Jump to content

Erosi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Erosi

Erosi (greqisht: Ἔρως) — zoti i dashurisë dhe vetë dashuria. Sipas miteve të lashta mishërimi i fuqisë jetëdhënëse që lindi nga kaosi fillestar. Sipas miteve të mëvonshme i biri i Aresit, zotit të luftës dhe Afroditës, hyjneshës së dashurisë dhe bukurisë.

Nuk duhet të habitemi pse mendimet për origjinën dhe natyrën e Erosit janë të ndara. Çka dimë në të vërtetë, për origjinën e dashurisë? A është vërtet e lashtë sa bota? Pikërisht këtë e pohon Hesiodi: Erosi ka lindur njëkohesisht me hyjneshën e tokës, Gea. A është i vërtetë pohimi se pa dashuri nuk do të kishte jetë në tokë? Sipas Hesiodit pikërisht Erosi i ka bashkuar fillet e shpërndara të gjërave nga kanë dalë gjitha qeniet e gjalla, zotërat, njerezit dhe kafshët. Vallë, a nuk mund t'i përballohet me të vërtetë dashurisë, ndonëse sjell edhe harenë edhe pikëllimin? Ajo është pikërisht e tillë çfarë është edhe Erosi, i biri i Afroditës, i cili sundon mbi të gjitha dhe kudo; ngritet me krihë të artë i armatosur me hark dhe shigjeta, ia zgjedh vetes viktimat dhe kend e godit me shigjetën e vet ai i nënshtrohet dashurisë që i sjell gëzim ose vuajtje ose të dyat. Përvoja në dashuri shpjegon pse njerëzit i merr malli për të, pse këndojnë për të dhe pse e mallkojnë.

Zeusi, zoti suprem, ka ditur mirë çka do të sjellë në botë dashuria, sikurse edhe faktin se nuik do të mund as vetë t'u përballojë shigjetave të Erosit. Prandaj vendosi që ta vrasë posa lindi. Mirëpo, Afrodita e fshehu Erosin e vogel thellë në pyll, ku syri i Zeusit nuk ka mundur të depërtojë dhe ua besoi të kujdesen luaneshat e egra. Kur u rrit, u kthye te Zeusi në Olimp dhe gjithë zotërat e përshëndëtën për shkak të natyrës së tij të mirë dhe të bukurisë. U bë ndihmës i Afroditës. Ka pasur tepër punë, ndërsa ndërhynte pothuaj se ne jetën e secilit zot dhe të secilit njeri. Sipas miteve më të reja u detyrua të marrë ndihmësa: Eroitetët ose Amorët. Këta ishin kinse vëllazërit e tij. Vëllau i tij sipas miteve të reja, ishte edhe Anteri ("Kundërdashuria"). Por kundër dashurisë pa ndihmën e Anterit ishte i paaftë edhe vetë Erosi. Dimë per disa ndodhi të dashurive të tij. Më e mira, sikurse edhe te njerëzit, është ajo për dashurinë e tij të parë. U dashurua kundër dëshirës se nënës së vet në Psikën, vajzën e bukur, e cila ishte qenie e thjeshtë vdekatare. Nga kjo lindën komplikime të ndryshme dhe që të dy vuajtën shumë. Mirëpo, në fund çdo gjë përfundoi mirë, sepse, Zeusi, zoti suprem, e pranoi Psikën në Olimp në mesin e zotërave dhe kështu Psiken e shpalli si bashkëshorte te ligjshme të Erosit.

Në antikë, sidomos në ate të vonën, Erosi është njëri prej zotërave i paraqitur më se shpeshti. Ndeshemi me të pothuajse gati në të gjitha pikturat dhe relievet, tema e të cilave është e lidhur me dashurinë. Prej shtatoreve antike në mesin e më të shquarve bën pjesë i ashtuquajturi Erosi Centecellian (Erosi Çentoçellian), kopja romake e origjinalit grek nga fillimi i shek. IV para e.s. punuesi i të cilit me siguri ka qenë Kefisodoti, i ati i Praksitelit (sot gjendet në Muzeun e Vatikanit), dhe Erosi e ngreh harkun, kopja romake e shtatores së Lisipit nga gjysma e dytë e shek IV para e.s. (egzemplari më i ruajtur gjendet në Pallatin e Dukës në Veneci, kurse të tjerët janë Villa Albana në Romë, në Muzeun e Kapitolit dhe të Vatikanit, pastaj në koleksionet e tjera. Prej gjetjeve të reja, para së gjithash, është Erosi në gjumë, shtatore prej bronze e kohës helenistike, ndoshta e shek. III—II para e.s. (sot gjendet në Muzeun Metropolitan ne Nju Jork), ndërsa prej ansambleve skulpturale Amori dhe Psika, sipas te gjitha gjasave e shek. II para e.s. (sot gjendet në Muzeun e Kapitalit në Romë dhe në Pallatin Ufici në Firencë). Pikturat me pamjen e Erosit të kohës më të re praktikisht nuk mund të numërohen. Prej tyre po përmendim, të paktën Edukimin e Amorit të Ticianit, pikturën e ka kryer Damian Mazzo, siç duket pas vitit 1599. Dënimin e Kupidit të Manfredit (përafërsisht e vitit 1610, sot gjendet në Institutin e Arteve në Çikago), Venerën me Kupidin të Bronzinit (nga gjysma e dytë e shek XVI, sot gjendet në Galerinë Kombëtare në Londër), Kupidin në gjumë të Carravaggionit (Karravagjionit) rreth vitit 1600 (sot gjendet në Galerinë e Palatinit në Firencë), Veneren me Amorët e vegjël të vitit 1630-1640 (sot gjendet në Prado të Madridit), Kupidin e zënë' (përafërsisht e vitit 1754) dhe Amorët në gjumë të Frigonardit (rreth vitit 1766, të dyja në koleksionin e Wallaceit në Londër). Ndërsa nga të gjitha të tjerat të paktën duhet përmendur edhe Amorin dhe Psikën, pikturë e Gerardit (e vitit 1795, dhe sot gjendet në Luvër të Parisit). Situata është e njëjtë edhe me veprat skulpturale. Le t'i përmendim vetëm disa: Kupidin e E. Bouchardonit (Bushardonit), përafërsisht e vitit 1749-1750, sot gjendet në Galerinë Kombëtare në Vashington, Amorin me flutur të A. Chaudetut (Shodeut), me siguri e vitit 1802, 1790, sot gjendet në Ermitazhin e Leningradit, dhe cilindo prej Kupidëve të Rodenit në Muzeun e Rodenit në Paris dhe në Filadelfi. Prej skulpturave të tjera po e përmendim njërën të cilën çdo ditë e shohin shumë njerëz: ky është Erosi i këndshëm i A. Gilbertit (A. Gjilbertit) në qendër të sheshit Picadilly të Londrës.