Elektra
Ky artikull nuk citon asnjë burim, prandaj mund të mos jetë i saktë. |
Ky artikull ose seksion duhet të përmirësohet sipas udhëzimeve të Wikipedia-s. |
Kjo faqe është e palidhur nga faqe të tjera. |
Elektra (greqisht: Ἠλέκτρα; Latin: Electra) - emri i dy qenieve hyjnore dhe i një gruaje vdekatare nga mitet greke. E para prej këtyre qenieve hyjnore ishte e bija e Titanit Oqean dhe gruas së tij, Tetis. Është martuar me Taumantin, zotin e fenomeneve natyrore në det dhe me të ka pasur katër vajza: hyjneshën e bukur të ylberit dhe lajmëtaren e zotërave, Iridën, dhe tri Harpie të shëmtuara gjysmë-gra gjysmë-shpend.
Tjetra nga këto ishte e bija e Titanit, Atlant dhe Oqeanidë Pleones. Me zotin suprem, Zeusin, ka pasur djalin Dardan, stërgjyshin e themeluesit të Trojës Iliun. Bashkë me gjashtë motrat e saj Zeusi e sjell në qiell dhe e shndërron në hyllësi Pleadë. Pas rënies së Trojës nga pikëllimi i lëshon flokët dhe kohë pas kohe bredh nëpër qiell si yll komet.
Elektra e vdekshme ishte e bija e Agamemnonit, mbretit të Mikenës dhe gruas së tij Klitemnestrës. E shpëtoi vëllanë e vet, Orestin dhe i ndihmoi që të hakmerret kundër vrasësve të babës, xhaxhait, Egjistit dhe nënës së vet Klitemnestrës. Pas kësaj hakmarrje në përgatitjen e së cilës ia kaloi shtatë vjet të jetës së vet, u martua për Piladin, shokun e Orestit dhe me të shkoi në Fokidë. Me Piladin ka pasur djalin Strofin.
Për dallim nga emnaket e veta hyjnore, Elektra vdekatare i ka qëndruar shkatërrimit të botës së miteve dhe jeton sot e kësaj dite si heroinë kryesore e dy tragjedive madhështore antike nga fundi i shek. V, para e.s. Elektra e Sofokliut dhe ajo e Euripidit. Rol të rëndësishëm ka edhe në Orestinë, në trilogjinë e Eskilit, veçmas në pjesën e saj të dytë, Flijimit në varr ose Heoforete (nga viti 458 para e.s.). Veç kësaj është ringjallur në trajtime të kohës së re. Në mesin e tyre bën pjesë drama Elektra e Hugo von Hofrnanshtalit, e cila u bë bazë e libretos së operës me të njëjtin titull e Rikard Shtrausit) në vitin 1909, transponimi modern i dramës së Eugen O'Neilli (Jugjin O Nili) Elektra në zi (1931). Kuptohet se Elektra në trajtimet e ndryshme të mitit dallohet mjaft, kurse në trajtimet më të lashta ka madje edhe emrin tjetër: Leodika. Te Eskili ajo është vetëm ndihmëse e Orestit, te Sofokliu personifikimi krenar dhe e pakompromis i dëshirës për të marrë hakun për vrasjen e babait të vet, ndërsa te Euripidi e gjorë dhe grua e shkatërruar në vete, e cila beson në jetën më të mirë pas vuajtjeve të mposhtura.
Fatin e saj autorët modernë e kanë trajtuar sipas dëshirës. Në operën e Shtrausit, p.sh. pas kryerjes së hakmarrjes vdes në vallëzimin ekstatik. Sidoqoftë Elektra me Medenë, Ifigjeninë dhe Antigonën hyjnë në radhën e figurave më të mëdha të krijimtarisë së tragjedisë antike dhe dramës botërore në përgjithësi.