Jump to content

Ganimete Cuka

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Ganimete Cuka me mamanë!

Ganimete Cuka vinte nga një familje e pasur, me babanë tregtar të vjetër të Tiranës. I ati u vra kur ajo ishte në moshë të vogël dhe ishte e ëma që i rriti, së bashku me të motrën, Nexhmijen. Nexhmija, e motra, u martua me ushtarakun e lartë Rakip Kalenja, i vrarë dhe i zhdukur gjatë betejës për marrjen e Tiranës nga forcat partizane në nënor 1944. 

Në vitin 1945, Ganimetja fejua me një oficer te Misionit Anglez, por ai u detyrua të largohej brenda 24 orëve, me kërkesë të qeverisë shqiptare. Ganimetes i vunë prangat në duar dhe e rrasën në një qeli burgu të Tiranës. E torturuan barbarisht, madje, funksionarë të lartë të Sigurimit të Shtetit, tentuan edhe ta përdhunojnë. E mbajtën disa muaj në hetuesi, por nuk mundën ta bënin të pranonte se ishte agjente e zbulimeve të huaja, prandaj u detyruan ta lironin.

E përndjekur nga Dega e Brendshme, për shkak të idesë që i ati kishte fshehur arin, por edhe sepse ishte një ndër vajzat më të bukura të Tiranës së asaj kohe, pavarësisht se ishte e shkolluar dhe me kulturë, ajo filloi të merrej me zbukurimin e vajzave të Tiranës ditën e martesës. Ishte tepër krenare dhe e sfidoi regjimin, dhe asnjëherë nuk u përkul të kërkonte mëshirë.

Në vitin 1967, pas një kalvari të gjatë përndjekjesh, veçanërisht nga vëllai famekeq i Ministrit Beqir Balluku, Qemal Balluku, asokohe një ushtarak shumë i lartë dhe gjakatar i Sigurimit të Shtetit, ajo dhe e ëma u internuar në Grabjan të Lushnjës.  Aty i vendosën në një kthinë të një stalle derrash për të banuar. Siç shkruan një bashkëvuajtes i saj: “Vrimat e mureve të pa suvatuar ishin plot akrepa që të kallnin datën. Lagështia të hynte deri në palcë. Jashtë balta ishte deri në gju”. 

Vetëvrasja e tyre do të ishte sfidë dhe akuzë për diktaturën e urryer të Enver Hoxhës. Bleu 10 metra litar dhe e ndau në dy pjesë të barabarta. U ul pranë tavolinës dhe shkroi një letër. Kujt ia drejtonte dhe çfarë ishte shkruar në të, askush nuk e mori vesh, përveç Operativit të Sigurimit të Shtetit dhe Kadri Ismailatit, një titullar shumë i lartë i Sigurimit të Shtetit në atë kohë, i interesuar drejtpërdrejt në inernimin e saj. Si mbaroi letrën, hipi në karrige dhe vari mbi një tra dy litarët e bërë lak. Pasi pinë kafen e mëngjesit, hipi nënën mbi karrige, i hodhi litarin në qafë dhe i ra karriges në shkelm.

Nëna mbeti e varur. E çoi karrigen një metër më larg, hipi sipër saj dhe vendosi lakun në fyt. Shtrëngoi dhëmbët fort që, kur të vdiste, të mbetej e bukur. E rrëzoi karrigen me këmbë dhe mbeti e varur si nëna e saj. Disa fëmijë të internuar, kur dëgjuan zhurmën që bëri karrigia e rrëzuar, u afruan e panë skenën makabre. Ata u lebetitën kur panë nga vrimat e stallave dy gra, që rrinin të varura në hapësirë! Ata ikën me vrap, të frikësuar, për t’u treguar prindërve, por askush nuk merrte guximin të hapte derën e viktimave dhe t’i ulte në tokë. Në mbrëmje vonë, kufomat e viktimave i hodhën në një gropë që ndodhej buzë kanalit, i cili kalonte pranë stallës së derrave, pa u vendosur asnjë shenjë dalluese mbi pirgun e dheut që i mbuloi.

Sigurimi i Shtetit nuk ia fali asnjëherë këtë sfidë. Eshtra e saj dhe të ëmës humbën për të mos u gjetur më kurrë.

Sistemi i egër komunist, për të fshehur imoralitetin e vet dhe të të gjithëve atyre që u sherbenin, përhapi fjalë se Ganimetja kishte qëndrim moral të papërshtatshëm për sistemin komunist, ndërsa shkrimtarë të oborrit të regjimit shkruajtën tregime dhe romane me trillime, duke iu referuar jetës së saj imagjinare si "jetë kurtizane".

Ganimete Cuka ishte një vajzë tiranase, nga një familje me vlera qytetare aristokrate, e cila nuk iu përshtat kurrë dhunës dhe imoralitetit komunist të pas viteve të Luftës së Dytë Botërore, e cila qëndronte përballë imoralitetit dhe dhunës së pashoqe të “shoqeve komuniste” të modelit Nexhmije Hoxha, Vita Kapo, e të tjera, të cilat, e luftuan, jo vetëm atë, por të gjitha vajzat dhe gratë që ajo përfaqësonte, duke hedhur baltë mbi to, nëpërmjet thashethemeve, presionit të horrave të Sigurimit të Shtetit, shkrimtarëve të oborrit të kuq komunist, individëve shërbëtorë të regjimit, të cilët regjimi më vonë edhe i goditi, dhe kujtdo që ishte i gatshm t’u shërbente.

Në kujtim të Znj. Ganimete Cuka, nënës dhe motrës së saj, Nexhmijes, dhe të gjitha atyre vajzave dhe grave kudo në Shqipëri, që regjimi komunist u përpoq t’i thyejë e t’i poshtërojë, por nuk arriti t’i mposhtë.

Do të bjerë shi një ditë, që të mbijë drejtësia!

Rrno për me tregue!

Ganimete Cuka; Nexhmije Cuka – Kalenja; Qemal Balluku; Beqir Balluku; Osman Reçi; Astrit Kalenja; 1967; internim; Grabjan; Lushnje; Ahmet Golemi; Rruga e Dibrës; Rruga e Barrikadave; Tiranë;  Agim Musta; Ismail Kadare; Romani “Përballë pasqyrës së një gruaje”; Kadri Ismailati; Ministria e Brendshme; Sigurimi i Shtetit; Maks Velo; Tregimi “Ganimeti”;  kurtizane; Nexhmije Hoxha; Vito Kapo; Dega e Brendshme.