Jump to content

Drejtësia Tranzicionale

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Drejtësia Tranzicionale është një fushë veprimtarie që studion si të merremi me të shkuarën e shkeljes së të drejtave të njeriut në shoqëritë në tranzicion. Qëllimet e aplikimit të drejtësisë tranzicionale, edhe pse ndryshojnë në varësi të konteksti thistorik, lidhen me: njohjen e dinjitetit të viktimave, kompensimin, pranimin e shkeljeve dhe mbi të gjitha me parandilimin e përsëritjeve të fenomeneve të shkeljeve të të drejtave të njeriut.[1]

Sot, drejtësia tranzicionale shpesh ngatërrohet me drejtësinë ndërkombëtare dhe ndjekjen penale. Sidoqoftë, siç tregon edhe ky projekt, drejtësia tranzicionale ka synime më larg-pamëse sesa thjesht dënimi i autorëve të krimit. Synimi i saj thelbësor është të ndërtoje paqe të qëndrueshme dhe të ndihmojë gjatë demokratizimit, përmes shërimit shoqëror dhe përpjekjeve për ri-pajtim.

Sipas Qendrës Ndërkombëtare për Drejtësi Tranzicionale, përpjekjet e drejtësisë tranzicionale përfshijnë:

  • Të sjellë para drejtësisë ata që janë përgjegjës për shkeljet e kryera në lidhje me dënimet penale, dhe format jo-juridike të hetimit (si psh. mekanizmat e kërkimit të së vërtetës)
  • Të ofrojë dëmshpërblim për viktimat dhe të plotësojë disi nevojat e tyre
  • Të transformojë sistemet e sigurisë, t’i bëjë ata përgjegjës për shkeljet në të kaluarën, dhe të heqë mundësisht abuzesit e të drejtave të njeriut nga institucionet publike
  • Të reformojë institucionet publike për të parandaluar përsëritjen e shkeljeve nga e kaluara

Për më tepër, drejtësia tranzicionale përfshin gjithashtu një llojshmëri të gjërë të mekanizmave të kërkimit të së vërtetës si iniciativa kërkimore, komisione, dhe qendra dokumentimi. Kështu pra, drejtësia tranzicionale, ndërton rrugën nga shkeljet të drejtave të njeriut në të kaluarën për në regjime të qëndrueshme dhe demokratike të bazuara në rendin dhe ligjin.

Shembuj nga historia

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Shekulli i XX-të ishte një “periudhë ekstremesh”, i karakterizuar nga krimet më të rënda kundër njerëzimit, luftërat, tirania, por edhe nga lëvizjet për demokratizim dhe liberalizim në vendet perëndimore. Koncepti i 'Drejtësisë Tranzicionale' lindi në kontekstin e adresimit dhe përballjes me krimet e Luftës së Dytë Botërore dhe në përkjekjet e tranzicionit drejt shoqërive më të drejta dhe të sigurta. [2]

Procesi i sqarimit të së kaluarës dhe diktaturës Nacional-Socialiste (Naziste) në Gjermani pas 1945 është konsideruar si një nga rastet më komplekse dhe të larmishme në drejtësinë tranzicionale të periudhës së pasluftës. _Pas kapitullimit të nazistëve, aleatët vendosën të ndëshkojnë kriminelët gjermanë të luftës. Ata u dërguan përpara Tribunalit Ushtarak Ndërkombëtar ku u dënuan nga fuqitë fitimtare të bashkuara (SHBA, Britania e Madhe, Bashkimi Sovjetik dhe Franca). Planet e Aleatëve nuk përfunduan me ndjekjen penale të krimeve, por ata synuan çrrënjosjen e ideologjive naziste në shoqërinë gjermane dhe shoqërite e tjera moderne, duke spastruar administratën nga ish-bashkëpunëtorët e regjimit, edukimin e gjerë mbi krimet e shkaktuara, dëmshpërblimin përmes reparacioneve etj.. Duke pasur parasysh rrënjosjen e thellë të Nacional-Socializmit në shoqërinë gjermane, qëllimet e aleatëve u përfshinë të ashtuquajturat pesë D-të (nga anglishtja): çmilitarizim, denazifikim, decentralizimin, demokratizim dhe deindustrializim. [2]

Statuti i Gjykatës Ndërkombëtare për Hetimin e Krimeve në ish-Jugosllavi

Në ish-Jugosllavi, peshorja e abuzimeve të të drejtave të njeriut është themeluar kryesisht nga Gjykata Ndërkombëtare për Krimet në Ish-Jugosllavi (ICTY) dhe më vonë nga ndjekja penale vendore e krimeve të luftës. Sipas ICTY mbi 130,000 humbën jetët dhe shtëpitë e tyre në ish-Jugosllavi në vitet 1990. Nevoja për të dhënë llogari për krimet e kryera në të kaluarën ka qenë e pamasë duke pasur parasysh natyrën e kontestuar të konfliktit dhe mosmarrëveshjet e vazhdueshme rreth shkaqeve dhe motivit të luftës.

Përpjekjet për drejtësi tranzicionale në ish-Jugosllavi kanë qenë fillimisht të ngadalta dhe të përqendruara në dënimin e krimeve të luftës. Dënime të shumta janë dhënë në Bosnje dhe Hercegovinë në nivelin e kantonit dhe rajonit, gjithashtu edhe në Dhomën e Krimeve të Luftës të Gjykatës së Bosnje Hercegovinës që nga 2005. Në vende të tjera të ish-Jugosllavisë, progresi ka qenë shumë më i ngadaltë dhe hezitues. Kroacia themeloi dhoma te specializuara për t’u marrë me rastet e krimeve të luftës dhe Serbia krijoi Dhomën e Krimeve të Luftës në Gjykatën e Qarkut në Beograd po atë vit, por ka hasur shumë sfida që atëherë, si për shembull frikësim te deshimitareve.

Së fundmi, përveç mekanizmave juridikë të kërkimit të së vërtetës, në rajon janë iniciuar qendra vendore për vendosjen e fakteve, komisioni rajonal i kërkimit të së vërtetës RECOM, dhe iniciativa të ndryshme për gjetjen e fakteve përmes kërkimeve të ndryshme dhe qendrave të dokumentimit.[3]

Sot, koncepti i drejtësisë tranzicionale karakterizohet nga lidhja e ngushtë mes fazës së tranzicionit dhe realizimit të drejtësisë. Kjo e fundit nuk duhet kuptuar vetëm në aspektet juridike. Koncepti përçon idenë se paqja dhe siguria mund të vendosen në vend vetëm kur krimet e mëparshme të luftës dhe shkeljet e të drejtave të njeriut të adresohen nëpërmjet mekanizmave të përshtatshëm.[2]

Drejtësia tranzicionale në Shqipëri

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pas rënies së regjimit komunist në vitin 1991, parlamenti i parë pluralist vendosi krijimin e një sistemi juridik të drejtë e të ndershëm, që të përputhej plotësisht me ligjet dhe rregullat që mbrojnin të drejtat bazë njerëzore. Për kompensimin dhe rehabilitimin e të gjithë personave që ishin akuzuar padrejtësisht nga regjimi komunist, qeveria demokratike mori masa për garantimin e shpërblimeve materiale dhe morale si dhe integrimin e shpejtë të ish-të dënuarve në shoqëri. U krijua “Komiteti i ish të Dënuarve dhe të Përndjekurve Politik” i cili hartoi draft-ligjet mbi kompensimin dhe garantimin e integrimit.

Gjatë periudhës 1992-1995, pati një seri gjyqesh kundër ish-udhëheqësve komunistë, por ato nuk qenë shumë të ndryshme nga gjyqet popullore që dënonin shqiptarët në kohën e Komunizmit.

Lustracioni është një proces i ngjashëm me konceptim e denazifikimit në Europë, por aplikohet në kontekstin e dekomunistizimit të shoqërive lindore. Lustracioni është kritikuar gjithmonë si një proces që shpesh është ndërmarrë nga qeveritë postkomuniste për të sulmuar opozitën politike apo për të ndaluar konkurenën politike, dhe jo si një proces i mirëfilltë për të rivendosur drejtësi.[4] Ligji i Lustracionit, një koncept i zbatuar në disa vende të Europës Lindore në periudhën post-komuniste, nuk u realizua asnjëhere i plotë në Shqipëri. Shqipëria ka patur një ligj të tillë më 1995, i cili u shfuqizua pas ardhjes së socialistëve në pushtet më 1997 dhe një tentativë tjetër për ligj lustracioni në vitin 2008, e cila nuk rezultoi e suksesshme.[4]

Logo e Autoritetit të Dosjeve

Në vitin 2015, Parlamenti miratoi një ligj i cili nisi procesin e njohur si 'hapja e dosjeve të Sigurimit', ku qytetarët, ish-të përndjekurit apo familjarë të tyre, mund të kërkojnë dosjet e skeduara për to dhe përgjimet e kryera nga ish-Sigurimi. Ligji krijoi Autoritetin e Dosjeve, si strukturën përgjegjëse për procesin e hapjes së dosjeve. Ligji përcakton rregullat dhe procedurat për të bërë të mundur ushtrimin e së drejtës nga çdo i interesuar për informimin mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, nëpërmjet një procesi demokratik dhe transparent, i udhëhequr nga parimi i mbrojtjes së personalitetit të individit, si dhe unitetit e pajtimit kombëtar.[5]

Ndryshe nga shembulli i Gjermanisë apo ish-Jugosllavisë, në Shqipëri, drejtësia kalimtare ka fituar vrull vetëm në momentet thelbësore politike kur kjo është parë si e dobishme për palët e interesuara, të cilat i kanë shfrytëzuar debatet publike dhe nismat politike vetëm për të mbështetur fuqinë e tyre dhe jo për tu përballur seriozisht me krimet e së kaluarës. [1]

https://web.archive.org/web/20140208232018/http://www.balkaninsight.com/al/drejtesia-tranzicionale-ne-ballkan/cka-eshte-drejtesia-tranzicionale

  1. ^ a b Enkeleda, Olldashi (2019-01-01). "Zhvillimet e Drejtësisë Transitore E Olldashi". Zhvillimet e Drejtësisë Transitore. Arkivuar nga origjinali më 1 shtator 2022.
  2. ^ a b c "Nurenmberg Academy - Publications" (PDF). International Nuremberg Principles Academy (në anglisht). 1 shtator 2022. Arkivuar nga origjinali më 1 shtator 2022. Marrë më 2022-09-01.
  3. ^ "Çfarë është Drejtësia Tranzicionale? :: Balkan Insight". web.archive.org. 2014-02-08. Arkivuar nga origjinali më 8 shkurt 2014. Marrë më 2022-09-01.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: BOT: Gjendja e adresës origjinale është e panjohur (lidhja)
  4. ^ a b "Drejtësia tranzicionale, lustracioni dhe hapja e dosjeve". Reporter.al. 2015-02-09. Arkivuar nga origjinali më 1 shtator 2022. Marrë më 2022-09-01.
  5. ^ "LIGJ Nr. 45/2015" (PDF). Autoriteti i Dosjeve. 1 shtator 2022.