Fakulteti i Gjeoshkencave i Universitetit të Mitrovicës
Fakulteti i Gjeoshkencave i Universitetit të Mitrovicës është njëri ndër institucionet më të vjetra të arsimit të lartë në Mitrovicë. Ky institucion është themeluar në vitin 1974[1] dhe asokohe quhej Fakulteti i Xehetarisë dhe Metalurgjisë kur funksiononte në kuadër të Universitetit të Prishtinës.
Historiku
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Fakulteti i Xehetarisë dhe Metalurgjisë
Themelet e arsimit të lartë dhe studimeve universitare në Mitrovicë u vunë me hapjen e Shkollës së Lartë Teknike në vitin 1961. Në vitin 1970 në kuadër të Fakultetit Teknik në Prishtinë hapen degët e Xehetarisë, Teknologjisë dhe Metalurgjisë, deri në themelimin e Fakultetit të Xehetarisë dhe Metalurgjisë në Mitrovicë. Në korrik të vitit 1974 Kuvendi i KSA të Kosovës, miratoi Ligjin për themelimin e Fakultetit të Xehetarisë dhe Metalurgjisë në Mitrovicë (“Gazeta Zyrtare e KSAK” nr. 74/74). Fakulteti filloi punën në vitin akademik 1974/75 me këto degë:
- Xehetari
- Teknologji
- Metalurgji
Në vitin akademik 1980/81 u hap edhe Dega e Gjeologjisë. Në vitin e parë të funksionimit, në tri degët ekzistuese u regjistruan 322 studentë shqiptarë, ndërsa në vitin e hapjes së Degës së Gjeologjisë (1980/81) u regjistruan 151 studentë të tjerë.
Pas masave të dhunshme serbe të vitit 1991, mësimi në gjuhën shqipe u detyrua të vazhdonte në ambientet e Shkollës Fillore “Nazmi Gafurri” në Mitrovicë. Deri në vitin 2005, nga Fakulteti i Xehetarisë dhe Metalurgjisë kanë diplomuar 1,115 studentë me mësim në gjuhën shqipe.
Në vitin 2001, Senati i Universitetit të Prishtinës miratoi planet mësimore të bazuara në Deklaratën e Bolonjës për nivelin Bachelor. Në shtator të vitit 2004, u miratua edhe plani mësimor për studimet Master në:
- Departamentin e Xehetarisë
- Departamentin e Gjeologjisë
- Departamentin e Teknologjisë
Në vitin akademik 2004/05, në Fakultetin e Xehetarisë dhe Metalurgjisë u regjistruan 429 studentë. Procesin mësimor e mbështetnin 51 mësimdhënës dhe asistentë me marrëdhënie të rregullt pune, si dhe 12 të angazhuar me punë plotësuese.[2]
Studentët që studionin në Fakultetin e Xehetarisë dhe Metalurgjisë dhe Shkollën e Lartë Teknike ishin nga të gjitha trevat e Kosovës, marr parasysh se këto degë studioheshin vetëm në Mitrovicë. Një numër i madh i studentëve vinin edhe nga viset tjera shqiptare, nga Maqedonia dhe Presheva, Bujanoci dhe Medvegja dhe Mali i Zi. Shumë student – shtetas të huaj u regjistruan dhe diplomuan në këtë fakultet, posaçërisht nga Lindja e Mesme.[3]
- Fakulteti i Gjeoshkencave
Mbi bazën e këtyre fakulteteve dhe duke u bazuar në traditën mbi 60 vjeçare të arsimit të lartë në Mitrovicë, Qeveria e Republikës së Kosovës me datën 06.03.2013 ka themeluar Universitetin Publik të Mitrovicës, kurse Kuvendi i Kosovës me datën 31 maj 2013 ka ratifikuar vendimin. Në bazë të Statutit të Përkohshëm, miratuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në kuadër të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”(UMIB) funksionojnë gjashtë fakultete: Fakulteti i Gjeoshkencave (FGJT), Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore (FTU), Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike (FIMK), Fakulteti Juridik (FJ), Fakulteti Ekonomik (FE) dhe Fakulteti i Edukimit (FE).
Në kuadër të këtyre fakulteteve funksionojnë gjithsej 23 programe të studimit në nivelin bachelor dhe master. Në procesin mësimor janë të angazhuar gjithsejtë 69 mësimdhënës dhe asistentë në marrëdhënie të rregullt pune. Prej tyre 53 janë doktor shkence dhe 15 janë me magjistraturë ose master të përfunduar, sipas thirrjeve: 15 profesorë të rregullt, 14 profesorë të assocuar, 21 profesorë asistentë, 4 ligjërues dhe 15 asistentë.
Departamentet
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Departamenti i Gjeologjisë
- Bachelor:
- Gjeologji
- Master:
- Venburimet e lëndëve të para minerale
- Hidrogjeologji dhe Gjeologji Inxhinierike
- Departamenti i Xehetarisë
- Bachelor:
- Xehetari me specializimet:
- Xehetari,
- Gjeoteknikë,
- Përgatitja e lëndëve të para minerale
- Xehetari me specializimet:
- Master:
- Xehetari
- Gjeoteknikë
- Departamenti Materiale dhe Metalurgji
- Bachelor:
- Materiale dhe Metalurgji me specializimet:
- Materiale,
- Metalurgji
- Materiale dhe Metalurgji me specializimet:
- Master:
- Materiale
- Metalurgji[4]
Shih edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Lidhje të jashtme
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Berisha, Fjolla (2024-07-27). "U shënua 50 -vjetori i Fakultetit të Xehetarisë dhe Metalurgjisë". Universiteti "Isa Boletini". Marrë më 2025-01-28.
- ^ Wayback Machine (2016-07-25). "Universiteti i Prishtinës (1970 - 2005)". web.archive.org. Arkivuar nga origjinali më 25 korrik 2016. Marrë më 2025-02-02.
- ^ "Universiteti". Universiteti "Isa Boletini". Marrë më 2025-01-28.
- ^ Fakulteti i Gjeoshkencave (Historiku dhe programet e studimit)