Jump to content

Enver Hasani

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Enver Hasani ishte kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nga qershori i vitit 2009 deri në qershor të vitit 2015. Ai është profesor i të Drejtës dhe i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës.[1]

Deri në emërimin e tij gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, në vitin 2009, ish-kryetari Hasani kishte qenë në funksion të rektorit të Universitetit të Prishtinës që nga viti 2006, pasi kishte shërbyer si dekan i Fakultetit Juridik të këtij universiteti. Në vitin 2004, kur themeloi Zyrën për Marrëdhënie me Jashtë të Qeverisë së Kosovës, ish-kryetari Hasani ishte edhe shefi i parë i saj deri më 2006.[1]

Në vitin 2000, ish-kryetari Hasani mori pjesë në hartimin e projektit për themelimin e Departamentit të Shkencave Politike dhe Administratës Publike në Universitetin e Prishtinës, ku ishte udhëheqës i parë i tij deri më 2002. Në po këtë periudhë, ai ishte drejtor i parë dhe themelues i Qendrës për të Drejtat e Njeriut në Universitetin e Prishtinës, projekt ky që u mundësua me ndihmën e “Finnish Human Rights Project” dhe “WUS Austria”.[1]

Në vitet 1992-1997, Prof. dr. Enver Hasani punoi këshilltar ligjor në Ministrinë e Jashtme të Republikës së Shqipërisë. Si diplomat i shtetit shqiptar, përveç pjesëmarrjes në shumë konferenca ndërkombëtare, ai mori pjesë, në kuadër të delegacionit kosovar, në Konferencën e Rambujesë për Kosovën (1999).[1]

Prof. dr. Enver Hasani ka publikuar dhjetëra shkrime akademike përkitazi me aspekte të ndryshme nga E drejta civile, E drejta kushtetuese, E drejta ndërkombëtare publike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, në revista të ndryshme vendore, rajonale dhe ndërkombëtare, siç janë: “The Fletcher Forum of World Affairs”, “Perception”, “European Yearbook on Human Rights”, “Vienna Journal on International Constitutional Law”, “The Chicago-Kent Law Review”, “Euro Balkans”, “Miskolc Journal of International Law”etj.[1]

Prof. dr. Enver Hasani ka botuar katër libra në fushën E të drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, dy prej të cilave janë botuar në gjuhën angleze: “The Dissolution of Yugoslavia and the Case of Kosovo: Legal and Political Aspects”, botuar nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare – AIIS, 1999, dhe “Self-Determination, Territorial Integrity and International Stability: the Case of Yugoslavia”, botuar nga National Defense Academy and Bureau for Security Policy, Vjenë, 2003.[1]

Ai është autor i shumë artikujve në libra të botuara, si dhe bashkautor i librit “Drejtësia kushtetuese në Evropën Juglindore” (Constitutional Justice in South East Europe), botuar nga NOMOS, në janar të vitit 2012. Prof. dr. Enver Hasani është bashkautor, me prof. Ivan Čukalović, zëvendëskryetar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, i Komentarit të parë në shqip dhe në serbisht të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.[1]

Prof. dr. Enver Hasani ka mbajtur ligjërata në universitete të ndryshme prestigjioze, siç janë: Shkolla Juridike e Harvardit, Shkolla Juridike e Pitsburgut, Universiteti Xhorxhtaun, Universiteti “Xhorxh Uashington”, Shkolla Juridike “Tomas Xheferson”, Universiteti Anadolu në Turqi etj. Prof. dr. Enver Hasani ka qenë, po ashtu, studiues në programin Fulbright në Universitetin Northwestern në Çikago, Illinois. Prof. dr. Enver Hasani është pjesëmarrës aktiv në shumë konferenca akademike.[1]

Ish-kryetari Hasani, më 12 shtator 2014, është emëruar anëtar i Komisionit të Venecias për të përfaqësuar Republikën e Kosovës.[1]

Ish-kryetari Hasani ka kryer Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës ku përfundoi edhe magjistraturën e parë në drejtimin Civil-Ekonomik me një sukses të jashtëzakonshëm. Magjistraturën e dytë në fushën E të drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, ish-kryetari Hasani e ka kryer në Universitetin Bilkent të Ankarasë (Turqi), ku ka mbaruar edhe studimet e rregullta të doktoratës në po të njëjtën lëmi. Ish-kryetari Hasani po ashtu mban titullin Doctor Honoris Causa nga Universiteti Kocaeli në Turqi.[1]

Ish-kryetari, Prof. dr. Enver Hasani, është i martuar me znj. Burbuqe dhe bashkë kanë tre fëmijë: Kastriotin, Vatanin dhe Dënesën.[1]

Flet rrjedhshëm gjuhën serbe e angleze, kurse ka njohuri solide të gjuhës frënge e italiane. Në mënyrë pasive njeh edhe gjuhën turke.[1]

  1. ^ a b c d e f g h i j k l "Prof.dr. Enver Hasanit". Gjykata Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese. Marrë më 2018-05-22. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)