Festivali Folklorik Kombëtar
Festivali Folklorik Kombëtar është veprimtaria më e rendesishme mbarëkombetare folklorike në Shqipëri. Kjo veprimtari zhvillohet në Kalanë e qytetit të Gjirokastrës njëherë në katër vjet. Në të marrin pjesë të gjitha grupet folklorike shqiptare si dhe grupe nga shqiptarët e Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë, si dhe nga arbëreshët e Italisë, Turqisë, Amerikës, Greqisë dhe grupe folklorike nga vende te ndryshme si të ftuar. Festivalet folklorike organizoheshin fillimisht në qytetin e Tiranës. Të tillë ishin katër festivalet e para folklorike kombëtare, përkatësisht në vitet: 1946, 1949, 1952, 1957.
Festivali i cili u parapriu festivaleve folklorike kombëtare të Gjirokastrës[1], ishte festivali folkolirik i zhvilluar në Tiranë më 25 - 27 nëntor 1959, me siglën 'Festivali Kombëtar i Këngës, Muzikës dhe Valleve'. Në këtë festival morën çmime për herë të parë solistë popullorë si: Laver Bariu, Ndue Shyti, gjithashtu u vlerësuan me diploma të ndryshme rreth 400 pjesëmarrës.
Festivali i parë Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës u zhvillua në vitin 1968, më 8 - 16 tetor. Pas këtij festivali të parë, ku morën pjesë të gjitha rrethet e vendit, në çdo pesë vjet (përkatësisht: 1973, 1978, 1983, 1988), në kalanë e këtij qyteti u zhvilluan rregullisht festivale folklorike kombëtare.
Në festivalin folklorik të vitit 1973 në fazën finale morën pjesë 1370 pjesëmarrës; në festivalin e vitit 1978, në fazën përzgjedhëse u aktivizuan rreth 53.000 pjesëmarrës, ndërkohë që vetëm 1560 bartës interpretuan gjatë ditëve të festivalit.
Në vitin 1995 festivali folklorik u zhvillua në kalanë e qytetit të Beratit dhe në shtator të vitit 2000 ky aktivitet madhor u rikthye përsëri në qytetin e Gjirokastrës.
Festivalet folklorike kombëtare[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
- Tiranë 1946
- Tiranë 1949
- Tiranë 1952
- Tiranë 1957
- Tiranë 1959
- Elbasan 1966
- Lezhë 1967
- Gjirokastër 1968
- Gjirokastër 1973
- Gjirokastër 1978
- Gjirokastër 1983
- Gjirokastër 1988
- Berat 1995
- Gjirokastër 2000
- Gjirokastër 2004
- Gjirokastër 2009
- Gjirokastër 2015
Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
- ^ Rreth Festivalit ne Argjirofest ueb sajti, http://argjirofest.info/rreth-festivalit/ Arkivuar 10 dhjetor 2015 tek Wayback Machine