Jump to content

Fortesa antike (Gradina e Malokëve)

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Fortesa Antike - Gradina e Malokëve
LlojiArkeologjike
VendndodhjaSamadrexhë, Vushtrri, Kosovë
NdërtuarAntikë,Mesjetë
Emri zyrtar: Lokalitet Arkeologjik / Rezervat
LlojiNën mbrojtje
Përcaktuar249/71
Nr. i referencës3104

Fortesa Antike - Gradina e Malokëve është një monument i trashëgimisë kulturore në Samadrexhë, Vushtrri, Kosovë.[1] Ky monument është i kategorisë "Arkeologjik", i miratuar me numër 249/71 (3104).

Rreth 200m në veriperëndim të lagjes së Malokëve të Samadrexhës, ngrihen dy kodra dhe një shpat shkëmbor. Kodrat janë emërtuar nga banorët vendorë ‘Gradina e Madhe’, ‘Gradina e Vogël’, ndërsa shpati mbanë emrin ‘Kodra e Topit’. Banorët e fshatrave përreth Samadrexhës kodrat i njohin me emrin Gradina e Malokëve (fig. 4.12). Gradina e Madhe dhe Gradina e Vogël janë vendbanime kështjellore, ndërsa Kodra e Topit e emërtuar, me gjasë, nga disa shkëmbinjë që mbizotërojnë tarracën e që njëherit ishin të përshatshëm për vendosjen e topave të ndonjë garnizoni të ushtrisë osmane. Ruan gjurmë të shumta të nxerrjes së gurëve që me gjasë kanë shërbyer për ndërtimin e kështjellave. Kodra e Gradinës së Madhe në trajtë bukur të rregullt konike në maje ka një sipërfaqe të sheshtë e të përshatshme për ndërtim që përfundon anash me faqe të rrëpishme. Nga perëndimi drejt lindjes ajo shënon një zbritje të lehtë. Në platonë e sheshtë është ngritur njëri ndër vendbanimet më të mëdha kështjellore në trevën e Vushtrrisë. Kështjlla zë pozitë të rëndësishme strategjike kundruall terrenit që e rrethon. Në verilindje qarkullon përroi i Lumkuqit. Rreth 3–4km në vije ajrore shihet Gradina e fshatit Ceceli dhe zona kodrinore e fshatit. Në jug rreth 2km në vijë ajrore komunikon me Gradinën e Studimes së Epërme. Në lindje hapet horizonti vrojtues deri në trevën e Llapit. Ndërsa ana jugperëndimore siguron pamje të fushëgropës së Vushtrrisë deri të vargmalet e Qyqavicës.[2]

Mbetjet e kështjllës përfaqësohen nga ledhe gurësh të mureve të rrënuara të cilat ndjekin pothuajse me përpikmëri vijën rrushkulore të izohipsit të thyer të kodrës duke fortifikuar një sipërfaqe përafërsisht në trajtë rrethore prej afro 3 hektarë. Kudo brenda kështjellës hasen pirgje gurësh të objekteve të rrënuara, të përbëra nga gurë të mëdhenj e mesatarë në trajtë drejtkëndëshi, me faqe të latuara, gurë të thyer dhe rrasa gurësh. Në anën lindore të kështjellës në një gjatësi prej rreth 3m ruhet një pjesë e faqes së jashtme të murit rrethues i ndërtuar nga gurë të mëdhenj e mesatarë. Gurët janë rreshtuar në teknikë të thatë murimi. Për taban të murit është shfrytëzuar shkëmbi natyror. Po në këtë anë, në gjatësi prej rreth 2m muri është ndërprerë, me gjasë për lënien e një hyrjeje që lidhte kumunikimin e kështjellës së Gradinës së Madhe me kështjellën pararojë të Gradinës së Vogël.[2]

Qasja në kështjellën e madhe favorizohej edhe nga ana perëndimore ku topografia e terrenit të kodrës shënon një zbrtitje me të butë kundruall anëve të tjera. Në këtë anë, në shpatin e kodrës, vërehen gjurmët e një rruge të shtruar me kalldrëm. Rreth 100-150m në lindje të Gradinës së Madhe terreni i pjerrët shkëmbor dhe traseja e një rruge në mes të shkëmbinjve të Kodrës së Topit shpien në kodrën e Gradinës së Vogel. Kështjlla në Gradinën e Vogel është ngritur në majen më të sheshtë të kodrës. Gjurmët e mureve që fortifikojnë sipërfaqe përafërsisht të rrumbullakët rreth 30ha, vërehen nga konfiguracioni i ledheve të shtresuara të dheut dhe nga mbetejet e gurëve mbi sipërfaqe. Terreni i pyllëzuar brenda kështjellave, rrënojat e mureve rrethuese të mbushura më bimësi e vështirësojnë përcaktimin e saktë të teknikës së murimit sikundër edhe kohën e ngritjes së këtyre vendbanimeve. Megjithatë, prania e gurëve të latuar, mungesa e materialit lidhës dhe gjetja e një pareti të enës së qeramikës të punuar pa qark në pjesën më të lartë perëndimore brenda Gradinës së Madhe, janë udhërrefyes të sigurtë sepse kemi të bëjmë me vendbanime kështjellore të epokës parahistorike, me gjasë të fazës së parë të hekurit.[2]

  1. ^ LISTA E TRASHËGIMISË KULTURORE PËR MBROJTJE TË PËRKOHSHME (PDF). Republika e Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Marrë më 17 gusht 2016.
  2. ^ a b c Rexha, Enver, red. (2013). Harta arkeologjike e Kosovës. Vëll. 2. Prishtina: Instituti Arkeologjik i Kosovës. fq. 167–168.

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]