Jump to content

Akrolisi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Akrolisi
LlojiArkitekture
VendndodhjaLezhë, Shqipëri
Emri zyrtar: Monument i trashëgimisë kulturore
LlojiNën mbrojtje
KriteretI

Akrolisi është një qytet antik ilirik, dhe tani monument i kulturës në jug të Lezhës në atë që njihet Maja e Tyrbes ose Maja e të Shëlbuemit.[1] Përfshin të gjitha gërmadhat e kuotës 408 me një distance prej 20 metrash rreth e perqark mureve. Është në listen e monumenteve të mbrojtura nga shteti me Ligj. Nr. 609, dt. 24.05.1948 (numri i vendimit 586), dhe 23.09.1971 (numri i vendimit 4874).[2]

Përshkrim dhe histori

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Lisi dhe Akrolisi (nga greqishtja Lis i Epërm) shënojnë cakun jugor të njësisë rreth Shkodrës dhe liqenit të saj. Ato gjenden aty ku Mali i Velës bashkohet me lumin Drin, në një terren shkëmbor. Në këtë gjuhë spikasin Mali i Shëlbuemit, kodra e Akrolisit (410m) si dhe ajo e Lisit (172m), 1 km larg njera tjetrës. Kodra e Akrolisit rrëzohet drejt perëndimit me pjerrësi të madhe, ndërkohë që Mali i Shëlbuemit e mbron me nje syprinë kurrizore (300x60m). Në trasenë e mureve dallohen dy faza ndërtimi, nga të cilat e para është e periudhës së hekurit. Muri rrethues, 3.2m i gjerë, përbëhen nga dy këmisha me blloqe prej guri gëlqeror, të thyer në formë paralelopipede, kurse mesi mes dy këmishave të murit është i mbushur me gurë të papërpunuar dhe çakëll.[2]

Binomi i qyteteve të afërt Lis e Akrolis u krijua me nje avantazh evident nga pikëpamje ushtarake, pasi vendosja e tyre e vështirësonte rrethimin nga kundërshtari dhe pasi dy fortifikimet mund të ndihmonin në një rast rrethimi njëri-tjetrin me kundërsulme. Akrolisi, i ndërtuar mbi një kodër të lartë e me shpate të pjerrëta, ishte praktikisht i papushtueshëm. Si i tillë mendohet që Akrolisi është zanafilla e qytetit antik të Lisit. Aty ekzistonte që më parë një vendbanim i fortifikuar prehistorik, zhvillimi i të cilit çoi në lindjen e qytetit të Lisit. Megjithëse Akrolisi e kishte kryer detyrën e tij të zanafillës, ai u rifortifikua në kohën antike për të shërbyer si një akropol i veçuar dhe si post ushtarak. Aq i rëndësishëm ishte ky akropol për qytetin e Lisit saqë Filipi V i Maqedonisë, kur u ndodh me ushtrinë e tij në rrëzë të malit të Shëlbuemit dhe ngriti sytë përpjetë për të parë kështjellën, fillimisht humbi çdo shpresë për ta pushtuar atë (Polyb. VIII, 13,3).[3] Gjithsesi Filipi V arriti t'i pushtonte, si Lisin ashtu dhe Akrolisin në betejen e vitit 212 p.e.r. kundër ilirëve lokalë, duke shfrytezuar aftësitë e tij ushtarake: me zgjuarsi ai fshehu një pjesë të ushtrisë në varosh dhe, kur rojet e Akrolisit dolën të ndiqnin pjesën tjetër të ushtrisë maqedonase, pjesa e fshehur pushtoi lehtësisht Akrolisin, e më pas edhe Lisin.[4]

  1. ^ Hosaflook, David (2012). "Note n. 51". The Siege of Shkodra: Albania's Courageous Stand Against Ottoman Conquest, 1478 (në anglisht). Onufri. fq. 53. ISBN 9789995687779.
  2. ^ a b "Vlerësimi dhe Analiza e Thelluar e Territorit të Bashkisë Lezhë (DRAFT)" (PDF). Bashkia Lezhë. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 23 prill 2016. Marrë më 14 mars 2018.
  3. ^ Gjerak Karaiskaj (1981). Pesë mijë vjet fortifikime në Shqipe. Shtëpia Botuese "8 Nëntori. fq. 39.
  4. ^ Gjerak Karaiskaj (1981). Pesë mijë vjet fortifikime në Shqipe. Shtëpia Botuese "8 Nëntori. fq. 293.