Fjalori enciklopedik
Fjalori enciklopedik zakonisht është një libër i cili përfshin një varg termash e përkufizimesh të shkurtra, të rregulluara dhe të renditura në mënyrë alfabetike me një shqyrtim të një game të gjerë temash. Fjalorët enciklopedikë mund të jenë të përgjithshëm, që përmbajnë artikuj mbi tema në shumë fusha të ndryshme; ose mund të jenë fjalorë të specializuar në një fushë të veçantë, siç është arti, biografia, ligji, mjekësia ose filozofia. Ata gjithashtu mund të organizohen rreth një perspektive të veçantë akademike, kulturore, etnike ose kombëtare.
Historikisht, termi është përdorur për t'iu referuar çdo libri të referimeve enciklopedike (d.m.th. një gjithëpërfshirje në fushëveprim), dhe i cili organizohej alfabetikisht. (Termi fjalor i parapriu enciklopedisë në përdorim të përbashkët prej rreth dy shekujsh.) Për të përcjellur metodën e tyre alfabetike të organizimit si dhe për ta kundërshtuar atë metodë me sisteme të tjera për klasifikimin e njohurive, shumë enciklopedi të hershme u titulluan ose nëntitulloheshin "fjalor i arteve dhe shkencave" ose diçka e ngjashme.
Sidoqoftë, më vonë u zhvillua një klasë disi e veçantë e librave referues. Ndërsa ka ngjashmëri mes fjalorit dhe enciklopedisë, duhet theksuar se ekzistojnë edhe dallime të rëndësishme:
- Një fjalor përqendrohet kryesisht në fjalët dhe përcaktimet e tyre, dhe zakonisht ofron informacion të kufizuar, analiza të formave të ndryshme dhe një etimologji (në fjalorë më të plotë) për fjalën e përcaktuar. Prandaj, megjithëse mund të ofrojë një përkufizim, ai mund ta lërë lexuesin mangut pa e kuptuar mirë thelbin e një termi, dhe se si termi lidhet me një fushë më të gjerë të njohurive.
- Një enciklopedi, nga ana tjetër, kërkon të diskutojë çdo temë në mënyrë më të thelluar dhe të përcjellë njohuritë e grumbulluara për atë temë. Kjo karakteristikë është veçanërisht e vërtetë për ato enciklopedi me monografi të gjata për tema apo zëra të veçantë, siç janë dhjetë botimet e para të "Enciklopedia Britanica". Një enciklopedi shpeshëherë përfshin shumë harta dhe ilustrime, si dhe bibliografi dhe statistika.
Krahasuar me një fjalor, fjalori enciklopedik ofron një përshkrim më të plotë dhe një përzgjedhje të zërave për të përcjellë një gamë të caktuar të njohurive. Krahasuar me një enciklopedi, fjalori enciklopedik ofron lehtësi më të madhe të përdorimit, përmes shënimeve të përmbledhura dhe në disa raste me shumë zëra me terma të veçantë; shpesh me madhësi më të zvogëluar, gjë që nënkupton edhe një kosto të reduktuar të botimit.
Fjalori enciklopedik rrjedh prej fjalorit. John Harris e titulloi veprën e tij "Lexicon Technicum" (1704) një "fjalor universal anglez i arteve dhe shkencave"; e që në fakt ishte një koleksion i njohurive në gjuhën angleze, me renditje alfabetike.
Shih edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Literatura
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Robert Hunter, Henry Scherren, and John Williams. The Encyclopædic Dictionary. 7 volumes. 1879-1888.
- Sandro Nielsen: The Effect of Lexicographical Information Costs on Dictionary Making and Use. In: Lexikos 18/2008, 170-189.