Gërmenj-Shelegur
Ky artikull ose seksion duhet të përmirësohet sipas udhëzimeve të Wikipedia-s. Ju lutemi ndihmoni edhe ju në përmirësimin e këtij artikulli. |
Po ju flasim për Shelegurin, një vend i vogël e shumë i bukur, në rrethin e Ersekës, drejt rrugës për në Leskoviku.
Zona quhet Rezervati natyror Gërmenj-Shelegur, një destinacion i natyrës shqiptare që ju ofron bukuri të pafundme, në çdo stinë të vitit. Është një zonë ndërkufitare shumë e bukur, në jugperëndim të Ersekës ku harmonizohen malet me luginat e thella, ligatinat, përrenjtë e rrëmbyer e sidomos pyje të dendur të përzier bredhi e lisi por ku dominon pisha e zezë. Vende ideale për të zbuluar natyrën me shëtitje të gjata, piknikë e ngjitje në mal.
Megjithëse nuk ekzistojnë shtegje ekzistuese formale, zona ofron shumë mundësi për udhëtime në këmbë ose kampingje, me një rrugë të përshtatshme që të çon në fshatin e Gërmenjit dhe një rrugë tjetër e vjetër që përdorej dikur si rrugë e karvanëve midis Janinës në Greqi dhe Korçës.
Si shkohet në Gërmenj-Shelegur?
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Itinerari është i thjeshtë. Ju ndiqni rrugën nacionale Korçë-Ersekë- Leskovik. Tabela që iu orienton për mbërritjen, ndodhet midis fshatit Radanj dhe fshatit Gërmenj, 25 km para se të mbërrini në Leskovik.
Çfarë mund të vizitoni tjetër?
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Gjithë udhëtimi juaj deri në Gërmenj, është një zinxhir fshatrash të bukur që fillojnë sapo lini pas Korçën. Ju do të çlodhni sytë nëpër çdo cep natyre duke kaluar nëpër Boboshticë, do të shihni në sfond Drenovën, do të kaloni nëpër Selenicë, përmes Ersekës, Borovës, Barmashit, derisa të keni mbërritur në destinacion. Kjo bukuri vazhdon edhe nëse ju e shtyni itinerarin tuaj drejt Leskovikut, duke kaluar më andej, nëpër Çarshovë e më tutje.
Liqeni i Shelegurit
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Ndodhet pak kilometra pasi keni kaluar Sotirën. Ju dhuron një panoramë të mrekullueshme, ku përtej ujit në sfond dallohen edhe kreshtat hijerënda të vargmaleve të Nemërçkës.
Rrënojat e kështjellës së Radanjit, në jug të pyllit të Gërmenjit, rreth një km udhëtim më këmbë nga rruga kryesore, ofrojnë pamje të rrënojave të vjetra Ilire, të cilat kanë një rëndësi të madhe historike.
Liqeni i Gramozit
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Ndodhet në majë të malit të Gramozit, një rrugë e vështirë por sfiduese për adhuruesit e sporteve ekstreme dhe aventurës.
Ujëvara e Leskovikut
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Ndodhet buzë rrugës nacionale Ersekë-Leskovik, e fshehur mes kanioneve të thella që iu shoqërojnë përgjatë të gjithë rrugës.
Farma Sotira
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Për t’i bërë sa më të prekshme e të përdorshme bukuritë e natyrës së zonës, një çift të rinjsh të pasionuar pas natyrës, kanë ngritur një fermë. Një fermë kafshësh.
Jona nga qyteti i Fierit dhe Toni nga qyteti i Leskovikut, përveç pasionit për njëri-tjetrin që e ndanë duke zgjedhur të jetonin bashkë pjesën tjetër të jetës, ndanë edhe pasionin për natyrën, duke e braktisur qytetërimin, për të vendosur t’i prisnin aty banorët e qytetit, e për t’u ofruar edhe atyre të mirat e natyrës.
“Fillimisht hapëm një rezervat trofte”, tregon Jona. “Kjo ndodhi pasi u kthyem nga Greqia. Pastaj Toni bleu dy kuaj, që janë edhe pasioni i tij më i madh dhe me ta bënte shëtitje të gjata nëpër luginë. Më vonë bleu disa lopë, të cilat i shtoi gradualisht, duke e zgjeruar tufën. Pastaj bleu ca dele. Kështu dalëngadalë, kafshët sikur kërkonin njëra-tjetrën dhe erdhën me radhë kecat, dhitë, lepujt, pulat, derrat... Ndërkohë taverna e peshkut që kishim hapur, po ecte mirë. Njerëzit vinin, kënaqeshin duke kapur peshqit vetë në rezervat. Kemi të dy një të metë të madhe; na vjen keq kur duhet të nxjerrim peshqit jashtë, t’i shohim të ngordhin se duhet t’i gatuajmë, apo kur therim qengjat apo kecat për klientët. Por s’ke ç’i bën. Të mirat e natyrës janë bërë që t’i gëzojë njeriu.
Kur klientët porositin ushqimin që duan të hanë, përgjithësisht nuk presin kurrë ulur në tavolinë. Ata ngrihen e shëtisin nëpër lëndinë. Shikojnë peshqit, shkojnë nga përroi, përkëdhelin kuajt që kullosin matanë, ose kur është stina, shkojnë mbledhin një dorë lajthi në pyll. Ja ku është pylli” - tregon ajo me dorë pemët e lajthive nja njëzet metra më përtej. – “Shpesh vonohen dhe ne dërgojmë djemtë t’u thërrasin kur porosia është gati.
Peizazhi përballë fermës është i mrekullueshëm. Në fund të lëndinës, kuajt kullotnin të qetë pas shëtitjes së gjatë që u kishin bërë turistëve të radhës. Nën strehën e drunjtë të njërës prej kolibeve të vogla verore, pamë portretin e Maks Velos. Piktori i njohur ishte përhumbur mbi lexim, me një shprehje plotësisht të paqtë të fytyrës. Natyra kishte hedhur mbi fytyrën e tij efektin qetësues të njëmijë punëve të bukura.
“Vjen gjithmonë”, - na tha e zonja e shtëpisë. “Na telefonon, i bëjmë gati vilën dhe kur vjen, rri disa ditë. Ja për shkak të njerëzve si Maksi i ndërtuam ato tre vilat e drurit. Sepse kur vinin vizitorët, sidomos të huajt, na e kërkonin me ngulm. - Pse të mos ketë edhe për të fjetur, - thoshin. - Këtu është kaq bukur. Njeriu nuk mund të kënaqet thjesht me një drekë dhe aq. Duam të eksplorojmë mirë gjithë këto gjëra të bukura që shohim. Shumica vijnë me rulotat e tyre dhe i parkojnë atje në fund te plepat. Një ditë erdhi një çift hollandez, me guidën ‘Green Line’ në dorë. E kishin blerë në Tiranë, në aeroport. I kishin marrë me radhë, dhe kur mbërritën këtu na e treguan librin me njëfarë habie që ferma jonë nuk ishte aty. I thamë se nuk e dinim që ekzistonte një guidë e tillë për Shqipërinë. Pastaj sigurisht, u interesuam. Ua kërkuam guidën holandezëve por nuk na e dhanë, donin ta merrnin me vete në Holandë. Na dhanë vetëm numrin e telefonit”.
I thamë se edhe ne nuk e dinim për fermën e tyre. I thamë edhe se na u duk e çuditshme në fillim që një çift të rinjsh, në vend që të shijonin jetën e zhurmshme të qyteteve, kishin zgjedhur të merreshin me lopë e me kuaj.
“Edhe unë u mërzita pak në fillim”, - buzëqeshi e zonja e shtëpisë – “por pastaj u mësova. Kur shkëputeshim ndonjë ditë, më dukej sikur kisha lënë fëmijët vetëm e jo sikur bëhej fjalë për kafshë. Tani që na ka lindur dhe vajza, më duket vendi më i dashur në botë”. Pastaj, s’kemi pse të mërzitemi për mungesën e qytetërimit. Këtu vijnë aq shumë njerëz, (shumica janë të huaj), e thonë aq fjalë të mira saqë ne nuk pendohemi kurrë që kemi zgjedhur kështu.
Po fundja, kishin të drejtë. Çdo pamje e çdo detaj, plotësonte panoramën perfekte të vendpushimit ideal pranë natyrës. Një ditë e kaluar këtu, ishte një kënaqësi e vërtetë. Po shumë ditë të tilla? Deshëm të hiqnim edhe një kureshtje të fundit për emrin e fermës. Një togfjalësh i çuditshëm që nuk i përgjigjet shumë shqipes, ka pagëzuar fermën, me emrin e zonës (Sotirë) dhe me ndajshtimin “Farm” me të cilin e thërrasin natyrshëm të huajt kur vijnë këtu.
Dhe kështu, “Ferma” për lehtësi shqiptimi dhe për respekt të të huajve të shumtë që e vizitojnë, u kthye në Farm-a, e Sotira është përcaktuesi gjeografik që shton më shumë melodicitetin e saj. Kështu vjen edhe më e bukur kur shqiptohet me plot gojën në të dyja gjuhët: Welcome, apo mirësevini në Farma Sotira...