do të guxonin të merreshin më me çështjen e datës së çlirimit të Shqipërisë, reagoi politikisht ndaj artikullit pa emër autori, të botuar dy muaj më parë në gazetën "Ballkan", një punonjës i Ministrisë së Mbrojtjes, koloneli Sali Onuzi, me shkrimin: "Hoffman: Forcat gjermane u tërhoqën përfundimisht nga Shkodra më 29 nëntor 1944" (gaz. "Kushtrim brezash", 7, 14 dhe 21 qershor 2002). Ky shkrim i gjatë i tij është hartuar me fjalorin dhe stililin anakronik demaskues të komisarëve politikë enveristë të ushtrisë, të cilët, pasi tirani gjaksor E. Hoxha "zbulonte" herëpashere armiq në radhët e saj, ata i mbanin iso dhe vijonin denoncimin nëpër mbledhje të ndryshme, madje edhe vetë këta, me fantazinë e tyre të sëmurë, arrinin "të zbulonin" armiq të tjerë. Shkrimi i Sali Onuzit dëshmon më së miri se sa larg është depolitizimi i vërtetë i një pjese të ushtarakëve të lartë të ushtrisë sonë. Pasi ka dhënë të përkthyera me pasaktësi pjesët e dokumenteve ku përmendet Shkodra (gjë që vë në dyshim edhe përkthimin shqip të letrës dhe të intervistës së kolonelit V. Hofman), koloneli S. Onuzi ka bërë këtë interpretim të gabuar të përmbajtjes së tyre: "Pra në të dy dokumentet, thelbi i informacionit është i njëjtë: është regjistruar më 30 nëntor si informacion ditor për veprimtarinë e një dite dhe është e kuptueshme se përfshin datën 29 nëntor. Më 30 nëntor informacioni nuk mund të quhet më ditor për datën 28 nëntor". Në vijim S. Onuzi ka përsëritur po ato dokumente që janë përdorura më parë në shkrimet e Xh. Frashërit dhe të Xh. Gjeçovit. Në artikujt e tyre, që japin të njëjtat gjëra, në vend që të shqyrtohen të gjitha burimet historike për datën e çlirimit të Shkodrës, ata kanë përzgjedhur një sasi fare të kufizuar dokumentesh pa ua shqyrtuar përmbajtjen. Në shkrimet e tyre nuk jepen dokumentet e shumta që tregojnë se Shkodra dhe Shqipëria janë çliruar më 28 nëntor. Ata injorojnë realitete të tilla, se më 1944 kjo datë është kremtuar në të gjithë Shqipërinë si dita e çlirimit (prandaj qeveria dhe organet e tjera shtetërore erdhën në Tiranë 11 ditë pas çlirimit të saj, më 28 nëntor), se në vendimet që morën më 28 nëntor të vitit 1944 organet e larta të pushtetit komunist, si edhe në fjalimin që vetë E. Hoxha ka mbajtur në Tiranë po atë ditë e kanë quajtur 28 nëntorin si datë të çlirimit të Shqipërisë. Më mirë se kushdo tjetër datën e çlirimit të qytetit të tyre e kanë ditur vetë shkodranët. Në Shkodër 28 nëntori vijoi të kremtohej si dita e çlirimit edhe në vitin 1945, siç e dëshmon shtypi lokal i kohës (foto 1), artikuj të të cilit për këtë datë i kam ribotuar në librin kushtuar datës së çlirimit. Ato që kam thënë në këtë libër nuk po i përsëris. Për datën e çlirimit të Shqipërisë vijon këmbëngulja e autorëve të mësipërm, të cilët keqpërdorin burimet dhe të dhënat historike për të disinformuar opinionin publik. Xh. Frashëri e Xh. Gjeçovi vazhdimisht kanë përdorur në shkrimet e tyre dy trakte, të 28 dhe 30 nëntorit 1944, i pari i Këshillit Nacionalçlirimtar të Shkodrës dhe i dyti i është atribuar qëllimisht për disinformim po këtij Këshilli. Trakti i parë është titulluar "Drejt çlirimit" dhe në fund mban datën "28 nanduer 1944" dhe ka frazën "Mbas çlirimit të Tiranës vetëm Shkodra mbeti pa u çlirue". Trakti është ribotuar i plotë në librin e K. Biçokut, 28 nëntor 1944… (f. 65-68). Për studiuesin, që i njeh të gjitha burimet për datën e çlirimit të Shkodrës, trakti i mësipërm nuk bie ndesh me burimet e shumta që tregojnë se Shkodra është çliruar mbasditen e 28 nëntorit, sepse trakti duhet të jetë shtypur natën e 27-28 nëntorit ose së shumti në mëngjesin e 28 nëntorit, kur gjermanët ende nuk ishin larguar nga rajoni i Shkodrës. Madje pjesa e këtij trakti: "roja që vetë populli ka ba mbramë vullnetarisht nëpër lagjet e vërteton një fakt të tillë dhe dëshmon se ay s`ka qenë kurrë me okupatorin e këlyshët e tij", tregon se natën e 27-28 nëntorit praparojat e ushtrisë gjermane ishin tërhequr nga qyteti i Shkodrës dhe ishin vendosur në periferi të tij, sepse pjesa kryesore e trupave gjermane ishin larguar nga Shqipëria. Edhe më i qëllimshëm është interpretimi që i kanë bërë traktit të 30 nëntorit me titull "Shkodra u çlirua" (foto 2), në të cilin nuk thuhet se Shkodra është çliruar më 29 nëntor. Ky trakt është shkruar toskërisht, më letër e me shkronja të ndryshme nga ato të traktit të 28 nëntorit. Megjithëse nuk ka të shënuar atë që e ka hartuar, në ribotimet që i janë bërë më pas, qëllimisht për të keqinformuar, i është atribuar Këshillit Nacionalçlirimtar të Shkodrës. Trakti duhet të jetë shtypur në Tiranë, sepse atë ditë shtypi nuk kishte dalë nga që vijonte për të tretën ditë festimi i çlirimit të Shqipërisë. Falsifikimin e emrit të subjektit që e ka hartuar traktin e ka bërë për herë të parë Instituti i Historisë së Partisë pranë KQ të PPSH në vëllimin "Thirrje dhe Trakte të Partisë Komuniste të Shqipërisë 1941-1944" (Tiranë 1962, f. 607-608). Në shkrimet e autorëve të mësipërm janë përzgjedhur për t‘u keqinterpretuar edhe disa dokumente ushtarake gjermane. Këto dokumente përgjithësisht janë shënime shumë të përmbledhura e në formë ditaresh të komandave eprore të ushtrisë gjermane, të hartuara larg tokave shqiptare dhe zakonisht disa muaj pas informacioneve që kanë marrë nga komandat ushtarake vartëse. Prandaj ato, siç kam shkruar edhe më parë, japin data të ndryshme për çlirimin e Shkodrës, 28, 29 e 30 nëntor, madje edhe 4 dhjetor. Njëri prej këtyre dokumenteve, i përdorur prej të gjithë autorëve të mësipërm, është : "29.11. Urat, që kalojnë në Bunë dhe Drin të Shkodrës, u shkatërruan. Praparoja gjendet në Koplik". Sipas këtij dokumenti Kopliku edhe më 29 nëntor vijonte të ishte nën pushtimin gjerman. Kjo nuk është e vërtetë dhe dëshmon për pasaktësitë kronologjike që kanë dokumentet ushtarake gjermane. Autorët e mësipërm dhe të tjerë, krahas keqpërdorimit të dokumenteve historike për datën e çlirimit të Shqipërisë, në të njëjtën mënyrë kanë vepruar edhe për pasqyrimin e ngjarjeve të njohura historike, siç është p. sh. festa kombëtare e Jugosllavisë, 29 nëntori. Disa herë kam vënë në dukje se, në kuadrin e politikës antikombëtare të E. Hoxhës për bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë, data 29 nëntor u bë festë zyrtare e Shqipërisë (në kundërshtim me të vertetën historike dhe me kriteret që përdoren për caktimin e datave të festave kombëtare e shtetërore) për ta kremtuar në të njëjtën ditë me festën kombëtare të Jugosllavise, e cila e përkujton 29 nëntorin e vitit 1943, datën kur u mbajt në Jajcë Mbledhja II e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të Jugosllavisë (AVNOJ), si datë të shënuar kur u hodhën themelet organizative të shtetit komunist titist. Vendimet e AVNOJ-it u imituan pas disa muajsh, më 24 maj 1944, nga E. Hoxha në Kongresin e Përmetit. Autorëve të mësipërm u është shtuar edhe Ana Lalaj. Ata disa herë janë prononcuar për çështjen e kësaj date, duke shtrëmbëruar të vertetën. A. Lalaj ka shkruar më 1997 se 29 nëntori paska qenë "data e çlirimit të Beogradit" ("Gazeta Shqiptare", 31 tetor 1997). Ky qytet është çliruar më 20 tetor 1944 ("Enciklopedija Jugoslavije, l, Zagreb, 1955", f. 447). Në emisionin televiziv të transmetuar në mëngjesin e datës 29 nëntor 2001 në "Vizion +" Ana Lalaj ka deklaruar një të pavërtetë tjetër : "29 nëntori si festë e Jugosllavisë është vënë më 1946, kurse e jona më 1945". E verteta është ndryshe. Disa herë kam shkruar se 29 nëntori i vitit 1943, si festë kombëtare e Jugosllavisë, është kremtuar qysh në fillim, siç e ka dhënë edhe një kronikë e botuar në gazetën "Bashkimi" më 30 nëntor të vitit 1945 dhe që përshkruan kremtimin e saj në Tiranë nga Legata Jugosllave (foto 3). Kurse vendimi për kremtimin e 29 nëntorit si festë të çlirimit të Shqipërisë është marrë nga Kryesia e Këshillit ANÇ më 9 nëntor të vitit 1945 (disa anëtarë të kësaj Kryesie e kanë kundërshtuar datën 29 nëntor dhe votuan kundër saj) dhe u botua në "Gazetën Zyrtare" më 30 nëntor të vitit 1945, prandaj zyrtarisht ajo filloi të kremtohej në Shqipëri në vitin 1946, sepse në nenin 8 të vendimit është shkruar: "Kjo ligjë hyn në fuqi ditën e botimit të saj në "Gazetën Zyrtare" (Procesverbali i mbledhjes së 9 nëntorit të Kryesisë së Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar është botuar për here të parë i plotë nga K. Biçoku, 28 nëntor 1944…, f. 71-77). Për këtë arësye, në vitin 1945 Kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, jo me rastin e 29 nëntorit, por "me rastin e 28 nëntorit" shpalli "faljen dhe uljen e dënimeve për të dënuarit si kriminelë lufte dhe armiq të popullit" (gazeta "Bashkimi" 28.11.1945 ; "Gazeta Zyrtare", nr. 76, 1.12.1945). Zhurma dhe keqpërdorimi që u bë me dy dokumentet ushtarake gjermane, fotokopjet e të cilëve koloneli V. Hofman ia dhuroi gjeneralmajorit Pëllumb Qazimi, më detyron të ndalem në përmbajtjen e tyre. Përkthimin e dokumenteve në gjuhën shqipe e kanë bërë dy studiues gjermanë dhe përkthimi i tyre ka ndryshime të rëndësishme me ato që u janë bërë dokumenteve në artikullin pa emër autori të gazetës "Ballkan" dhe në artikullin e kolonelit S. Onuzi. Vetëm njëri nga dy dokumentet e dhuruara nga koloneli V. Hofman është nxerrë nga arkivi. Ai ka titullin "Pjesë nga ditari i luftës i Komandës Supreme të Juglindjes në Zagreb (Agram), me nr. shkrese 3, faqe 673 i 30 nëntorit 1944. Për situatën në Frontin e Adriatikut" (Auszug aus dem Kriegstagebuch des Oberbefehlshaber Südost in Agram. I a - KTB nr. 3. Seite 673. Vom 30 November 1944. Zur Lage an der "Adria-Front"). Vetë dokumenti është një lloj formulari i shtypur, i ndarë në dy kolona të emërtuara përkatësisht: "Data, ora, vendi dhe lloji i gazermës" (Tag, Uhrzeit, Ort und Art Unterkunft) dhe "Paraqitja e ngjarjeve (Më të rëndësishmet : Vlerësimi i situatës [armiku dhe mjetet]. Koha e hyrjes dhe e daljes së informacioneve dhe të urdhërave)" (D a r s t e l l u n g d e r E r e i g n i s s e (Dabei wichtig : Beurteilung der Lage [Feind und eigene]. Eingangs und Abgangszeiten von Meldungen und Befehlen)) (foto 4, shih numrin e kaluar). Nën titullin e kolonës së parë, që zë rreth ¼ e faqes, është shënuar me makinë shkrimi : "30.11.1944 Drejtimi është Zagrebi" (30.11.1944 Führungsabteilung Agram). Kurse nën titullin e kolonës së dytë, po me makinë shkrimi, është shkruar: "Për situatën : Grupi ushtarak E" (Zur Lage : H. Gr. E). Pas këtyre në mënyrë shumë koncize janë dhënë ngjarjet kryesore në fillim ato të "Frontit të Lindjes", në vijim ato të "Frontit të Adriatikut" dhe të "Egjeut". Në to del qartë se janë përfshirë ngjarjet më të rëndësishme të të tria ditëve, 28, 29 dhe 30 nëntor, duke i veçuar ato njëra nga tjetra. Ja teksti për dy frontet e fundit : "Adria-Front : Skutari geräumt. Öffnung der neuen marschstrasse XXI. AK. nach Matesevo schreitet gegen zähen Feind nur langsam vorwärts. Bei andauernden Kämpfen im Raum Lise auflebende Gefechts-Tätigkeit an HKL S und SW Mostar. XCI. AK. z.b.V. hat bei flüssigen marschgewegungen Nacht 29./30.11. Novi Pazar geräumt Feind folgt zögernd. Gren. Rgt. 47 am 30.11. früh aus Prijepolje zur Öffnung Strasse nach Brodarevo-Bijelopolje angetreten.Ägäis:Am 28.11. Feindanlandung im N-Teil auf Insel Piskopi, alle Angriffe in Liwadia-Bucht abgewiesen, Feindverband gab Kampf auf und zog sich in Richtung Simi zurück". Përkthimi shqip : "Fronti i Adriatikut:Shkodra u zbraz. Hapja e rrugës së re për marshimin e korparmatës XXI për në Mateshevo, për shkak të qëndresës së fortë të armikut, është vetëm e ngadaltë. Luftimet ndërkohë vijojnë pa ndërprerje në zonën e Linzës dhe rigjallërohet veprimtaria luftarake në HKL të Jugut dhe të Jugperendimit të Mostarit. E ndjekur me ngurim nga armiku, Korpormata XCI, me detyrë speciale, ka braktisur Novipazarin me marshim të pandërprerë natën e 29-30 nëntorit. Regjimenti i 47 i Granatierëve më 30 nëntor në mëngjes është nisur nga Priepolja për hapjen e rrugës në Brodarevo-Bjelopolje. Egjeu : Më 28.11 trupat armike kanë desantuar në pjesën veriore të ishullit Piskop dhe u sprapsën të gjitha sulmet e tyre në gjirin e Livadias. Grupimi armik hoqi dorë nga luftimet dhe u tërhoq në drejtim të Simit". (Përkthimi i Ministrisë së Mbrojtjes është : "Fronti i Adriatikut : Shkodra u zbraz. marshimi i ri përpara korparmatës XXI për Mateshevo, për shkak të qëndresës së armikut, është i ngadaltë. Luftimet, ndërkohë, vijojnë në zonën me gjallërimin e veprimtarisë luftarake pranë HKL S dhe SV Mostar"). Ky dokument është hartuar në përputhje me kornizat e një formulari dhe ka kërkesa të parapërcaktuara. Ndër to është i detyrueshëm edhe shënimi i datës për të treguar kohën e veprimeve luftarake në terren. Prandaj data 30 nëntor e tij tregon zhvillimin e ngjarjeve dhe jo datën kur është hartuar dokumenti. Ngjarjet e rëndësishme të ditëve të mëparshme janë shënuar sipas datave përkatëse të 28 dhe 29 nëntorit. Hartimi i tij në Zagreb padyshim është bërë disa kohë pas ngjarjeve që përmenden në të, sepse informacioni nga rajonet e largëta, si psh Shqipëria, për të shkuar në Zagreb dhe, më pas, për t‘u përpunuar, përmbledhur e hedhur nëpër formularë, siç është dokumenti në fjalë, kërkonin kohë dhe nuk mund të bëheshin menjëherë. Prandaj ato kanë edhe pasaktësi kronologjike, sepse informacionet shkonin me vonesë te komandat eprore dhe në to përfshiheshin të përmbledhura episode të ndryshme, ku të parëndësishmit, siç ishte p. sh. largimi i qetë i praparojës së ushtrisë gjermane nga Shkodra, përfshiheshin në datat e episodeve luftarake të rëndësishme. Dokumenti tjetër ka të dhëna më të hollësishme, prandaj me të drejtë është marrë si më i rëndësishmi nga koloneli V. Hofman, i cili e ka shënuar me një shigjetë pjesën e tij për Shqipërinë (foto 5). Këtë dokument ai e ka marrë nga vëllimi "Ditari sekret i Komandës së Wehrmacht-it në Luftën e Dytë Botërore 1939-1945, Vëllimi 11, 01.09 - 31.12.1944" (Die Geheimen Tagesberichte der Deutschen Wehrmachtsführung im Zweiten Weltkrieg 1939-1945, Band 11, 01.09 - 31.12.1944, Osnabrück, 1984), të botuar nga Kurt Mehner në vitin 1984 në Osnabrück të Gjermanisë. Titulli i dokumentit është: "Informacionet ditore nga 30 nëntori 1944" (Tagesmeldungen vom 30 November 1944). Dokumenti është hartuar shumë i përmbledhur në formë ditari nga Komanda e Wehrmacht-it në Berlin sipas informacioneve që i kanë ardhur nga komandat ushtarake vartëse që vepronin në fronte të ndryshme të luftës. Rrjedhimisht ai është hartuar shumë kohë pas datës 30 nëntor 1944 dhe në të janë pasqyruar ngjarjet kryesore të kësaj date, si dhe, po ashtu si dokumenti i dhënë më parë, edhe ato të datave 28 e 29 nëntor, të cilat dallohen qartë në faksimilen e dokumentit. Prandaj edhe pjesët përkatëse nuk po i japim të transkriptuara e të përkthyera. Ja teksti gjermanisht i pjesës së dokumentit për Shqipërinë dhe rajonin pranë saj : "LXXXXI A. K. z.b.V. : Novipazar ohne wesentlichen Feinddruck geräumt. Auf Plevlja angesetzte Rgt.-Gruppe 22. I. D. gegenüber zähem Widerstand Jabuka-Pass genommen. Adria-Front: XXI. Geb. A. K.: Skutari geräumt. Nachhuten im Absetzen in Aufnahmestellung an Nordostausläufen Skutari-See. Wiederholt gegen Westteil Brückenkopf Bioce geführte Bandenangriffe abgewiesen. Zum Angriff aus Brückenkopf angetretene Rgt.-Gruppe gegen Widerstand nach Überwindung grösserer Geländeschwierigkeiten Raum um Klopot (8 km. nordnordostwärts Bioce) gewonnen". Përkthimi shqip:"Korparmata LXXXXI, me detyrë speciale: Novipazari është zbrazur pa kundërveprim të rëndësishëm të armikut. Grupi i regjimentit 22. I. D., që do të shkonte në Plevlja, ka marrë qafën e Jabukës duke pasur qëndresë të fortë. Fronti i Adriatikut : Zona e Korparmatës XXI : Shkodra është zbrazur. Praparoja, duke u tërhequr, ka zënë vend në skajin verilindor të liqenit të Shkodrës. Disa herë janë kthyer mbrapsht sulme bandash që ishin drejtuar kundër pjesës perëndimore të pikës mbështetëse Bioce. Grupi i regjimentit, që ishte përqendruar për sulm nga pika mbështetëse, ka marrë zonën rreth Klopotit (8 km në verilindje të Bioces) duke u ndeshur me qëndresën e madhe dhe me vështirësitë e terrenit". (Përkthimi i Ministrisë së Mbrojtjes është : "Fronti i Adriatikut : Korparmata XXI malore zbrazi Shkodrën. Praparoja tërhiqet në pozicion pritjeje në bregun verilindor të liqenit të Shkodrës. Në mënyrë të përsëritur nga perëndimi ka zbrapsur sulmet e zhvilluara nga bandat kundër kryeurës Bioçe. Grup-regjimenti, që sulmon nga kryeura kundër rezistencës, mbasi ka mposhtur vështirësi të terrenit, ka fituar Kllopotin (8 km në verilindje të Bioçes)". Ky dokument i Komandës së ushtrisë gjermane, i hartuar në Berlin, ashtu siç ka të emërtuar edhe titullin e tij, flet për ngjarjet e 30 nëntorit dhe, siç e tregon faksimilja e tij, në te janë veçuar ngjarjet e rëndësishme të datave 28 dhe 29 nëntor. Që në dokument janë rrëfyer ngjarjet e 30 nëntorit e dëshmon edhe përmendja në të e largimit të gjermanëve nga Novipazari. Sipas librit "Kronologjia e Luftës Çlirimtare të Popujve të Jugosllavisë" (Hronologija Oslobodilaèke Borbe Naroda Jugoslavije 1941-1945), të botuar nga Instituti Ushtarak i Beogradit më 1964, Novipazari është çliruar më 30 nëntor (f. 1020, foto 6). Prandaj janë të gabuara deklarimet e ish-këshilltarit ushtarak gjerman, kolonelit V. Hofman, se "Korpusi XXI alpin …lëshoi më 29.11.1944 qytetin e fundit të madh të Shqipërisë, Shkodrën. Prandaj kjo datë mund të quhet fundi i pushtimit të Shqipërisë". Këto deklarime të kolonelit V. Hofman mund të shpjegohen prej lokalizimit të gabuar që, me "ndihmën" e punonjësve të Ministrisë së Mbrojtjes, duhet t`i ketë bërë rajonit të Klopotit (që gjendet në verilindje të Podgoricës), duke e ngatërruar me Koplikun. Prandaj ai ka shkruar "qytetin e fundit të madh të Shqipërisë, Shkodrën", duke nënkuptuar se Kopliku ishte një qendër e vogël banimi dhe rrjedhimisht i parëndësishëm për të shënuar e përkujtuar datën e çlirimit të tij. Gjithashtu mund të vihet një hije dyshimi për saktësinë e përkthimit shqip të letrës dhe të intervistës së kolonelit V. Hofman, po të nisemi, siç është treguar më sipër, nga pasaktësia e përkthimit shqip që Ministria e Mbrojtjes u ka bërë dy dokumenteve të dhuruara prej tij. Në përfundim të këtij shkrimi theksojmë se, në kundërshtim me statusin e saj si institucion i depolitizuar, Ministria e Mbrojtjes në këtë rast hyri në lojën e atyre që, për qëllime politike, i manipulojnë dokumentet për të shtrembëruar të vertetën historike. Përfundimi se "Shkodra është çliruar më 28 nëntor 1944", të cilin e ka dhënë Komisioni i Posaçëm, që u ngrit në vitin 1993 me porosi të presidentit të Shqipërisë, z. Sali Berisha, nuk është kundërshtuar nga asnjë institucion shkencor ose komision studiuesish. Deri tani kanë dalë kundër tij vetëm individë të veçantë, të cilët a priori e kanë kundërshtuar politikisht përfundimin e Komisionit të Posaçëm për datën e çlirimit të Shqipërisë dhe jo shkencërisht mbi bazën e të dhënave tërësore të burimeve historike dhe të shqyrtimit të përmbajtjes së tyre. Për të vërtetën historike, se Shqipëria është çliruar më 28 nëntor të vitit 1944, po jap edhe një të dhënë tjetër burimore që lidhet me vetë Ministrinë e Mbojtjes dhe që unë nuk e kam paraqitur në librin "28 nëntor 1944 Dita e Çlirimit të Shqipërisë". Kjo e dhënë është medalja e çlirimit. Në një vendim të Qeverisë për medaljen e çlirimit është shënuar se medaljen e çlirimit e meritonin ata persona që kanë qenë në radhët e formacioneve partizane deri më 28 nëntor të vitit 1944. Në zbatim të këtij vendimi, Ministria e Luftës dhe e Mbrojtjes Kombëtare më 23 nëntor 1945 nxori qarkoren përkatëse (për ekzistencën e saj pati mirësinë të më njoftonte z. Albert Kotini, i cili më dhuroi edhe një fotokopje të këtij dokumenti), ku është shkruar: "Medaljen e çlirimit e marrin :
a) Të gjithë ata që deri më datë 28 nëntor 1944 [nënvizimi i K. B.] ishin nën armë nër [ndër, K. B.] reparte operuese, nër reparte të prapavijave ose nër Komanda dhe ente ushtarake. b) Të gjithë ata që kanë qenë nër reparte operuese të prapavijave ose nër Komanda dhe ente ushtarake por që para datës 28 nëntor janë larguar nga ushtria me një urdhër epror (kalim në lirim, në Pushtet ose çmobilizim t`urdhëruar nga Komanda e Përgjithshme)" (foto 7). Kurse certifikata e Medaljes së Çlirimit, që është lëshuar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor dhe që e kanë marrë shumë veteranë, ka këtë motivacion : "Ka marrë pjesë në rjeshtat e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare dhe me armë në dorë ka luftuar kundra okupatorit dhe tradhëtarëve deri në çlirimin e plotë t` Atdheut [nënvizimi i K. B.] dhe të Popullit Shqiptar" (foto 8). Kështu që edhe në dokumentet e vetë Ministrisë së Mbrojtjes, që në shkurt të vitit 2002 doli në ballë të mashtrimeve për datën e çlirimit të vendit tonë, 28 nëntori i vitit 1944 është quajtuar si datë e çlirimit të Shqipërisë.
Internet Archive Bot
[Redakto nëpërmjet kodit]Përshëndetje, redaktorë!
Sapo ndryshova 3 lidhje të jashtme te artikulli Dita e Çlirimit. Ju lutem, shpenzoni pak kohë për të shqyrtuar redaktimin tim. Nëse keni ndonjë pyetje ose dëshironi që t'i injoroj lidhjet apo faqet krejtësisht në të ardhmen, ju lutem, vizitoni këtë faqe për informacione të mëtejshme. Ndër të tjera, aty mund të gjeni dhe informacion se si mund të rregulloni problemet që mund të kem shkaktuar. Kam bërë këto ndryshime:
- U shtua ky version i arkivuar i faqes https://web.archive.org/web/20210204134541/http://www.gazetadita.al/parada-ushtarake-forca-e-shtetit-tanke-dhe-raketa-ne-bulevard/ për lidhjen http://www.gazetadita.al/parada-ushtarake-forca-e-shtetit-tanke-dhe-raketa-ne-bulevard/.
- U shtua ky version i arkivuar i faqes https://web.archive.org/web/20211017160845/http://shekulli.com.al/7904/ për lidhjen http://shekulli.com.al/7904/.
- U shtua ky version i arkivuar i faqes https://web.archive.org/web/20140903033828/http://aglobalworld.com/holidays-around-the-world/liberation-day-albania/ për lidhjen http://aglobalworld.com/holidays-around-the-world/liberation-day-albania/.
Gjithë të mirat!—InternetArchiveBot (Raportoni probleme) 24 maj 2024 23:50 (CEST)
Internet Archive Bot
[Redakto nëpërmjet kodit]Përshëndetje, redaktorë!
Sapo ndryshova 2 lidhje të jashtme te artikulli Dita e Çlirimit. Ju lutem, shpenzoni pak kohë për të shqyrtuar redaktimin tim. Nëse keni ndonjë pyetje ose dëshironi që t'i injoroj lidhjet apo faqet krejtësisht në të ardhmen, ju lutem, vizitoni këtë faqe për informacione të mëtejshme. Ndër të tjera, aty mund të gjeni dhe informacion se si mund të rregulloni problemet që mund të kem shkaktuar. Kam bërë këto ndryshime:
- U shtua ky version i arkivuar i faqes https://web.archive.org/web/20190817170233/https://sites.psu.edu/adavipassion/2018/11/29/albania-liberation-day/ për lidhjen https://sites.psu.edu/adavipassion/2018/11/29/albania-liberation-day/.
- U shtua ky version i arkivuar i faqes https://web.archive.org/web/20190817174805/http://mbrojtja.gov.al/index.php/newsroom-2/806-kremtohet-70-vjetori-i-clirimit-te-atdheut për lidhjen http://mbrojtja.gov.al/index.php/newsroom-2/806-kremtohet-70-vjetori-i-clirimit-te-atdheut.
Gjithë të mirat!—InternetArchiveBot (Raportoni probleme) 30 maj 2024 21:31 (CEST)