Eshref Januzaj
Eshref Januzaj është studiues, inxhinier dhe profesor universitar shqiptar në Gjermani.[1]
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Dr. Sc. Eshref Januzaj është rritur nën strehën madhështore të Bjeshkëve të Nemuna, në Isniq të Komunës së Deçanit (Kosovë), ku ka përfunduar shkollimin fillor dhe atë të mesëm (gjimnazin). Ka studiuar Informatikën në Technische Universität München (Gjermani) dhe është specialist në fushën shkencore të Data Mining dhe të inteligjencës artificiale. Hulumtimet shkencore në kuader të doktoraturës i ka zhvilluar me fokus në integrimin e dijes së shpërndarë dhe heterogjene duke aplikuar metodat e Data Mining, të cilat i ka përfunduar me disertacionin në lëminë e Distributed Data Mining.
Ka një përvojë pune rreth 20 vjeçare si docent, bashkëpunëtor shkencor dhe ligjërues në universitetet gjermane – ndër to edhe në universitetet elitare të ekselencës: Technische Universität München dhe Ludwig-Maximilians-Universität München. Krahas punës akademike në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Mynih (Gjermani), merret me kërkime shkencore në fushat e Distributed Data Mining, Machine Learning dhe inteligjencës artificiale. Konkretisht merret më hulumtimin e algoritmëve dhe metodave eficiente nga këto fusha për aplikimin e tyre në shkencat e tjera si: biomjekësia, eficienca energjetike, shkencat shoqërore, gjuha, historia, albanologjia, etj. Që nga viti 1996 është anëtar i rregullt i shoqatës profesionale “Shoqëria për Informatikë” në Gjermani (Gesellschaft für Informatik). Ka me dhjetra punime shkencor të recensuara në konferenca ndërkombëtare, disa vlerësuar edhe me çmimin Best paper award; është recensues në konferenca e revista ndërkombëtare; ka udhëhequr mbi 30 projekte në Gjermani dhe ka mentoruar mbi 50 punime studentore në universitetet e Gjermanisë (Bachelor, Master, Diploma, etj.).
Është pjesë aktive e Diasporës intelektuale shqiptare për më shumë se 25 vjet dhe i angazhuar në transferimin e dijes dhe në forcimin e lidhjeve me vendin e origjinës. Është zv. Drejtor si dhe Menaxher i Përgjithshëm i Institutit shkencor mbarëkombëtar Alb-Shkenca dhe njëri ndër anëtarët e rregullt prej themelimit të tij. Është, po ashtu, bashkthemelues dhe Kryetar i Shoqërisë së akademikëve shqiptarë DIJA e.V. nga Mynihu (Gjermani) si dhe ideator e koordinator i aktivitetit vjetor të komunitetit shqiptar në Landin e Bavarisë (Gjermani) “Ditët Shqiptare në Bavari”. Në kohën e lirë, është i pasionuar pas ngjitjeve në bjeshkë dhe fluturimit me paragliding.[2] [3]
Shih edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ "Aktivitete - Universiteti i Prishtinës". uni-pr.edu. Marrë më 2024-11-07.
- ^ https://www.researchgate.net/scientific-contributions/Eshref-Januzaj-33968716
- ^ Mustafa Ibrahimi (red.) Instituti Alb-Shkenca ndër vite 2002-2023 (Monografi), fq. 70, ISBN 9789951518208